

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, mori pjesë në 20 Vjetorin e Asamblesë së Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, ku krahas sipërmarrësve, anëtarë të kësaj organizate biznesi ishte e pranishme edhe Ambasadorja e SHBA, në Tiranë, Yuri Kim.
Gjatë këtij takimi, Ministrja Denaj solli në vëmendje të përfaqësuesve të biznesit amerikan, nismat e Qeverisë shqiptare për të krijuar një klimë sa më të favorshme për çdo sipërmarrës, që zhvillon aktivitetin e tij ekonomik në vendin tonë ose ata që duan të vijnë.
“Klima e biznesit në Shqipëri është dhe duhet të jetë në fokus të gjithë institucioneve. Duke qenë këtu si përfaqësuese e Qeverisë, dua të theksoj angazhimin që përpjekja dhe puna për të përmirësuar klimën e biznesit nuk do të mungojë.”, u shpreh Ministrja.
Denaj theksoi, se reformat e Derregulimit dhe e Digjitalizimit kanë shkurtuar burokracitë, letrat e panevojshme, kostot për biznesin dhe mbi të gjitha kanë ulur prirjen drejt korrupsionit.
Ministrja nuk la pa përmendur edhe dialogun e pandërprerë me Dhomën Amerikane, si një partner në shumë nisma, ndërkohë që theksoi, se potenciali bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk është shfrytëzuar plotësisht për disa arsye.
“Ne nuk do të reshtim së promovuari potencialet e vendit dhe bërjen e tij sa më tërheqëse për investitorët e huaj”, tha Ministrja.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë vlerësoi si një ngjarje historike firmosjen dy javë më parë të Memorandumit të Bashkëpunimit Ekonomik Shqipëri-SHBA.
“E para në vitet ’30, e dyta në vitin 1992 dhe e treta dy javë më parë”, u shpreh Ministrja Denaj. Ajo theksoi angazhimin e Qeverisë për të realizuar këtë projekt në një punë me hapa konkretë, për ta çuar përpara këtë memorandum kaq të rëndësishëm.
Ministrja ftoi sipërmarrësit e Dhomës Amerikane të rrisin prezencën e tyre në vendin tonë, duke i orientuar ata edhe në fushat prioritare si energjia, turizmi, përpunimi, teknologjia e informacionit, etj., si sektorë shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit tonë.
“Javës e ardhshme ne lancojmë një ligj të ri për start-up-et dhe inovacionin. Kemi punuar së bashku me ekspertë të GIZ-it për të sjellë një kuadër ligjor të ri për të gjithë iniciatorët e një biznesi, sidomos në një vit kaq të vështirë ku bizneset po mendojnë ridimensionimin e mënyrës së të bërit biznes, në kushtet e pandemisë.”, tha Denaj.
Ministrja ftoi bizneset, anëtare të Dhomës Amerikane, të jenë më shumë pjesëmarrës edhe në bordet e shkollave profesionale, si një shtysë për t’i orientuar ato drejt tregut të punës dhe nevojave konkrete të sipërmarrësve për punonjës.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.