Postuar më: 25/04/2014

Cani: Pres nga shoqëritë e kursim kreditit mundësi pagesash për të tjera shërbime

Është nder dhe njëherazi kënaqësi, për çdo Ministër Finance, të përshëndesë Asamblenë e Përgjithshme të një institucioni financiar si i juaji.

Duke ditur që fillimet e Unionit Shqiptar Kursim Kredi datojnë prej vitit 1992, mund të themi pa ndroje që institucioni juaj është po aq i vjetër sa vetë sistemi bankar shqiptar. Dhe kjo është padyshim, meritë e pakontestueshme e të gjithë përfaqësuesve të shoqërive kursim kredi të ftuar sot.

 

Projekti juaj asokohe arriti të ofronte një alternative të qëndrueshme dhe mjete financiare të përshtatura për fshatarët vërtet të varfër në atë kohë. Produktet financiare të ofruara nga SHKK-të ndikuan për një integrim më pro-aktiv dhe më të shpejtë të fermerëve në tregun e lirë dhe mbi të gjitha në një përmirësim të nivelit të jetesës së tyre. Njerëzit gradualisht iu rikthyen pronës dhe tokës, me objektivin dhe vullnetin për të siguruar një jetesë më të mirë familjare.

Krijimi i Unionit Shqiptar Kursim Kredi, në fillim të vitit 2002, mbi këtë baze, shënoi një hap të madh cilësor dhe hapi një perspektivë të re për kreditimin rural në përgjithësi. Në këtë periudhë, kam patur nderin të mbuloja pozicionin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe është pikërisht atëherë që Unioni Shqiptar Kursim Kredi mori formën juridike me të cilën njihet sot. Me kënaqësi, konstatoj që 12 vite më pas, Unioni Shqiptar Kursim Kredi është konsoliduar si institucioni lider i financimit të fshatit shqiptar.

Lejomëni pra t’ju përgëzoj, të gjithë juve, përfaqësues të Shoqërive Kursim Kredi nga anembanë vendit, për krijimin e një shembulli pozitiv e të suksesshëm, të një institucioni financiar bashkëpunues, tërësisht të zotëruar nga banorët rurale dhe me kapital 100% vendas. Ekzistenca e Unionit dhe financimi që ai ka bërë me mbi 40 milion euro gjatë tre viteve të fundit në ekonominë rurale, tregon qartazi rëndësinë që Shoqëritë Kursim Kredi po marrin ndër vite.

Ministria e Financave, konstaton me pozitivitet faktin, që Shoqëritë Kursim Kredi paraqesin ndër normat më të ulëta të kredive me probleme në vend, tregues i një modeli të konsoliduar bashkëpunimi dhe përputhshmërinë e modelit me nevojat dhe kërkesat e zonave rurale në vend.

Në pozicionin e Ministrit te Financave ekzistenca e një Unioni financiar të tillë përbën një hallkë jashtëzakonisht të rëndësishme në jetësimin e politikave publike në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit. Një hallkë që  nuk mund të anashkalohet.

 

Rritja e edukimit financiar, formalizimi i ekonomisë rurale dhe ofrimi i shërbimeve financiare deri në zonën më të thellë të vendit, janë të gjitha elementë të programit qeverisës që përfaqësoj. Program ynë  e konsideron rilindjen e fshatit si një ndër prioritetet kryesore dhe më urgjente të rimëkëmbjes së ekonomisë kombëtare. Ne nuk harrojmë që mbi 45% e popullsisë së vendit jeton në zonat rurale. Asnjë politikë fiskale dhe punësimi në vend, nuk do të kishte impaktin e pritur, pa përfshirjen reale në to dhe të kësaj pjese të popullatës.

Angazhimi ynë për krijimin e një ekonomie rurale moderne dhe prodhuese nuk mund të realizohet pa krijimin e një dinamike financiare e cila e vendos fermerin në rreshtin e parë të veprimit. Një fermer i cili merr një kredi, është një fermer i cili dëshiron të punojë tokën, të rrisë të ardhurat e tij dhe të kontribuojë më pas në shoqëri.

Në afat-gjatë, Ministria e Financave pret nga Shoqëritë Kursim Kredi dhe ofrimin e shërbimeve të reja siç mund të jetë pagesat e shërbimeve të dritave, ujit, taksave apo dhe të tjera në mënyrë që shlyerja e detyrimeve të kryhet gjithmonë e më afër vendbanimit të fermerit dhe me një kosto gjithmonë e më të ulët. Guxoj tw them se ju shikoj si mundësi bashkëpunimi për krijimin e bankës bujqësore, pasi janë faktor i rëndësishëm për këtë treg.

Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Financave do të jetë gjithmonë në krah të sipërmarrësve rurale dhe fermerëve, dhe Shoqërive Kursim Kredi në të cilat ato janë anëtare.

Në këtë drejtim, rishikimi i Ligjit të sigurimit të depozitave duke përfshirë edhe Shoqëritë Kursim Kredi në skemën e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, është një dëshmi e qartë e mbështetjes që Qeveria po i jep 45.000 anëtarëve të Shoqërive Kursim Kredi të shpërndarë anembanë vendit.

Ne mbështesim filozofinë e Unionit Shqiptar Kursim Kredi, metodën e punës dhe parimet themelore të konsoliduara ndër vite siç janë besimi, vullnetarizmi, transparenca dhe solidariteti.Këtu vlen të theksohet dhe krijimi nga shoqëritë e Kursim Kredisë nga një staf i specializuar ekspertësh të financimit rural, dhe të infrastrukturës  e cila mundëson bashkërendimin efikas të një rrjeti të gjërë në terren, Janë 22 vite përpjekje dhe sakrifica për të ndërtuar këtë histori suksesi.

Ministria e Financave ju inkurajon të vazhdoni në këtë rrugëtim në mbështetje të njëri-tjetrit dhe të ekonomisë rurale. Duke financuar nismat e çdo individi, çdo familjeje, atje ku është, në cepin më të largët të vendit, ju kontribuoni në mënyrë direkte në zhvillimin e vendit tonë. Dhe në këtë sens, ju gëzoni të gjithë mbështetjen më të plotë të Qeverisë Shqiptare.

Të rejat e fundit