Të nderuar pjesëmarrës,
Siç jeni në dijeni, në muajin Dhjetor 2014 Këshilli i Ministrave miratoi “Strategjinë për Menaxhimin e Financave publike (MFP) për periudhën 2014-2020”.
Sot, Ministria e Financave, me partnerët, gjykuan të bëjnë paraqitjen publike të angazhimit të Qeverisë Shqiptare ndaj qytetarëve dhe partnerëve tanë për zbatimin e një sërë reformave të rëndësishme për mirëmenaxhimin e financave publike.
Si rezultat i kësaj strategjie, do ta quaja gjithëpërfshirëse, pritet të përmirësohet ndjeshëm menaxhimi i përdorimit të burimeve publike, duke çuar në ofrim të shërbimeve më të mira për qytetarët, që është një ndër qëllimet parësore të qeverisë dhe për të përmirësuar ritmet e zhvillimit ekonomik të vendit.
-Vendosja dhe arritja, ruajtja e stabilitetit makroekonomik të vendit ka qenë përherë një prioritet madhor dhe që, nga qeveria, ka qenë përherë në qendër të vëmendjes, që do të ndikojë në zhbllokimin e potencialeve të pashfrytëzuara ekonomike që ka vendi. Në këtë strategji synohen të gjenden mekanizma për forcimin e kuadrit të përgjithshëm fiskal dhe të forcohet procesi i përgatitjes së PBA-ve tre-vjeçare; e cila, ju e dini që është një çështje që përmirësohet nga viti në vit;
-Ne të gjithë e dimë se shkelja e disiplinës fiskale në vend në vitet e kaluara çoi në krijimin e detyrimeve të prapambetura nga qeveria ndaj biznesit, të pashlyera në vite, gjë që e përkeqësoi situatën si të biznesit, por edhe të ekonomisë së vendit. Me strategjinë “Për shlyerjen dhe parandalimin e detyrimeve të prapambetura” të miratuar në vitin 2014, ne synuam (dhe në fakt u arrit) që të shlyhet pjesa dërrmuese e këtyre detyrimeve. Kjo strategji ka vendosur targete të reja ose objektiva të rinj, si ne të parandalojmë krijimin e detyrimeve të reja, që, së bashku me dokumentin që ka miratuar qeveria dhe po diskutojmë sot, në harmoni, do të realizojmë më mirë kontrollin e angazhimeve financiare. Me angazhimet shumëvjeçare për limitim të projekteve dhe investimeve që tashmë është në funksion, themi se do të bëjmë kufizime në vijim të shpenzimeve të buxhetit të pakontrolluara që kanë ndodhur deri tani.
Po pse kanë ardhur ato? Kuptohet që duke qenë se ne kishim përgjithësisht një buxhet vetëm 1-vjeçar, ku përfshinim një projekt, i cili shtrihej në disa vite, projekte të cilat kishin një pjesë të vogël të shpenzimeve vitin e parë dhe pastaj shtriheshin me shpenzimet vitet e tjera, na krijoi atë që përmenda më lart, detyrimet e prapambetura. Tashmë me të gjithë këto dokumente dhe masa që ka ndërmarrë qeveria shqiptare, gjykojmë se vihet nën kontrolltë rreptë i gjithë niveli i shpenzimeve në të ardhmen në mënyrë që të mos krijojmë më detyrime të prapambetura. Tashmë në Kuvend do të kalojnë edhe shpenzimet e tjera trevjeçare, pra PBA- tre-vjeçare për vitet 2016-2018 që do të na sjellë përsëri limitime, (po këtë radhë nga Kuvendi) të shpenzimeve që do të kryhen në një periudhë tre-vjeçare. Të gjitha këto masa garantojnë një kuadër fiskal të qëndrueshëm.
-Në strategji njëkohësisht janë parashikuar përpjekjet dhe angazhimi për të forcuar menaxhimin e të ardhurave, duke reformuar administratën fiskale si atë tatimore dhe atë doganore, me qëllim rritjen e efikasitetit të tyre në mbledhjen e të ardhurave, duke luftuar evazionin fiskal dhe ekonominë informale, të cilat ne, asnjëherë nuk e kemi fshehur që, në ekonominë shqiptare, në më shumë se dy dekadat e fundit, kanë qenë problem. Qeveria sapo ka filluar fushatën anti-informalitet dhe u gjykua që të fillohet me njërin prej këtyre elementeve që janë hidrokarburet. Kuptohet që janë edhe fushat e tjera, të cilat do të realizohen në vijim për çështjen e luftës kundër informalitetit.
-Po kjo strategji sheh dhe anën e shpenzimet publike, të cilat do të strukturohen në mënyrë të tillë që të japim impaktin maksimal pozitiv për ekonominë kombëtare, duke i dhënë prioritet projekteve dhe programeve me ndikim të fuqishëm në zhvillimin ekonomik dhe sidomos në atë që është ende problem për ekonominë shqiptare, punësimin.
-Po ashtu, me këtë strategji synohet përmirësimi ndjeshëm i mënyrës së raportimit të qeverisë në Kuvend dhe doemos edhe në publik për monitorimin e programeve qeveritare, duke rritur kështu përgjegjshmërinë e ministrave për programet e ndryshme që janë nën përgjegjësinë përkatëse të tyre .
-Strategjia sheh përmirësim të ndjeshëm të sistemit të kontrollit të brendshëm dhe të raportimit financiar të institucioneve të qeverisjes qendrore dhe vendore, bazuar në standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Do të shohim për sisteme më të mira dhe modele moderne të teknologjisë së informacionit, të cilat zënë pjesë të rëndësishme në zbatim në këtë strategji.
-Kontrolli i Lartë i Shtetit ka qenë pjesëtar aktiv në hartimin e kësaj strategjie dhe doemos do jetë edhe më aktiv në auditimin e jashtëm, që realizon pikërisht Kontrolli i Lartë i Shtetit.
-Hartimi dhe zbatimi i kësaj strategjie gjen bazë dhe mbështetet edhe nga integriteti, kompetenca dhe përkushtimi i nëpunësve publikë. Për këtë arsye, merr rëndësi të veçantë dhe trajtohet gjerësisht në këtë strategji edhe zhvillimi i kapaciteteve të nëpunësve publikë në të gjithë vendin.
Kuptohet që, për t’u realizuar me sukses, kjo strategji kërkon dhe ka mbështetje të fuqishme politike të lidershipit për të garantuar përgjegjësitë dhe përgjegjshmërinë e menaxhimit të duhur të gjithë administratës publike.
Rezultante e kësaj strategjie është fakti që, duke marrë ngjyrimin e duhur dhe të pranueshëm për standardet dhe preferencat e BE-së, gjeti mbështetje buxhetore të BE-së, nëpërmjet “Budget Support” në kuadër të programit IPA II, që siç na thuhet shpesh nga kolegët e BE-së, është i pari projekt i këtij lloji ku BE jep mbështetje buxhetore për një vend kandidat ose me prirje për nga BE.
Së fundmi, më duhet të përmend që kjo strategji ka ngjyrimin e Ministrisë së Financave dhe meqë jam ministër i Financave flas në emër të Ministrisë së Financave, por, në fakt, këtu jam në emër të qeverisë, sepse janë një grup institucionesh që janë angazhuar intensivisht dhe thelbësisht në hartimin e kësaj Strategjie dhe do jenë pjesëtarë edhe në zbatimin e saj. Do përmend këtu kontributin e çmuar të disa institucioneve: Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore, KLSH, Departamentin e Administratës Publike, INSTAT, etj.,
Në fund, do të doja të bëja një falënderim të veçantë për institucionet ndërkombëtarë, të cilat janë treguar të pakursyer në ndihmën që na kanë dhënë edhe në hartimin e kësaj strategjie; BE (edhe në mbështetje në fonde që do të na japë për buxhetin), por edhe FMN, BB, që janë “çelësi” i zbatimit me sukses së bashku me ne, i kësaj strategjie të rëndësishme në dobi të financave, por dhe ekonomisë shqiptare.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.