Postuar më: 17/03/2014

Dogana Shqiptare dhe “Crown Agents” nisin punën në terren

Sot jemi në një tjetër ditë të shënuar të bashkëpunimit me “Crown Agents”: fillimi i punës në terren.

Për rreth një muaj vizitova dhe preka nga afër pikat doganore, tatimore dhe degët e thesarit në shumicën e qyteteve të vendit. Kudo ku shkela, pashë dhe bisedova me punonjësit tanë për një angazhim të përhershëm në luftën ndaj evazionit dhe për etikë në trajtimin e biznesit. Sot, në këtë ceremoni, ne po mbështesim një asistencë të specializuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, në përputhje me objektivat e Ministrisë së Financave.

Pas përgatitjeve logjistike, përzgjedhjes së stafit dhe trajnimit të tij, “Crown Agents” fillon punën në terren. Një lajm i mirë për ekonominë, me pritshmëri pozitive për të kontribuar në të ardhurat e buxhetit dhe për të luftuar evazionin.

Nëpërmjet veprimeve të efektshme në terren ne synojmë të ulim evazionin, të shtojmë sigurinë për biznesin dhe të eliminojmë konkurrencën e pandershme.

E kemi marre si angazhim që në fillim të qeverisjes ‎dhe tani po e konkretizojmë këtë mënyre inovative të bashkëpunimit dhe punës me një partner/mbështetës të denjë.

Me “Crown Agents” garantojmë se do te kemi një bashkëpunim të ngushtë të doganave me ekspertët e kësaj agjencie shërbimi – dhe pikërisht prej këtij bashkëpunimi presim jo vetëm progres me rezultate të prekshme në të ardhura, por edhe një kulturë, etikë më të mirë pune dhe një përmirësim të imazhit të doganave.

Vetëm në 6-mujorin e parë të këtij viti ne presim të mbledhim rreth 120 milionë dollarë më tepër se e njëjta periudhe e vitit të kaluar.

Synimi ynë është reformimi inovativ i institucioneve fiskale, një klimë më e mirë dhe më e sigurt për biznesin dhe një administratë e ndershme, e përgjegjshme, me synim të qartë për progres të ndjeshëm në të ardhurat e buxhetit.

Për këto reforma inovative jemi besuar edhe nga FMN, BB dhe BE, me mbështetjen që po i japin Shqipërisë. Kredia e butë e miratuar së fundmi nga FMN ishte një mbështetje unike, një kredi që kalon 490% të kuotave tona dhe që tregon besimin e partnereve ndërkombëtarë.

Në këtë kuadër reformimi nis sot bashkëpunimi i ngushtë me “Crown Agents”, për të cilin jam besimplotë se do të jetë i suksesshëm.

Urimi i përbashkët i kësaj dite – suksese në punën tuaj të përbashkët!

 

Fjala e ministrit të Financave, z.Shkëlqim Cani në ceremoninë e fillimit të asistencës me kompaninë angleze

 

Të rejat e fundit