Postuar më: 09/07/2015

Cani: Jo 100 milionë, por është e sigurt se do t’u kursejmë shqiptarëve edhe 400 milionë euro!

Së pari falenderoj diskutantët për hapësirën që i dhanë sqarimeve teknike.

Do të thoja shumë shkurt se ne sot po diskutojmë një përmirësim marrëveshjeje, e cila është nënshkruar nga qeveria e kaluar dhe në Kuvendin e kaluar.

Në komisionet parlamentare ne kemi debatuar për çështje teknike, argumente, histori, kështu që dua të flas shkurt dhe të përqendrohem tek ajo kategori që ka interes, që është biznesi, por duke qenë se në këtë përmirësim marrëveshjeje bëhet fjalë për ulje shpenzimesh, doemos që janë të interesuar edhe qytetarët.

Me të drejtë deputeti parafolës përmendi atë që është thënë, që është artikuluar edhe për korrupsion, edhe për klientelizëm, edhe për veprim antikombëtar. Unë do të mundohet të përmend shkurt disa fakte që e vërtetojnë këtë artikulim dhe gjykoj, që kanë çuar në përmirësim të këtyre elementeve. Ne nuk kemi fshehur gjë, nuk thamë se përmbysëm kontratën, ne thamë se përmirësuam kontratën dhe ja ku jemi, pra kjo marrëveshje vjen me elemente të përmirësuar.

Nuk do t’i përmend të gjitha elementët që janë përmirësuar. Synuam për të gjitha, por duke qenë se kjo marrëveshje ishte nënshkruar, ishte miratuar në qeveri e Kuvend, natyrshëm që na vinte  në pozita të vështira. Dhe kuptohet që, kur negocion nuk mund t’i fitosh të gjitha, por do fitosh aq sa mundesh dhe do bësh maksimumin për ekonominë e vendit, popullin tënd, për ato mundësi  që u jepen palëve. Prandaj themi se e gjitha ishte çështje debatesh dhe negociatash.

Le të marrim elementin kryesor, përse jemi këtu, çfarë ka ndodhur? Ajo që është thelbësore; me këtë marrëveshje të re i është kursyer ekonomisë një shumë nga 100 milionë deri -400 milionë euro, në varësi të ecurisë së numrit të deklaratave doganore.

Besoj se faktet e deritanishme japin më shumë mundësi që kursimi të jetë më pranë 400 milionë euro sesa 100 milionë. Shifra e fundit është më parashikimi më konservativ i mundshëm. Unë flas për pjesën më konservative, por meqenëse këtu  ka hamendësime apo keqdashje se nuk ka pasur kursime, që, aq më keq, është përkeqësuar kontrata nga rishikimi i saj pas negociatash, me bindje të plotë ju them se llogaritjet tona më pranë 400 milionë euro kursime. Kjo është e thjeshtë: duke marrë nivelin e  deklaratave doganore, ne kemi marrë për bazë 10-vjeçarin e fundit, kemi marrë për bazë fundin e vitit 2014 me përafërsisht 400 mijë deklarata doganore në vit, nga jemi nisur për të përllogaritur kursimet, për të cilat flasim. Sot jemi në 6-mujorin e parë të vitit 2015, janë regjistruar 255 mijë deklarata doganore, që do të thotë 510 mijë deklarata në fundin e këtij viti. Pra janë 510 mijë deklarata, po t’i shumëzoni me 39 euro për deklaratë doganore (kaq ka qenë në kontratën e marrëveshjes koncensionare), bëni llogaritë dhe do shihni shifrën!

Sigurisht, unë qëndroj tek ideja “më mirë të jemi më këmbë në tokë”, të mos fluturojmë, por ama as mos të spekulojmë. Kontrata që u rishikua tani, është një kontratë thelbësisht e përmirësuar.

Por çfarë ndodh me biznesin, që është pjesa më e interesuar për këtë marrëveshje?

Pagesa për skanimin do të kryhet mbi bazën e deklaratës doganore. Për të gjithë biznesin, si ai që  importon, ai që eksporton dhe ai që kalon tranzit, pagesa mesatare, gjatë 15 viteve, nuk do të jetë më shumë se 22 euro për deklaratë, por mundësia është shumë e madhe për t’u ulur kjo tarifë skanimi. Pra edhe kjo është një shifër konservative. Edhe kësthu, pra nga 39 euro  në 22 euro, biznesi përfiton 17 euro ulje, ose 43.6% ulje kostoje për deklaratë doganore.

Për deklaratat doganore me vlerë më pak se 1,000 euro, do të paguhen vetëm 5 euro. Kjo është bërë për të mos spekuluar me deklaratat doganore.

Nëse ka diferenca në vitet e para të kontratës mes deklaratave të regjistruara dhe pagesës së planifikuar për koncensionarin, kemi parashikuar që buxheti të mbulojë një pjesë të kostos së pambuluar nga të ardhurat, por, pothuajse është e sigurt që do të mbulohen, ndoshta edhe pa nevojën e buxhetit. Ne i kemi marrë masat edhe për mbulim nga buxheti.

 

 

Pak fjalë për qytetarin.

Kjo ishte një kontratë pa limit, pa fund, një kontratë e cila mund të zgjaste edhe 30 vite, nëse skaneri i fundit nuk vihej në punë. Ishte një kontratë që nuk kishte fund edhe për nga aspekti i shumës që do merrte pala koncesionare, shumë e cila, duke bërë disa llogaritje, me 510 mijë deklarata shumëzuar me 39 euro/deklarata, do të ishte me rritje 10% çdo vit. Ne kemi llogaritur vetëm 5% rritje në vit. Diferenca është për kursim;  Kursimi është sa për t’u ndërtuar “Rruga e Arbrit”!

Ka një pyetje, përse nuk u prish kontrata?

Nuk u prish, sepse nga pikëpamja ligjore, kontrata ishte e kopsitur. Do të thotë se palët ishin kujdesur që ta kopsitnin në mënyrë të tillë që të mos prishej kontrata. Në nene të veçanta ishte shumë e qartë që çdo prishje ishte me zarar, për më tepër marrëveshja kaloi në qeveri, iu dha bekimi edhe nga Kuvendi, (kjo është një arsye madhore). Ishte bërë kontrata si “për vete”, nga të dy palët!

Tjetër ishte penaliteti i parashikuar në rast të prishjes së kontratës. Ky penalitet ishte 360 milionë dollarë! Me negocimin e kontratës ne do të paguajmë vetëm 210 milionë euro, ndërkohë që përfitojmë shërbimin. Edhe ne jemi në mbështetje të sigurisë së kufijve, të luftës kundër kontrabandës, presim që ky shërbim që jepet tani, të japë kontributin e vet. Por bëmë diferencën e madhe, tashmë do të merret vetëm gati gjysma e kostos që do të merrej më parë.

Përse na akuzojnë?

Na akuzojnë se “humbët dy vjet”! Po, i humbëm, sepse nuk mund të pranonim një kontratë që ishte me 1001 pikëpyetje; e miratuar në një kohë super rekord, për vetëm 30 minuta diskutim në Kuvend, gjithçka e miratuar! Miratimi nga Presidenti, për vetëm një javë! Studimi e fizibilitetit? Vetëm tre faqe: një tabelë dhe dy faqe fizibiliteti për 360 milionë USD? Si mund ta pranonim? Ç’kishim ne për të nxituar me nxitimin tuaj? Jo! Ne morrëm një për një nenet e marrëveshjes, për të parë çdo hapësirë! Dhe shikoni rezultatin, pse ka kritika? U kursye 43.6% e çmimit të skanimit. Përfiton biznesin! Sipas kontratës së bërë nga ju, do të paguante për çdo deklaratë. E bëmë që do të paguajë afërsisht një në çdo dy deklarata, pra gati ja përgjysmuam vlerën.

Na thonë që “prapë nuk bëtë gjë, prapë na latë tarifën”. Tarifën nuk e lamë ne. E gjetëm nga ju, e latë ju. Ne vetëm e përgjysmuam, donim ta hiqnim fare, por nuk mundëm.

Ju thamë në një Komision se punuam edhe për Kosovën, ishte një kërkesë edhe e palës kosovare, bëmë përpjekje njëlloj si për shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës. E dini (dhe kjo është e çuditshme), cila ishte përgjigjja? Quajeni po të doni naive, po të doni cinike: “Lëreni Kosovën!”- na thatë. Si ta lëmë Kosovën? Po ju mbani fjalime patetike për patriotizëm! Uluni me këmbë në tokë, si ta lëmë Kosovën? Jo! Ne kemi të tjera projekte dhe do t’i çojmë deri në fund me Kosovën dhe do t’i trajtojmë njësoj shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës.

Dikush na bën llogaritje:  “sikur të mos jenë 400 mijë deklaratave doganore, por 250 mijë”?!. Unë po ju them që 6-mujorin e parë të këtij viti ishin 255 mijë të tilla, më lart nga ç’mund t’ju pjellë mendja ju, me diabolizmin tuaj. Si mund të biesh nga 500 mijë në 250 mijë deklarata doganore? Ta mendosh Shqipërinë që do ta kthesh në vitin 1997? Nuk e bëni dot! Më duket absurd ky lloj mendimi dhe nuk ja vlen argumentimi i kësaj çështjeje.

Po e mbyll vetëm duke ju kujtuar që, jo vetëm nuk do të ndodhë ajo, por po ndodh e kundërta. Po ballafaqoheni me realitetin. Jemi treguar skeptikë ose konservatorë, nëse doni. Kemi marrë 400 mijë deklarata dhe janë 500 mijë deklarata në fakt. Kemi marrë vetëm  5% rritje, për t’u treguar modestë, kemi qenë në pjesën konservatore dhe për të qenë korrektë me publikun.

Në mbyllje them se ja vlen që secili nga ne të mos e zgjasë, ta votojë këtë përmirësim marrëveshjeje, t’i lërë filozofimet për njëherë tjetër, kemi hapësira për të debatuar me njëri-tjetrin për gjëra të tjera, që hanë logjikën e debatit. Të themi  këtë: Ju e bëtë punën mirë; ju faleminderit, kursyet ekonominë! Edhe njëherë pa frikë jo 100 milionë euro, por më shumë është nga ç’duken bathët,  është e sigurt se do t’u kursejmë shqiptarëve edhe 400 milionë euro.

Faleminderit!

 

 

 

Të rejat e fundit