Postuar më: 28/04/2014

Cani me bizneset: Të përshpejtojmë procesin e pagesave

Pika e parë lidhet me pagesat e prapambetura, ku jemi me to?!

Plani i qeverisë sipas strategjisë së miratuar, parashikonte që brenda vitit 2014 të shlyenim 350 milionë dollarë detyrime të vjetra (borxhet ndaj subjekteve). Por ky afat ka ndryshuar! E thënë më ndryshe, me vullnetin e mirë, duke mirëkuptuar edhe kërkesat e biznesit, procesin e pagesave e kemi përshpejtuar dhe synojmë ta mbyllim brenda 6-mujorit të parë, pra brenda qershorit.

 

Jemi duke punuar intensivisht për realizimin e këtij objektivi, me të gjitha ministritë dhe institucionet e tjera të linjës, pasi duhet ta dini që nuk është e përfshirë vetëm Ministria e Financave në këtë proces. Ne jemi drejtues të saj.

Deri tani kemi disbursuar rreth 200 milionë dollarë, pra janë fonde të hedhura në sistem përmes degëve të thesarit. Me këtë rast, shfrytëzoj rastin e pranisë së përfaqësuesve të biznesin për tu bërë apel subjekteve të jenë më aktivë në tërheqjen e fondeve.

Efektet e këtij procesi? Mendoj se do të duhet ende kohë (ndoshta çështje ditësh) për të parë efektet e këtyre pagesave në ekonomi, sidomos në lidhje me punësimin. E vë theksin te punësimi pasi që në fillim të procesit, kemi vendosur si synim shlyerjen e pagesave të prapambetura me qëllim që biznesi të na “përgjigjet” më pas me më shumë investime dhe doemos, fundi i gjithë kësaj historie, të ketë më shumë punësim. Kjo është si rezultante e dëshiruar e të gjithë shqiptarëve, por edhe këtij takimi të Këshillit Kombëtar të Punës.

 

Në lidhje e Paketën e Fasonëve, çfarë është bërë këto katër muaj që prej takimit tonë të fundit në dhjetor 2013?!

Ministria e Financave është vetëm pjesë e një zinxhiri për realizimin e paketës për industrinë me material porositësit. Ju jeni njohur gjatë kësaj kohe nga ministri i Punës, z.Veliaj, nga ministri i Ekonomisë, nga Kryeministri, etj.

Janë 42 masa që ne kemi rënë dakord me industrinë e material porositësit, masa të cilat shumë shpejt do të marrin rezultantet e tyre, do realizohen në praktikë dhe kuptohet, bashkë me pagesat e detyrimeve ndaj biznesit, të dyja bashkë, presim rezultate pozitive në ekonomi, te punësimi sidomos. Shenjat e para kanë filluar të duken dhe gjykoj që jemi në rrugë të mbarë.

 

Klima me biznesin, përmirësimi i shërbimeve nga tatimet dhe doganat

Pika e tretë, për të cilën u ra dakord që duhej të ndiqnim si Ministri e Financave, për pasojë edhe si ministër, lidhet me përmirësimin e veprimtarisë së tatimeve dhe doganave, sidomos në marrëdhëniet me biznesin. Mund të them se marrëdhëniet me biznesin janë përmirësuar tërësisht, kemi realizuar një varg masash, po rishikojmë së bashku me biznesin kuadrin ligjor fiskal, çdo hap që hedhim e bëjmë së bashku me biznesin. Këtu, në këtë tryezë mund ta dëshmojnë mjaft mirë të pranishmit nga biznesi, si për takimet që kemi bërë, ashtu dhe në drejtim të punëve të kryera dhe punëve të tjera që synojmë të bëjmë.

Natyrisht, kemi pasur debate, kemi pranuar apo kundërshtuar ide e sugjerime. Duhet pranuar se nuk është që ministria bie dakord me çdo propozim, pasi duhet të mbrojmë edhe interesin e shtetit, publikut, por kryesorja është që reformat po ndërmerren bashkarish. Aty ku ka logjikë, arsye dhe mendim të pjekur, ne veprojmë dhe biem dakord për ta ndryshuar, rishkruar, korrigjuar realitetin. Jemi të hapur për bashkëpunim pasi vërtet na intereson shëndeti juaj (i biznesit). Vërejmë se kemi plot mundësi të ndërmerren masa “pa kosto”, mjafton të jetë dëshira e mirë dhe këmbëngulja e vendosmëria nga të dy palët.

 

Jemi në diskutim të përgatitjes së projektligjeve dhe projekt-kodeve, të cilat do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2015. Po kështu, kemi ndryshuar dhe përmirësuar një sërë praktikash në punën tonë të përditshme, praktika, të cilat shpesh me keqardhje më duhet të pranoj që nuk ishin tjetër veçse devijime të panevojshme nga ligji, nga rregulli e praktika ndërkombëtare.

Nuk po i rishikojmë ligjet tatimore për t’i harmonizuar vetëm ndërmjet tyre në ndihmë të njëri-tjetrit (biznes-shtet), por edhe për t’i përafruar me praktikat e BE-së. Duhet doemos të synojmë qartazi, të ndjekim praktikat më të mira botërore dhe të bindemi se rruga drejt BE-së kërkon edhe zbatimin me rigorozitet të tyre.

 

Këto përmirësime të marrëdhënieve biznes-administratë natyrisht që në këndvështrimin tim (nuk do të përbënte çudi nëse them kështu) do të sjellin të ardhura më shumë, sepse baza e realizimit të të ardhurave tek ne është tek vetëdeklarimi. Por e rëndësishme  përsëri është se nga Qeveria nuk synohet  vetëm realizimi i të ardhurave më të rritura, por që doemos biznesi të sjellë  edhe më shumë punësim. Kjo natyrshëm sjell edhe më shumë siguri për shtetasin, konsumatorin, sjell më shumë inovacion për biznesin.

 

Kur biznesi ka marrëdhënie të mira me administratën fiskale, por edhe atë shtetërore në tërësi, natyrisht që i shtohet besimi, dëshira për investime.

 

 

***

Në lidhje me paketën e masave për “Sigurinë në Punë”

Gjykoj që edhe kjo paketë projektvendimesh sjell risi në drejtimet dhe qëllimet e mësipërme. Kjo paketë është mjaft e rëndësishme, ka vlera, është e dobishme. Të gjithë ne e përkrahim dhe duam të zbatohet sa më shpejt.

Nëse më lejohet, si deputet i Bulqizës, uroj dhe shpreh besimin se këto masa do të ndihmojnë fuqishëm edhe minatorët, të cilët kanë nevojë parësore të mbeten në punë, por të jenë në kushte pune sa më të pëlqyera e sipas standardeve, pasi gjithçka lidhet drejtpërdrejtë me jetesën sa më të mirë të familjeve që e kanë lidhur jetën me minierat. Pra, në këtë këndvështrim i mbështes dyfish këto masa të hartuara nga Ministria e Punës.

Të rejat e fundit