Postuar më: 10/09/2015

Cani: Mbetemi të vendosur të ruajmë konsolidimin fiskal dhe treguesit makro të ekonomisë

Zonja drejtuese e seancës,

Të nderuar kolegë,

 

Sa për merak, meqë z. Sherefedin Shehu ju bëri thirrje tatimorëve të vjedhin sa më shumë, unë iu bëj thirrje tatimorëve të bëjnë kujdes sa më shumë, sepse së shpejti do vijë ligji (që besoj do miratoni edhe ju), sipas të cilit deformimi i pasqyrave financiare dhe akteve të këtij lloji, do të quhet krim i rëndë dhe do dënohet jo më pak se 7 vite heqje lirie. Kështu që është koha të mbledhin mendjen dhe të kthehen në rrugë të mbarë.

 

Po a ishte i domosdoshëm apo jo miratimi i këtij akti ?

 

Së pari, ishte i domosdoshëm për arsye se ne patëm një reformë të thellë administrativo-territoriale dhe lindi nevoja që të përshtaten më së miri buxhetet për njësitë e reja vendore, në mënyrë që ato të hyjnë sa më shpejt në moton e punës së përditshme, për të arritur ato objektiva dhe premtime që u  kanë bërë zgjedhësve.

Së dyti: ekonomia e vendit kërkon përshpejtime në investime publike, në mënyrë që t’i japim mbështetjen e duhur rritjes ekonomike, zhvillimit ekonomik. Koha nuk pret dhe, për këtë, ne menjëherë vepruam në mënyrë që të gjithë ata sektorë, të gjitha ato investime që kanë patur një ecje relativisht më të ulët, më të ngadaltë, të zëvendësoheshin me të tjera investime, që kanë një ecuri më të mirë, më të shpejtë, që të realizohej nxitja e kërkuar dhe e duhur, që të gjithë ne, pozitë-opozitë, dëshirojmë – zhvillimin e ekonomisë dhe rritjen ekonomike sa më të lartë. Pati dhe arsye të tjera, për shembull, përshtatja e disa programeve buxhetore me ndryshimet më të fundit në fushat e përgjegjësisë, etj.

 

Çfarë vlen të na mbetet në mend nga ky Akt Normativ janë dy çështje:

 

Së pari, Akti normativ nuk shton me as edhe një lek të vetëm deficitin e programuar. Pra, Qeveria mban zotimin e saj lidhur me borxhin publik, ruhen treguesit bazë makroekonomikë në tërësinë e tyre dhe, meqë e ka merak opozita dhe herë pas here hedh ndonjë shashkë, nuk ka për të pasur rritje taksash. Pra, hiqni nga agjenda juaj gogolin e taksave që po përdorni vazhdimisht. Kjo qeveri nuk ka më në programin e saj rritjen e taksave, përkundrazi, ashtu siç kemi thënë, ne po shikojmë mundësinë për uljen e tyre.

Së dyti, ky Akt Normativ nuk i prek funksionet kryesore të institucioneve buxhetore dhe veçanërisht investimet publike, qofshin ato në nivel kombëtar apo dhe lokal.

 

Duke marrë shkas nga debatet në Komisionin për Ekonominë dhe ato që diskutantë të veçantë përmendën në Kuvend, jam i detyruar, duke i kërkuar ndjesë publikut, për të sqaruar më gjatë disa çështje, të cilat besoj se deputetë të caktuar mund të kenë keqinformim, disa të tjerë kanë aq sa mungesë shifrash dhe keqinformim, aq edhe keqdashje. Ka pastaj një pjesë që kanë keqdashje dhe padije, kështu që flasin nga padija dhe me ta do të na duhet të përdorim ende gjuhën e thjeshtë për të dhënë sqarimet e duhura.

 

Atë që pak a shumë është kërkuar këto ditë nga qeveria, është se përse ne kemi realizuar për vitin 2015 vetëm 31.2 miliardë lekë më shumë se sa viti i fundit i qeverisë suaj, për periudhën janar-korrik. Pra, ne na kërkohet llogari këtu në Kuvend se përse kemi realizuar vetëm +31.2 miliardë lekë më shumë në shtatëmujorin e 2015-ës më shumë se sa janar-korrik 2013. Kjo është kërkesa. Po deshët, na kërkoni sërish llogari se përse ne kemi dhënë 40 miliardë lekë të ardhura më shumë në vitin 2014, në krahasim me vitin 2013. Pra, që të jemi të qartë me publikun, ju na kërkoni llogari se përse ne i kemi dhënë publikut, buxhetit të shtetit, 71 miliardë lekë më shumë nga ju për dy vite, në një kohë që ju për 4 vite nuk i keni dhënë as 28 miliardë lekë më shumë. Pra, këtë na kërkoni.

 

Atëherë, më duhet të sqaroj më qartë dhe më ngadalë tregues më tregues në mënyrë që publiku vetë të bëjë vlerësimin e  situatës.

 

Nga kanë ardhur diferencat?

 

Së pari, diferenca ka ardhur nga fakti se ekonomia shqiptare, ashtu siç të gjithë e dëshironim pa përjashtim pozitë-opozitë, ka filluar të orientohet nga prodhimi vendas dhe janë dy sektorë bazë që do të marr në analizë:

 

I pari, atë që ju kot e trajtoni, prodhimi më i tepërt i energjisë elektrike në Shqipëri dhe ulja e importeve. Kur ulen importet, doganat nuk mund të realizojnë të ardhurat e tyre menjëherë, sepse çdo kalim energjie në doganë thithet menjëherë, kurse kjo është zëvendësuar me prodhim vendi. Siç edhe ju e dini (por ndoshta një pjesë nuk e di), kanë teprica kreditore prodhuesit dhe janë rimbursuar menjëherë, pra kjo është një shtyrje në kohë, është një detyrim i shtetit që do jepej në një kohë më të gjatë, tani jepet në një kohë më të shkurtër dhe është faktor i përkohshëm;

500 milionë lekë mungojnë për shkak të uljes së importeve ushqimore. Besoj se nuk ka shqiptar që nuk gëzon se bujqësia vendase prodhon më shumë, jo vetëm që plotëson nevojat e vendit, por edhe eksporton 44% më shumë. Ky është një zhvillim pozitiv dhe i kënaqshëm për ekonominë, edhe pse buxheti merr më pak të ardhura;

730 milionë lekë mungojnë për shkak të makinerive dhe lëndëve të para prodhuese, të cilat qeveria enkas, me qëllim, ka kërkuar të nxitet importi i tyre në mënyrë të nxiten investimet. Dhe në një kohë të dytë, edhe pse buxheti nuk e merr shumën prej 730 milionë lekësh, ndërkohë nxiten investimet dhe nesër do të kemi prodhim të shtuar vendas. Është e vërtetë dhe e saktë që Qeveria e ka nxitur me ndërgjegje këtë mungesë të vogël të ardhurash për hir të një faktori shumë të madh. Pra, nga e gjithë kjo zhurmë e madhe për mungesë të 73 miliardë lekësh, ne duhet të gëzojmë që kemi ulur importet, që kemi shtuar eksportet, që është rritur prodhimi vendas.

 

Faktori i dytë: Ekonomia ndërkombëtare dhe, sidomos, zhvillimet në vendet fqinje, që kanë pasur një performancë nën atë që kishin parashikuar. Nuk ishim vetëm ne që parashikonim performancën, me modesti ne bëjmë llogaritjet tona, por ne ndjekim parashikimet e ekspertëve botërorë. E gjithë ekonomia botërore ishte gjykuar në muajt shtator-tetor, kur ne kemi planifikuar draft-buxhetin, se do të rritej shumë më mirë nga sa kishim parashikuar. Dhe fakt është se dy herë radhazi FMN dhe ndërkombëtarët ulin parashikimin e rritjes së ekonomisë botërore dhe veçanërisht të Italisë dhe Greqisë. Tani bashkë  me të janë dhe efektet në tregjet ndërkombëtare, që kanë ndikuar negativisht në të ardhurat e buxhetit të shtetit:

 

2.3 miliardë lekë janë arkëtuar më pak për shkak të uljes së çmimit në eksport të naftës bruto (mbi 50%) si dhe çmimet e mineraleve. Në respekt të ndonjë deputeti që foli më parë, duhet të sqaroj se nuk ka të bëjë me TVSH-në, nuk ka të bëjë me akcizën, nuk ka të bëjë me faktorë fiks, po ka të bëjë me rentën minerare që llogaritet mbi vlerë, nuk llogaritet mbi ton. Kështu që ulja përgjysëm e çmimit do të japë të ardhura të mangëta. Dhe ky është një faktor që shënon minus 2.3 miliardë lekë. Nuk e besoj se ka ndonjë këtu që mund të na fajësojë ne pse nuk ndikojmë tek çmimet botërore të naftës apo mineraleve. Ne jemi ose përfitues ose pësues të kësaj dhe për pasojë buxheti pësoi në këtë rast.

Presionet e ulëta inflacioniste, siç ju lehtësisht mund ta vini re. Kur kemi hartuar projekt-buxhetin, kemi planifikuar se inflacioni në Shqipëri do të vërtetohej me një mesatare 2.5%. Në fakt, deri në fund të korrikut, u vërtetua 1.3% dhe kur çmimet janë më të ulëta, edhe mbledhja e taksave që bëhet mbi vlerë është më e ulët. Kështu që nuk e besoj se edhe për këtë të ketë ndonjë që përdor logjikën ta fajësojë qeverinë se pse çmimet në tregjet ndërkombëtare apo në Shqipëri janë më të ulëta. Ne gëzojmë që shqiptarët blejnë mallra me çmime më të ulëta, pra edhe kjo ishte një tjetër çështje që duhej trajtuar dhe bëhet fjalë për rreth minus 2 miliardë lekë në buxhet.

1.2 miliardë lekë mungojnë për shkak të uljes së normave të interesit bankar. Në muajt shtator-tetor kur është hartuar buxheti, mendohej se normat e interesit në tregjet ndërkombëtare (dollarë dhe euro), për pasojë edhe të lekut, do të ishin më të larta. Por nuk u vërtetua. Nuk u rritën normat e interesit. Do të fajësoni qeverinë shqiptare për vendimin e Bankës Qendore Evropiane? Ne jemi përfitues ose pësues. Në rastin konkret, ne gjykojmë se normat më të ulëta të interesit, natyrshëm që sjellin më pak të ardhura në buxhet, por nxisin më shumë kreditimin, pasi janë norma më të ulëta interesi në kredi.

 

Grupfaktori i tretë janë reformat e rëndësishme të ndërmarra në kuadër të sistemit të tatim taksave:

 

2.2 miliard lekë i mungojnë buxhetit, por që vijnë për shkak të kompensimit të TVSH-së me sistemin e ri të IT në DPT. E vërtetë është që i mungojnë xhepit të buxhetit 2.2 miliardë lekë, por i janë shtuar buxhetit të biznesit, në xhepin e privatëve, atyre që u takojnë. Ne, në mënyrë automatike, u kemi dhënë, më shumë nga parashikonim, 2.2 miliardë lekë dhe nuk i mbajtëm ashtu siç bënte rëndom nga viti në vit qeveria e shkuar. Hoqëm dorë të merrnim ca para që i takonin biznesit dhe t’ua shlyenim në vitet më pas, siç i mbajtët ju për 8 vite.

2 miliardë lekë mungojnë për shkak të ndryshimit procedurial të raportimit të taksës së qarkullimit, karbonit e  ambalazheve. Në thelb, kjo është thjesht çështje raportimi. Me sistemin e vjetër, çdo fundmuaji raportoheshin të ardhurat e taksës së qarkullimit, tani janë shtyrë për në datën 15 të muajit pasardhës. Paratë janë aty, vetëm është çështje regjistrimi dhe raportimi që shtyhet  në të ardhurat e muajit përkatës në buxhet.

 

Faktori i fundit është ai i cigareve. I mungojnë buxhetit 3.2 miliardë lekë nga 15.5 miliardë lekë kryesisht nga cigaret e importuara. Kuptohet që siç është tashmë e vërtetuar, një pjesë e mirë është zëvendësuar me duhanet e vendit, sepse është rritur importi i letrës së cigares me 70%. Por duhet të dini që është shumë e vështirë të riorientosh mbledhjen e të ardhurave nga dogana për cigaret në prodhimin vendas. Edhe sikur të mblidhej e gjithë taksa nga duhanet e vendit, ndaj taksës së mbledhur nga duhanet e importit është gjysmë për gjysmë.

 

Nëse bëjmë një përmbledhje të të gjithë këtyre faktorëve, ata janë faktorë tërësisht jashtë qeverisë për 15 miliardë lekë të ardhura më të pakta, nga 15.5 miliardë lekë që është e gjithë shuma që ju përmendët të raportuara si të munguara. Unë dhashë argumentet, të cilat janë bërë edhe nga Ministria e Financave, edhe nga organet fiskale, janë bërë edhe nga FMN dhe Harvardi. Jemi përpjekur të jemi sa më seriozë kur vijmë në Kuvend dhe jo të themi atë që dëshirojmë ne. Ndërsa besoj se do ta keni shumë të vështirë për të argumentuar mungesën prej 187 miliardë lekësh (ose 1.8 miliardë USD) vetëm për vitet 2009-2012. Keni 1.8 miliardë USD që, nëse përdorim gjuhën tuaj, ose veç e veç, ose në tufë i keni “gëlltitur”, i keni vjedhur. Kështu që gjejeni mes jush, bëjini analizat dhe gjeni ku janë zhdukur 1.8 miliardë USD.

 

Në mbyllje, më lejoni të ritheksoj edhe njëherë se ky Akt nuk ka prekur, me as edhe një lek, deficitin dhe borxhin publik. Ne mbetemi të vendosur të rruajmë konsolidimin fiskal dhe treguesit makro të ekonomisë.

 

Me të njëjtin ritëm, ne do të vijojmë edhe reformën e re, atë kundër informalitetit. Është tërësore, thelbësore, e thellë. Kështu që bëhuni gati, bëhuni thirrje miqve tuaj, të fillojnë të përmblidhen, të respektojnë ligjin, të respektojnë rregullin, sepse do të gjejnë belanë me shtetin. E kuptoj që nuk denjoni të lexoni, nuk denjoni të kuptoni, por reforma është e mirëorganizuar, është e qartë për ne dhe i ka prekur që të gjitha aspektet e duhura. E vetmja gjë që ju keni në dorë të na ndihmoni, është që ta mbështesni reformën dhe t’u bëni thirrje miqve tuaj të ndërpresin aktivitetet ilegale apo kriminale.

 

Ju faleminderit!

Të rejat e fundit