Firmosja e Marrëveshjes për Zgjerimin dhe Zhvillimin e Infrastrukturës së Gazit në Shqipëri dhe ky grant prej 6,6 milionë eurosh i dhuruar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO), është pjesë e një kontributi të vlerësuar dhe i marrëdhënieve të shkëlqyera me Qeverinë e Konfederatës së Zvicrës.
Marrëveshja në fjalë është konkrete dhe ka të bëjë me zgjerimin dhe zhvillimin e infrastrukturës së gazit në Shqipëri.
Më lejoni të përmend se totali i granteve të angazhuara nga Qeveria Zvicerane është tashmë jo më pak se 77 milionë euro dhe i shërben financimit të një sërë projektesh të rëndësishme.
Ministria e Financave është në fazat fillestare të hartimit të një projekti të rëndësishëm (me një fond prej rreth 3 milionë CHF), në lidhje me zbatimin e standardeve ndërkombëtare, si dhe praktikave më të mira të raportimit financiar, duke synuar të përmirësojë ndjeshëm transparencën, përgjegjshmërinë dhe vendimmarrjen në lidhje me financat publike.
Ministria e Financave në muajin mars 2015 ka aplikuar edhe në dy projekte të tjera të rëndësishme, të mbështetura financiarisht nga SECO: Përmirësimi i ciklit të zbatimit të projekteve kapitale, si dhe një vlerësim mbi menaxhimin e burimeve njerëzore të Ministrisë së Financave, me qëllim mbarëvajtjen sa më mirë të procesit të zbatimit të strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike (MFP).
Po në këtë kuadër, Ministria e Financave vlerëson financimin për forcimin e kapaciteteve për menaxhimin e borxhit publik, me qëllim përmirësimin e menaxhimit fiskal dhe makroekonomik. Rritja e cilësisë së raportimit financiar të kompanive private (faza e dytë e projektit), ka qëllim përafrimin me praktikat më të mira ndërkombëtare, ndërsa sistemi i Planifikimit të Integruar, ka qëllim koordinimin më të mirë të politikave të Qeverisë me planifikimin e fondeve publike.
Ministria e Financave falenderon autoritetet zvicerane dhe Ambasadoren e SECO, zonjën Beatrice Maser, për kontributin dhe angazhimin për këtë bashkëpunim të veçantë me Shqipërinë.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.