








Qeveria shqiptare po ndërmerr politika lehtësuese si fiskale dhe procedurale për t’i ardhur në ndihmë sipërmarrjes vendase.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, deklaroi, gjatë një forumi biznesi të organizuar, nga MFE dhe AIDA, se fokusi i Qeverisë do të jetë te ndërmarrjet e mesme dhe të vogla (SME), me qëllim hartimin e politikave për të rritur konkurrueshmërinë, shkallën, cilësinë dhe aksesin në financë.
“Fokusi është tek SME-ja shqiptare,si do të mundemi që të orientojmë politikat ekonomike për SME-në, për të rritur konkurrueshmërinë, shkallën, cilësinë dhe aksesin në financë. Në qasjen që politikat ekonomike duhet të kenë vitet e ardhshme, nuk mund të zhvillohen pa debatet mes aktorëve kryesorë. Ky forum i parë, së bashku me tre forumet e tjera që pritet të mbahen do të duhet që të japin përfaqësuesve të qeverisë ato “detyra shtëpie” për të përcaktuar më pas se cila politikë ekonomike është më e përshtatshme për biznesin SME shqiptar për të rritur konkurrueshmërinë në vitet e ardhshme”, deklaroi Denaj në këtë takim për promovimin e produkteve shqiptare.
Sipas Ministres, ky nuk është një proces që ndodh, është një udhëtim që duhet të ndodhi së bashku, duke ndërtuar dhe duke zgjidhur ngërçet me të cilat përballemi.
“4 janë modulet, të katërta fillojnë vetëm me një fjalë: Akses. Sot është aksesi në tregun lokal dhe objektivi sot është të diskutojmë çfarë e bën produktin shqiptar të mos gjendet në të gjithë formatin e tij në tregun lokal, pse nuk i gjejmë dot në supermarketet tona të gjitha produktet shqiptare? Pse nganjëherë na vështirësohet zgjedhja shqip nëse do të donim të blinim shqip?”, u shpreh Denaj.
Për të zgjidhur këtë çështje, tha ministrja do të shërbejë edhe ky takim i sotëm, ku të pranishëm janë jo vetëm prodhuesit, por edhe përfaqësues të rrjeteve të supermarketeve. Së dyti, vijoi Denaj, aksesi në financë dhe në fonde të cilat në udhëtimin drejt integrimit europian nuk kanë munguar dhe nuk do të na mungojnë.
Ministrja vlerësoi se një temë e veçantë do të jetë aksesi në grante dhe në financë për të rritur më pas konkurrueshmërinë.
Edhe aksesi në përmirësime teknologjike do të jetë në fokus, vuri në dukje Denaj, për të parë se kush janë ato produkte inovatore të cilat do të rrisin konkurreshmërinë në të gjithë sektorët e zinxhirit të prodhimit apo të tregtimit, duke vazhduar më tej me e-commerce dhe të gjithë politikat që mund t’a nxisin atë.
Në këtë Forum Diskutimi ishin të pranishëm dhe Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, Drejtor I AIDA, Sokol Nano dhe Drejtore e AZHBR, Frida Krifca.
Gajastë këtij forumi sipërmarrës të ndryshëm sollën eksperiencat e tyre, por edhe propozime konkrete për Qeverinë se ku duhet të fokusohet aksesi për to në tregun e brendshëm, tregjet rajonale e më gjerë.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.