
Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), me aderimin e vendit në kuadrin gjithëpërfshirës, si dhe BEPS (erozioni i bazës së tatueshme dhe shmangia e fitimit) do të ofrojë asistencë për Shqipërinë në fushën e taksimit ndërkombëtar.
Kjo u konfirmua gjatë takimit që zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, z.Elton Haxhi zhvilloi me drejtorin e Qendrës për Politikat e Taksave dhe Administrimit në OECD, z. Pascal Saint – Amans, në kuadër të Takimit Vjetor me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ishte një takim shumë i frytshëm ai që pata me z.Amans, të cilit i kërkova asistencë në rishikimin e marrëveshjeve për shmangien e taksimit të dyfishtë, si dhe udhëzime për trajtimin tatimor të platformave elektronike siç janë Booking.com, AirBnb ejt, me qëllim ndjekjen e praktikave më të mira ndërkombëtare”, u shpreh zoti Haxhi, në përfundim të këtij takimi.
Nga ana e tij, z. Pascal Saint – Amans konfirmoi një program asistence nga OECD dhe kërkoi që administrata fiskale shqiptare të ndjekë zhvillimet e fundit në fushën e taksimit të ekonomisë dixhitale.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.