
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj mori pjesë në takimin virtual të ministrave të Ballkanit Perëndimor, OECD-së dhe Komisionit Europian, për lançiminin e raportit “Qeveria me një shikim: Ballkani Perëndimor”. Ky raport përmban të dhënat për ecurinë e financave publike dhe reformës së administratës publike.
Kriza aktuale globale e shkaktuar nga COVID-19 nënvizoi nevojën për qeverisje të mirë, pasi ndikimi i saj ekonomik do të varet shumë nga cilësia e vendimmarrjes së qeverive.
Sipas raportit, financat e qëndrueshme publike të rajonit kanë qenë një avantazh edhe në kuadër të krijimit të hapësirave fiskale gjatë kohës së pandemisë.
Në fjalën e saj, Ministrja Denaj theksoi, se Shqipëria parashikon rritje të shpenzimeve kapitale me 7.7%, në funksion të rimëkëmbjes nga COVID 19 dhe rindërtimit të vendit nga tërmeti. Konsolidimi fiskal i ekonomisë shqiptare do të vijojë në të ardhmen e afërt, në funksion edhe të përmbushjes së nevojave të qytetarëve, tha Denaj.
Stabiliteti i financave publike në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor është një faktor kryesor për krijimin e hapësirave të nevojshme për manovrim përballë krizës COVID 19.
Vlerësimet pozitive për qasjen dixhitale të rajonit janë reflektuar maksimalisht në raport.
Shqipëria renditet e para në rajon për dixhitalizimin e qeverisjes, duke përfshirë platformat dixhitale të administratës ashtu edhe shërbimet online. Shqipëri ka nivelin më të lartë në rajon në shërbimin e ofruar me në qendër përdoruesin (74%), për shkak të rezultateve të larta në mundësinë për të përdorur shërbimet qeveritare online dhe për modalitetet e përdorimit (mobile friendly services). Këto dy vlerësime janë më të larta se mesatarja e e vendeve të OECD-së dhe BE-së.
Shqipëria deri në fund të 2020-ës do të ofrojë përmes portalit e-Albania 91% të shërbimeve qeveritare për qytetarët dhe bizneset.
Shqipëria vlerësohet e para në rajon për transparencën në qeverisje (45% – indikator që përfshin shërbimet onlinë, transparencën e entiteteve publike dhe transparencën e të dhënave personale).
Shqipëria renditet e para në përfaqësimin e gruas në pozicione drejtuese në Qeveri, me 53% të Ministrave, gra, nga 6.7% në vitin 2012. Në vitin 2020, në rajon përfaqësimi i grave në parlament ishte 31.6%, në përputhje me mesataren e OECD (31.1%) dhe OECD-BE (32%). Gratë mbanin mesatarisht 27.7% të posteve ministrore në vitin 2020, krahasuar me mesataren e OECD prej 32.2% dhe mesataren e OECD-BE prej 33.2%.
Shqipëria vlerësohet pozitivisht në raport me transparencën e buxhetit dhe botimet në formatet open data. Shqipëria është i vetmi vend në rajon, që përgatit buxhetin në bazë cash-i dhe të drejtash dhe detyrimesh të konstatuara.
Zhvillimi ekonomik dhe politik i Ballkanit Perëndimor(me një popullësi prej 18 milion njerëz) ka pasoja të rëndësishme për Bashkimin Europian dhe vendet e tjera fqinje.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.