Postuar më: 24/10/2019

Denaj: Të angazhuar në vijimin e reformave për konsolidimin e ekonomisë Shqiptare dhe përmirësimin e klimës së biznesit

Së bashku me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë realizuam javën e shkuar vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku zhvilluam një sërë takimesh me drejtues të nivelit të lartë të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar

Në takimet me Z. Tao Zhang, Zv/Drejtor Ekzekutiv i FMN dhe Z. Poul Thomsen, drejtorin e FMN për Evropën, u shprehën vlerësimet e mira për të gjithë ecurinë e Shqipërisë gjatë këtyre viteve, si në planin makro, stabilitetin makroekonomik, konsolidimin fiskal, rritjen ekonomike, reduktimin e Kredive të Këqija, etj., po ashtu edhe sa i takon reformave strukturore të ndërmarra në sektorë kyç.

Me ta diskutuam edhe raportin e Perspektivës Ekonomike Globale të FMN ku rritja globale parashikohet me një trend të reduktuar nga parashikimi, efektet në kuadrin lokal por jo vetëm.

Perspektiva e zhvillimit ekonomik të vendeve të Evropës pritet të ketë një ngadalësim të mundshëm nga 2.3% në 2018 në 1.4% e parashikuar në fillim të vitit. Sigurisht kjo evidenton një presion në rritje edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Banka Botërore me projektet e saj konfirmoi edhe njëherë mbështetjen për Shqipërinë për progamet që ka në zbatim drejt konsolidimit fiskal, por u diskutua edhe mbështetja për Shqipërinë në kuadër të rritjes së formalizimit, ndërgjegjësimit të biznesit në aspekt të uljes së informalitetit dhe evazionit fiskal.

Më tej u zhvilluan takime me përfaqësues të Departamentit të Shtetit Amerikan, zyrës së USAID në Washington dhe drejtues të OECD-së për asistencë për zbatimin e masave të BEPS dhe në shmangien e taksimit të dyfishtë.

Përpjekjet për të reduktuar ndjeshëm informalitetin në mënyrë të strukturuar ishte në fokus edhe të kërkesave dhe mbështetjes në programet e ardhshme, në veçanti për të forcuar qevererisjen e mirë të kompanive në Shqipëri dhe përpjekjen për të konsoliduar zhvillime në aspekt të formalizimit të plotë, pasqyra financiare të shëndetshme dhe një rrugëtim më i sigurt drejt zhvillimit të tregjeve të kapitaleve në një kohë sa më të shkurtër.

DOING BUSINESS REPORT

Raporti i Bankës Botërore për “Doing Business” publikuar ditën e sotme vlerëson Shqipërinë në disa aspekte. Së pari, në lehtësinë e të bërit biznes duke rritur në terma absolut pikësimin nga 67 në 67,7 që tregon ngushtim të hendekut me praktikat më të mira globale. Kjo do të thotë se, vitin e fundit, Shqipëria ka përmirësuar rregullat mbi biznesin në terma absolute dhe po ngushton distancën kundrejt praktikave rregullatore globale.

Studimi “Të Bërit Biznes 2020” konstaton se Shqipëria ka bërë një reformë në përmirësimin e treguesit të furnizimit me energji elektrike. Më konkretisht, Shqipëria ka rritur qëndrueshmërinë e furnizimit të energjisë përmes zbatimit të sistemit automatik.

Përtej përmirësimeve në dy komponentët më sipër dhe në bazë të ndryshimeve në metodologjinë e raportit të “Doing Business”, efekti në renditjen e përgjithshme për ekonomi të vogla si Shqipëria ka qenë më i madh.

Ndryshimet e metodologjisë të lehta që kanë ndikuar veçanërisht në renditjen e indikatorit Mbrojtja e Aksionerëve Minoritare e kanë pozicionuar Shqipërinë në vendin e 111 në renditje, pavarësisht mungesës së ndonjë regresi. Konkretisht, ky indikator ndikohet nga fakti që Shqipëria nuk ka mbi 10 kompani të listuara në tregun e letrave me vlerë dhe merr 0 pikë, pavarësisht se ka një bursë operacionale në treg.

Indikator në rënie me impakt negativ është marrja e lejes së ndërtimit, ku metodologjia e ndryshuar nuk konsideron si prioritare faktin që Shqipëria zbaton një proces online të marrjes së lejes së ndërtimit dhe shkurtim efektiv të kohës në marrjen e lejes.

Por pesha më e madhe në këtë indikator i është dhënë rritjes së kostos si pasojë e rritjes së taksës në infrastrukturë për pushtetin vendor. Ky ndryshim ndikon.

Ky raport merr në analizë indikatorët gjatë vitit të kaluar dhe më lejoni të them që rezultati nuk ka qënë i papritur për ne. Ne jemi të angazhuar në një sërë reformash që janë aktualisht në proces dhe të cilat synojnë efektivitet të shërbimeve publike, rritje të transparencës dhe ulje të kostos.

Objektivi ynë është përmbyllja e të gjitha këtyre reformave dhe fokusi ynë është adresimi në kohë i të gjithë komponentëve dhe indikatorëve për vitin korrent dhe kemi bindjen që raporti i ardhshëm do të reflektojë ndryshimet e qënësishme që po bëhen.