Postuar më: 02/04/2015

Dyqanet pa taksa: Ne kërkojmë liberalizim dhe jo monopol!

Nuk kisha ndërmend të flisja, por meqë filloi një proces i tërë dekriminalizimi i “duty free shops”, mendova që të shpallim “armik” duty free shop, t’u heqim mandatin dhe të mos i lejojmë as në territoret e Europës, …Po e keqja është se u tmerrua publiku me këtë dëgjesë sa, edhe kur të udhëtojë nëpër aeroportet e Vjenës, Milanos, Mynihut, a kudo që shkon,  s’do guxojë të futet në ato dyqane “kriminale”.

Ndaj ta ulim pak tonin dhe të themi se çfarë është në fakt thelbi i këtij propozimi: një autorizim për magazinat doganore private ose  “dyqanet pa taksa” (duty free shops), jo më vetëm një, në një aeroport, por ndoshta disa në atë aeroport, të hapet ndonjë në port dhe në pikat kufitare tokësore. Bëhet fjalë për aeroporte, porte dhe pika kufitare tokësore, që kanë tranzit ndërkombëtar, gjithnjë në dalje, për të marrë me vete një kujtim nga vendi përkatës, ose siç u tha këtu, siç bëhet në të gjithë botën, për të marrë një stekë apo dy paketash cigaresh, pijesh alkoolike, sa lejohet në vendin përkatës, etj.

Propozimi, e vërtetë është që vjen si kërkesë e biznesit. Por, me çfarë dëgjova këtu, i bëj thirrje biznesit që, herë tjetër, të mendohet mirë kur vjen në dyert e Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Financave, që të bëjë ndonjë kërkesë të drejtë për rregullim të situatës, përmirësim apo ndonjë akt ligjor apo nënligjor, sepse do të etiketohet si i kriminalizuar, si pjesë e krimit, etj.

Më duket absurde që opozita, çdo kërkesë të arsyeshme, apo dhe të paarsyshme, por që mbetet në gjykimin e qeverisë dhe të Kuvendit, sipas rastit, për ta gjykuar, për ta proceduar më tej, apo jo, ta kriminalizojë. Të thuash për biznesin pse e kërkoi një gjë, që natyrshëm duhet ta kërkojë!? Përkundrazi! Ne themi që “po”, do ta nxisim biznesin të shtojë kërkesat, presionet ndaj qeverisë, për të përmirësuar sistemin fiskal, për t’u ardhur përshtat, në mënyrë që t’i kenë marrëdhëniet sa më të mira me të gjithë sistemin fiskal. Por (dhe me të gjitha) me ministritë, me qeverinë, parlamentin, në mënyrë që ne, natyrshëm, t’u plotësojmë kërkesat e tyre, që janë të natyrshme.

Pse gjykojmë se ky ndryshim ka ndikim  pozitiv?

Ka ndikim pozitiv në:

  • klimën e të bërit biznes;
  • përmirësimin e një shërbimi ndaj qytetarëve apo turistëve;
  • në imazhin e vendit,

Sepse nuk është gjë tjetër; Atë që ju e kriminalizoni, kushdo – dhe vështirë se ka shqiptar që nuk e ka parë- në aeroporte dhe porte, ka gjetur kudo këto “duty free shops”.

Ne s’bëjmë asgjë më tjetër, veçse kërkojmë liberalizim dhe jo monopol, shtim të konkurrencës dhe jo monopol;

  • Rritim konkurrencën dhe interesin e operatorëve potencial;
  • Nxisim rritjen e standardeve;
  • Nxitim transparencën dhe shtojmë llojshmërinë e mallrave që shiten në këto dyqane.

Për habi ju, partia e djathtë, që pretendoni se jeni liberalë, në mënyrë absurd, kërkoni të mbroni monopolin! Dhe i qëndroni kaq fortë mbrojtjes së monopolit, sa unë habitem.

Le të marrim pak statistika:

Sipas të dhënave të INSTAT,

  • mesatarisht vetëm 14% e shqiptarëve ose e turistëve kalojnë kufirin me rrugë ajrore, pra nëpërmjet aeroporteve;
  • rreth 15% lëviz me rrugë detare, dhe
  • rreth 71% e popullsisë ose turistëve lëviz me rrugë tokësore.

Pra pjesa dërrmuese, rreth 86% të popullsisë apo e turistëve, lëvizin jashtë aeroporteve; këtyre do u bëhet shërbimi “duty free shops”, njëlloj si pjesa tjetër e popullsisë.

 

A ka ndikime negative?

Po ka ndikime negative, por çfarë kërkohet dhe argumentohet nga opozita? Ulet e ngrihet vetëm një element, evazioni fiskal, konkurrenca e pandershme, shërbim klientelist i qeverisë dhe tek-tuk përmendet edhe FMN. T’i marrim me radhë:

Nuk është shpikje shqiptare, pra po flisni sikur e shpikëm ne, po e bëjmë ne, sikur po e bëjmë ne për herë të parë! Jo, kjo është gjerësisht e përhapur në vendet e zhvilluara. Besoj dhe uroj që, me këto që thatë, gjithë eksponentët e opozitës të mos blejnë ndonjëherë në “duty free shop” në të gjithë Evropën. Nuk besoj se do të guxojë më, ndonjë nga grupi i PD që, të blejë tek këto dyqane, me këto që thatë.

  • Lidhur me klientelizmin, konkurrencën e pandershme.

Ju e keni provuar vetë dhe e dini mirë; Aty ku keni mbajtur monopolin dhe keni marrë dhe paranë, i keni monopolistike shumë nga shërbimet dhe veprimet tuaja. Ne po bëjmë të kundërtën; ne po i liberalizojmë, nuk po i monopolizojmë këto shërbime. Përkundrazi, po i liberalizojmë, që do të thotë t’u japësh të drejtën shumë e shumë individëve apo subjekteve për ta fituar këtë të drejtë.

Shumë qartë e kemi thënë në këtë ndryshim, që do të ketë një vendim të Këshillit të Ministrave, i cili do të përcaktojë procedurat, rregullat,mënyrat dhe kriteret, si dhe numrin e këtyre “duty free shops” që do jepen. Pra, ka një VKM, që do të përcaktojë shumë qartë se çfarë do të bëhet. Së dyti, ju përmendni vazhdimisht vitin 2003, por nuk ka të krahasuar 2015 me 2003, ka ndryshime strukturore dhe teknologjike. Ka ndryshime strukturore si në burimet njerëzore, si në organizmat e ndërtuara.

Janë katër organizma, që unë shumë qartë i përmenda në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave. Ajo që vlen më shumë është fakti që po punojmë me bazë risku, ashtu dhe me sistemet e reja Asycuda, etj, dhe ka kohë që këto sisteme janë vendosur në vendin tonë, vetëm po bëhet përmirësimi i mëtejshëm i tyre. Po edhe me partnerët, po bëjmë shkëmbime informacioni. Mbi bazën e kësaj logjike pse trembeni për “duty free shop”?! Unë nuk e di pse nuk u reaguat kur miratuam Kodin Doganor, sepse i gjithë sistemi i Kodit të ri Doganor u ndërtua mbi bazën e riskut. Ne do të ndërtojmë sistemin e “kanalit jeshil”, që e redukton në mënyrë drastike numrin e subjekteve që do të kontrollohen mbi bazë risku.

…E kuptoni që jeni në një paradoks? Po bërtisni shumë për një dyqan të vogël, ndërkohë që ne kemi rënë dakord me kanalin jeshil, që, mbi bazë risku, do vijë duke e ulur numrin e kontrolleve në dogana. Teknologjia është e sigurtë se është e ndërtuar mbi bazë kontrolli 24 në 24 orë, janë të gjitha sistemet që, të lidhura on-line, natyrshëm e bëjnë shumë më të lehtë kontrollin sot, pas 12 vjetëve. Dhe s’mund të qëndrojë sot Shqipëria, po e njëjta 12 vjet, 20 vjet më parë, të ecë me të njëjtën logjikë, me të njëjtin koncept, si në atë kohë. Ndaj unë gjykoj, se më duket sikur ju keni kapur në një fije kashte dhe doni të shpëtoni nga mbytja.

E keni të kot. Nuk ndërtohet strategjia në mënyrën si e ndërtoni ju, në rrugën më të gabuar të mundshme. Ekonomia ecën përpara dhe, ne do t’i përshtatemi. Ndaj do bëjmë atë që është më e kohës dhe si të gjithë vendet e tjera.

Ju faleminderit!

Të rejat e fundit