Para jush sot si qeveri jemi në një pozicion që do të na pëlqente të përsëritej shpesh. Jemi krenarë, jemi optimistë, jemi të shpërblyer, ashtu siç jeni të gjithë ju deputetët e pranishëm në këtë seancë.
Jemi krenar që t’ju rikonfirmojmë juve dhe çdo qytetari se programi i Rilindjes së Qeverisë po jep rezultatet e veta. Që në vitin e parë po realizojmë së paku dy suksese që kanë vite që janë harruar në këtë sallë dhe janë pluhurosur në kujtesën e qytetarëve:
• së pari, ky rishikim buxheti është nga të parët pas shumë vitesh që kërkon të rriten të ardhurat, që rialokon rritje shpenzimesh dhe investimesh,ky buxhet kërkon ulje të deficitit buxhetor dhe të borxhit publik.
• Së dyti, vijmë këtu jo më për t’u dhënë biznesit, ndërtuesve dhe kontraktuesve të qeverisë lajmin e keq të radhës, siç bënin paraardhësit tanë në çdo rishikim të buxhetit, që pak a shumë kuptonin se paratë për punët dhe shërbimet që keni bërë për qeverinë nuk dimë se kur do t’ju paguhen, në të kundërt vijmë në parlament për të rishpërndarë të ardhurat e realizuara mbi parashikimin e buxhetit e vitit 2014. Janë 3.2 miliardë lekë (ose 32 milionë USD) më shumë të ardhura se programimi fillestar, ndërkohë që dua të theksoj se vetëm si tetë-mujor të ardhurat e buxhetit 2014, janë jo pak, por 260 milionë USD më shumë se të ardhurat e realizuara në tetë-mujorin e vitit të kaluar; Pra diferencë shumë e ndjeshme.
Jemi optimistë, sepse situata e përgjithshme po ndryshon. Po shohim një Shqipëri më ndryshe. Një ekonomi shqiptare që ka filluar të japë shenjat e gjallërimit.
• Rritja ekomomike ka filluar reagimin pozitiv dhe përshpejtimin nga tremujori në tremujor. Tashmë jemi konfident se parashikimi ynë i fillimvitit ishte i saktë (kuptohet ne nuk mund të krahasohemi me fantazitë e qeverisë së kaluar se ishim vendi i dytë pas Gjermanisë apo haheshim me Kinën për rritjen ekonomike,etj, por ne jemi modestë dhe themi se ne realizuar atë objektiv të rritjes ekonomike dhe të rigjallërimit të ekonomisë ashtu siç premtuam).
Biznesi ka rritur pritshmëritë pozitive për të ardhmen e ekonomisë.
• Papunësia është në ulje, tremujori i dytë i këtij viti tregoi shifra domethënëse, të ndjeshme në punësim.
Jemi të shpërblyer, jo në para, por në rezultate. Gjithçka që parashikuam dhe projektuam së bashku në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, po na jep rezultat.
Politika jonë vizionare:
• e çlirimit të biznesit nga kthetrat e pushtetit, ku deri tani kemi shlyer 250 milionë dollarë nga buxheti i këtij viti,
• kemi transferuar barrën e taksave nga të varfërit dhe shtresat e mesme tek të pasurit,
• kemi realizuar disiplinën fiskale që premtuam dhe kemi realizuar vetëm nga organet e tatim-taksave 19.6 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar,
• kemi realizuar disiplinën buxhetore duke mos krijuar borxhe të reja dhe duke ulur deficitin dhe borxhin publik, histori krejt e kundërt nga e vitit të kaluar;
të gjitha këto janë shpërblim i punës së bërë nga qeveria dhe parlamenti shqiptar.
Dhe ja ku jemi sot!
Si rrallë herë në këto vite, në këtë sallë nuk jemi në garë as për të mashtruar, as nuk jemi të ç’orientuar për shkak të dështimeve. Nuk fluturojmë as për vende të dyta, por me thjeshtësi, me përulësi ndaj atyre që na besuan, e realizuam detyrën që morrëm përsipër. Po rishikojmë buxhetin në rritje të të ardhurave për 3.2 miliardë lekë më shumë nga ajo që u zotuam, para të cilat që shkojnë në dobi të ekonomisë dhe qytetarëve shqiptarë.
E mirëkuptoj çdo skeptik që mund të mos e konsiderojë si ngjarje. Më shumë e marr si kërkesë se e mira s’ka fund. Po, ky është motivi i qeverisë sonë. E mira s’ka fund! Të tjera të mira duhet t’i bëjmë ekonomisë shqiptare. Këto që përmenda, nuk i përmenda në kontekstin se kemi arritur majat, përkundrazi, vetëm për t’u treguar mosbesuesve se rruga dhe modeli që kemi zgjedhur është i duhuri dhe që pa diskutim siguron rritje të ekonomisë dhe nxjerrje të ekonomisë nga kolapsi ku ishte futur.
Sot po flas me këtë ngjyrim optimist jo për propagandë, as për demagogji, se nuk na shkojnë për shtat si qeveri, por dëshiroj të përcjell tek çdo qytetar, tek çdo individ, mesazhin e fortë se ekonomia po lëviz në drejtimin e duhur.
Ne, qytetarëve u themi me bindje se:
Deri në fund të vitit do të udhëtojnë në rrugë më të sigurta, janë dhënë 6 milionë USD për përmirësimin e infrastrukturës rrugore;
Ne u themi qytetarëve se në spitale do të gjeni kushte më të mira, shërbim urgjence të përmirësuar, shtohet buxheti i investimeve të shëndetësisë me rreth 2 milionë USD, ndërkohë që ndryshimet në total kapin vlerën 11.5 milionë USD;
Në shkolla nuk do të ndjehet diferenca në shtresat e të ardhurave për të siguruar libra, është dhënë financim i mjaftueshëm për projektin e tabletave.
Një polici e pajisur më mirë është një garanci më shumë për rend dhe siguri, më shumë automjete dhe pajisje mbështetëse për forcat e rendit (3.6 milionë USD investime, 2 milionë USD shtesë neto në buxhetin e rishikuar);
U themi besimtarëve të ndryshëm, sipas besimit, se do t’u sigurohen shtëpitë e tyre të përbashkëta, 1.7 milionë USD për Xhaminë dhe Kryegjyshatën.
Që njerëzit në nevojë, ata që jo për faj të tyre, janë të paaftë për punë, u garantojmë pagesën mujore, atë pagesë të mbajtur prej vitesh dhe nuk do të bëjmë politikë me të ardhurat e tyre. Shtresës në nevojë ky buxhet i gjen zgjidhje për 4.3 miliardë lekë, ndryshe nga sa thonë kukuvajkat që nuk dinë ta lexojnë buxhetin dhe thonë se janë dhënë vetëm 2 miliardë lekë.
Po kështu i themi pushtetit vendor se do të jetë më afër komunitetit, janë 4 miliardë lekë më shumë për buxhetin vendor.
Për ju qytetarë vendosa të flas sot thjesht, pa përmendur shumë shifra, të cilat, kush është i interesuar mund t’i gjejë në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave dhe natyrisht që specialistët do të dinë t’i përdorin dhe të bëjnë analizat e duhura. Ndryshe nga analizat e kukuvajkave që nuk do të dua të merrem me ta dhe nuk do merrem në detaje, vetëm do tu përmend një fakt: ish-ministri i Financave, i cili gjykoj se duhet të heshte të paktën për këtë rishikim buxheti, na i kërcënon shqiptarët se medemek të gjitha të ardhurat shtesë na qenkërkan paguar nga qytetarët dhe jo nga biznesi; është krejt e kundërta!
Tatimi mbi vlerën e shtuar prej 260 milionë USD ka ardhur në të kundërt, sepse bizneset pranë ish-kryeministrit dhe ish-ministrit të Financave nuk i marrim më këto para. Populli gjithmonë i ka paguar faturat që ka bërë për çdo blerje që ka bërë, por ato nuk përfundonin në xhepat e buxhetit , por në xhepat e biznesve pranë ish-qeveritarëve. Kjo kohë zoti ish-ministër ka marrë fund dhe këto para kanë përfunduar në buxhetin e shtetit, më shumë do të përfundojnë në buxhetin e shtetit në të ardhmen.
Dua t’ju siguroj se kjo qeveri bëri të mundur që në vitin e parë:
• që të ardhurat ti shtojë,
• se nga të ardhurat e shtuara do të përfitojë doemos më shumë ekonomia,
• se nga përfitimi i ekonomisë doemos do të përfitojmë të gjithë bashkë,
• dhe nga përfitimet e përbashkëta do të lindë më shumë shpresë dhe optimizëm për përfitime individuale,
• se nga përfitimet individuale doemos do përfitojnë më shumë ata që bëjnë punë të ndershme,
• dhe do të gjejnë belanë me këtë rishikim buxheti dhe me buxhetet e viteve të ardhshme të gjithë ata që janë mësuar të shpërdorojnë paratë e popullit dhe të buxhetit.
Jemi vetëm 8 muaj më pas nga ky buxhet dhe kemi këto mesazhe inkurajuese, jemi optimistë, por jemi edhe realistë. Kemi akoma muaj përpara për të mbyllur buxhetin e vitit 2014, kemi vite përpara për të mbyllur mandatin e parë të kësaj qeverie. Të tjera suksese do të vijmë të pasqyrojmë si qeveri në këtë Kuvend.
Jemi të bindur se me punën tonë, me rrugën e nisur, pa vetëkënaqësi dhe pa eufori, shumë shpejt, në javët që vijnë do të prezantojmë projekt-buxhetin e vitit 2015, me të tjera të reja, sepse ky është modeli i qeverisë së re. Model jo rutinë, por i një qeverisjeje ndryshe, i një qeverisjeje moderne, i një qeverisjeje evropiane.
Këtej e tutje më mirë do të bëhet!
Faleminderit!
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.