Postuar më: 22/02/2020

Denaj: Reforma në Drejtësisë pritet të sjellë rezultate të prekshme në luftën kundër pastrimit të parave

Është shumë e rëndësishme që procesi i parandalimit të pastrimit të parave, jo vetëm të inspektohet dhe konfiskohet, por edhe të dënohet. Kështu u shpreh gjatë një komunikimi me mediat, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, kjo në kuadër të transparencës me qytetarët dhe në vijim të Seancës Plenare të Grupit të Posaçëm të Veprimit Financiar (FATF), ku Shqipëria mori vlerësimet e rradhës në angazhimin e vazhdueshëm kundër parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Në fund të 2019, Progresi i Shqipërisë gjatë periudhës së monitorimit mori vlerësime pozitive në aspektin e kornizës ligjore, por edhe rekomandime për zbatueshmërinë dhe efektivitetin e masave.

Sipas Denaj janë kryer 2063 inspektime në pikat kufitare nga të cilat 74 raste ndodhen nën hetim në Gjykatë për pastrim parash.

Gjithashtu, gjatë këtij komunikimi me median, Ministrja Denaj bëri një bilanc të të ardhurave për vitin 2019, i cili kap shifrën e 460 miliardë lekë, duke shënuar kështu një rritje me 2.3% në raport me një vit më parë.

Një ndër arritjet që vlerësoi Ministrja ishte rimbursimi i TVSH për 2019, që kapi një vlerë prej 23.5 miliardë lekë, duke shënuar kështu një rritje me 9.1 miliardë lekë krahasuar me vitin 2018. Ndërkohë që theksoi se masat e marra, jo vetëm fiskale, por edhe administrative, do të ndikojnë në rritjen ekonomike të vendit.

Më poshtë gjeni deklaratën e plotë të Ministres Anila Denaj:

Në kuadër të transparencës dhe komunikimit të vazhdueshëm me qytetarët dhe median, në vijim të Seancës Plenare të Grupit të Posaçëm të Veprimit Financiar (FATF), Shqipëria ka marrë vlerësimet e rradhës në angazhimin e vazhdueshëm kundër parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Shqipëria është vlerësuar nga Komiteti MONEYVAL i Këshillit të Evropës dhe strukturat e Monitorimit, në lidhje me përputhshmërinë me Standardet e FATF,

  • 40 rekomandimet teknike, për kornizën ligjore dhe
  • 11 rezultatet immediate, për efektivitetin e sistemit.

Nga ky vlerësim vendi ynë mori një rezultat të mirë për pjesën teknike, mirëpo jo në nivelin e duhur për pjesën e efektivitetit të sistemit, duke kaluar kështu në periudhë monitorimi paraprak 1 vjeçar.

Në fund të 2019, progresi i Shqipërisë gjatë periudhës së monitorimit, ashtu si u bë publike më herët nga Moneyval, mori vlerësime pozitive në aspektin e kornizës ligjore:

  • Ndryshimet ligjore që Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë lidhen me 5 ligje të rëndësishme, të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë përgjatë vitit 2019, si dhe nga disa ndryshime të rregulloreve dhe procedurave të institucioneve mbikëqyrëse.

Këto ndryshime ligjore kanë adresuar mangësitë teknike dhe përmirësuar legjislacionin në luftën kundër parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

  • Në raportin e fundit të publikuar nga organi monitorues i Këshillit të Evropës, MONEYVAL, Shqipëria ka shënuar progres duke u rritur në vlerësim për 6 rekomandime në krahasim me vlerësimin e vitit 2018.

Në aspektin e efektivitetit, për të cilin Shqipëria ka raportuar tek strukturat e FATF, mund të përmendim disa rezultate të rëndësishme:

  • Janë kryer 471 inspektime nga strukturat mbikëqyrëse;
  • Deklarimet e gjendjes monetare “cash” në kufi, janë rritur me 17% në vitin 2019;
  • Janë kryer 2,063 kontrolle në kufi me 4.7 milionë euro të sekuestruara;
  • Rreth 60.5 milionë euro asete të sekuestruara nga hetimet për Pastrim të Parave dhe 74 milionë euro asete të sekuestruara nga hetimet e grupeve kriminale, përmes ligjit “Antimafia”;
  • 327 Letër Porosi janë dërguar lidhur me Pastrimin e Parave gjatë 2018-2019;
  • 74 raste janë dërguar në gjykatë për hetim kundër Pastrimit të Parave, më shumë se të gjithë çështjet në 10 vitet e fundit.

Nga shqyrtimi i detajuar i rekomandimeve më të fundit të FATF-së për përmirësim të mëtejshëm gjatë 2020-2021, është e qartë se mangësitë më thelbësore të konstatuara ju përkasin organeve jashtë Ekzekutivit. Në fokus të efektivitetit janë 2 fusha (rezultate imediate) që lidhen kryesisht me efikasitetin e sistemit të drejtësisë (Prokurori dhe Gjykata).

Në veçanti vëmendje e shtuar kërkohet:

  • në lidhje me domosdoshmërinë e rritjes së dënimeve për pastrim të parave nga sistemi gjyqësor, sidomos të rasteve të denoncuara dhe raportuara nga institucionet, për transaksione me klasifikim të nivelit të lartë risku dhe të kryer nga profesionistë apo persona të tretë të lidhur me organizata kriminale;
  • si edhe rritja në mënyrë domethënëse e konfiskimeve përfundimtare të pasurive të krimit.

Reforma unike e Drejtësisë që po kryen Shqipëria do të sjellë rezultatet e saj të prekshme edhe në luftën kundër përpjekjeve për pastrim parash të të gjitha llojeve, si edhe rritjen e konfiskimeve të pronave që rrjedhin nga të ardhurat kriminale.

Qeveria Shqiptare është mbështetësja kryesore për Reformën në Drejtësi, si me dhe legjislacionin e posaçëm për goditjen e pasurive të krimit. Operacioni Forca e Ligjit është shëmbull i angazhimit të Qeverisë dhe punës që tashmë ka filluar.

Duhet të nënvizojmë se është garantuar bashkëpunim i vazhdueshëm dhe thelbësor me çdo vend për shkëmbimin e ndërsjelltë të informacionit dhe mbi transaksionet e dyshimta. Rezultati imediat që lidhet me përdorimin e analizës financiare për fillimin e hetimeve pasurore është vlerësuar me rezultat pozitiv efektshmërie.

Gjithashtu sistemi financiar, si një instrument parandalues, është vlerësuar me rezultat pozitiv përputhshmërie, tregues ky që subjektet tona kryesore financiare kanë realizuar me sukses politikat raportuese në bazë të investimit ndër vite në rritjen e funksionit të përputhshmërisë me legjislacionin në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Paralelisht, në vend ka filluar puna për ngritjen e 2 regjistrave të ri themelor: një për pronarët përfitues të personave juridik si dhe tjetri për regjistrin kombëtar të llogarive – regjistra që do t’i shërbejnë jo vetëm agjencive të zbatimit të ligjit dhe atyre të inteligjencës, por edhe organeve tona tatimore dhe doganore.

Në bashkëpunim të ngushtë me grupet teknike të FATF-së është hartuar një plan veprimi i qartë që duhet të përmbushet sa më shpejtë të jetë e mundur në mënyrë që vendi të dalë nga lista e vendeve në monitorim.

Kujtojmë se të njëjtin proces kanë kaluar edhe vende të tjera të rajonit si Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe po e kalojmë së bashku me ne vende si Islanda.

Në fjalën time në zhvillimet e Seancës Plenare të FATF theksova angazhimin e vazhduar që Qeveria ka treguar në përpjekjet për të luftuar kundër pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit.

Shpreha vullnetin tim të plotë se ky angazhim do të jetë edhe më i lartë gjatë vitit 2020, për të siguruar plotësimin në kohë të hapave të përcaktuar në Planin e Veprimit.

Sot, Qeveria Shqiptare po zbaton Reformën për Fiskalizimin, e cila ka filluar me miratimin e ligjit të ri, që synon uljen e ekonomisë informale në periudhë afatmesme. Revolucioni Digjital dhe investimet në digjitalizimin e administratës shtetërore do të jenë gjithashtu në mbështetje të kërkesve për monitorim të shtuar.

Ndërkohë, institucionet e varësisë së MFE, si Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kanë kryer analizat e risqeve për OJF-të dhe do të kryejnë analiza të thelluara edhe për sektorë të caktuar të tregut me risk të lartë.

Qeveria do të mbështesë nevojat financiare për këto veprime.

E rëndësishme është edhe mbështetja dhe asistenca teknike e cila është siguruar për këtë proces. Me këtë mbështetje dhe bashkëpunim me miqtë tanë ndërkombëtarë, Shqipëria do të punojë për të zbatuar planin e saj të veprimit, i cili përfshin këto pika:

  1. kryerjen e një analize shtesë të thelluar për rreziqet nga pastrimi i parave dhe për të mundësuar forcimin e koordinimit dhe bashkëpunimit institucional;
  2. përmirësimin e trajtimit në kohë të kërkesave për ndihmë juridike të ndërsjelltë;
  3. krijimin e mekanizmave efektive për zbulimin dhe parandalimin e aktivitetit kriminal në ekonomi, përfshirë zgjerimin dhe forcimin e kompetencave të autoriteteve për të ndërmarrë veprimet e nevojshme;
  4. vendosjen në dispozicion të informacioneve të sakta dhe të përditësuara të pronarëve fundorë në mënyrë periodike;
  5. rritja e numrit dhe përmirësimi i ndjekjeve penale dhe konfiskimeve nga pastrimi i parave, veçanërisht në rastet që përfshijnë shkelje të njohura nga vendet e tjera ose pastrim të parave nga palë të treta;
  6. përmirësimi i zbatimit të sanksioneve financiare, veçanërisht përmes mbikëqyrjes së shtuar.

Realizimi i masave të parashikuara në këtë plan veprimi do të jetë prioritet ndërinstitucional për të cilin llogaridhënia në të gjitha nivelet do të kërkohet dhe garantohet.

Grupet e punës, si ai në nivel teknik, ashtu edhe në nivel titullarësh, janë ngritur posaçërisht për të siguruar ndjekje rigoroze dhe raportim periodik dhe të detajuar.

Komunikimi ynë në lidhje me këtë proces do të jetë i vazhdueshëm.

 

Të ardhurat

Të ardhurat e buxhetit të shtetit në vitin 2019 u mblodhën në masën 460 miliardë lekë, me një rritje prej 2.3% ose 10.4 miliardë lekë më shumë se vitit 2018.

Për vitin 2019, të ardhurat totale në përqindje të PPB kanë qënë në masën 27.4%. Nevoja është për të shkuar dhe përtej nivelit 30% dhe ne jemi duke punuar edhe me FMN, me një grup të posaçëm që do të analizojë rekomandimet e ardhura për sa i përket strategjisë afatmesme të të ardhurave dhe me objektivin që në 5 vitet e ardhshme kjo përqindje të rritet me të paktën 4%.

Të ardhurat mesatare totale të Buxhetit të Shtetit, në % të PPB, për periudhën 2014-2019, janë 27.18% nga 25.3% që ishin në periudhën 2009-2013. Të ardhurat e buxhetit ne raport me buxhetin fillestar janë realizuar në masën mesatare 94.6% në 2019.

Performancë të mirë ka pasur buxheti faktik ndaj atij fillestar në vitin 2014 me 100.6 %, duke u nisur nga një bazë e ulët realizimi në 92.9% në 2012 dhe krahasuar me 2009 në 89.3%.

Sikurse kemi dialoguar gjatë vitit 2019, realizimi i të ardhurave tatimore u ndikuan nga disa faktorëve të jashtëm, të tillë si ulja e kursit të këmbimit të euros, luhatjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare apo dhe faktorë të tillë si energjia, ulja e ritmit të investimeve TAP, etj..

Mirëpo pavarësisht këtyre faktorëve që sollën efekte negative në të ardhura, strategjia jonë për vitin 2019 ishte të bëhej zero stoku i rimbursimit të TVSH-së.

Gjatë vitit 2019 u dhanë rimbursim TVSH-je rreth 23.5 miliardë lekë, 63% ose 9.1 miliardë lek më shumë se në vitin 2018, dhe 4.5 miliardë lekë më shumë se parashikimi fillestar.

Shuma e rimbursuar e TVSH për 2009-2013 është 30.4 miliardë lekë, ndërsa për periudhën 2014-2019 kjo shumë është 54.5 miliardë lekë. Në vitin 2019 janë dhënë 63% ose 9.1 millardë lekë më shumë se në vitin 2018.

Rimbursimi TVSH

Viti 2019 shënoi nivelin më të lartë historik i rimbursimit të TVSH-së në 10 vitet e fundit. Në fund të vitit 2019, për rreth 1360 biznese të tillë si: eksportues, fason, grumbullues, transport ndërkombëtar, etj. Stoku i rimbursimeve të padhëna është zeruar për herë të parë, për këtë kategori biznesesh.

Tashmë, stoku i TVSH së parimbursuar i përket vetëm 4 tatimpaguesve të mëdhenj. Synimi ynë është që edhe ky stok të bëhet zero në mesin e vitit 2021, ndërsa për të gjithë bizneset e tjera nuk do të ketë asnjë ditë vonesë në rimbursimin e TVSH-së.

Si rezultat i kësaj politike është arritur që tashmë të rimbursohet në afatin e parashikuar ligjor ccdo kërkesë e subjekteve eksportues, fason apo investitorë të tjerë. Kjo do të përkthehet në më shumë likuiditet në dorë të bizneset për më shumë investime.

 

Investimet

Investime publike arritën në 4.5% të PBB. Realizimi i investimeve publike në total, për periudhën janar-dhjetor 2019, ka qenë rreth 73.8 miliardë lekë ose 86.5% e planit vjetor, nga të cilat 50.4 miliardë lekë (pa përfshirë kapitullin buxhetor 06) ose 92.7%, ka qenë realizimi për financimin e brendshëm dhe 23.4 miliardë lekë (75.7%) realizimi për financimin e huaj.