Ministrja Ibrahimaj, në konference për mediat, prezantoi të dhënat kryesore të ecurisë ekonomike për vitin 2021 dhe muajin janar 2022
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, zhvilloi një konferencë për shtyp lidhur me zhvillimet kryesore makroekonomike në vend, ku prezantoi të dhënat kryesore të ecurisë ekonomike për vitin 2021 dhe të muajit janar 2022.
Ministrja informoi se të ardhurat dhe shpenzimet për vitin 2021 kanë shënuar rritje në krahasim me vitin paraardhës. Të ardhurat janë rritur 20 % në krahasim me vitin 2020 dhe 11 % në krahasim me vitin 2019, ndërkohë që shpenzimet janë rritur me 21.2 % në krahasim me vitin 2020 dhe 11.2 % në krahasim me vitin 2019.
Ministrja theksoi se kjo rritje në të ardhurat dhe shpenzimet ka ardhur si rezultat i ecurisë së mirë ekonomike dhe miradministrimit fiskal, në një kohë që gjatë vitit 2021 Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk ka ndërmarrë asnjë iniciativë për rritjen e taksave, që mund të ndikonte në këtë rezultat pozitiv.
Sa i përket shpenzimeve, vlen të theksohet rritja e shpenzimeve kapitale me 31.4% në raport me një vit më parë dhe me 5.8% në raport me vitin 2019, e cila përbën një politikë të qeverisë shqiptare për zhvillimin e ekonomisë.
“Kjo rritje investimesh është materializuar në rritje ekonomike dhe vjen si efekt i një politike të qeverisë shqiptare, e cila ka nxitur stimulin fiskal, ka nxitur investimet, me qëllim nxitjen e kërkesës dhe të rritjes ekonomike”, tha Ibrahimaj.
Duke analizuar faktorët që kanë çuar në rritjen e të ardhurave, Ministrja Ibrahimaj tha se një prej tyre është dhe reforma e fiskalizimit, në zbatim të së cilës deri më tani kanë nisur procesin e fiskalizimit 89.4% e biznesit të madh dhe 87% e biznesit të vogël. Aktualisht, numri i bizneseve që kanë përfunduar procesin e fiskalizimit dhe janë të afta të lëshojnë fatura është 72.309.
Një tjetër faktor në rritjen e të ardhurave është rritja ekonomike e vitit 2021 në raport me vitin 2020, ku për 9 mujorin e vitit 2021 rritja ekonomike llogaritet të jetë 10.33 %.
Sipas Ministres, ecuria ekonomike e vitit 2021 dhe të dhënat paraprake të vitit 2022 reflektojnë një dalje të Shqipërisë nga kriza e pandemisë dhe e tërmetit, si dhe një rikuperim të shpejtë të aktivitetit ekonomik.
“Të ardhurat, treguesit e punësimit treguesit e tregtisë së jashtme janë pozitive dhe na bëjnë të mendojmë se parashikimet tona për një rritje ekonomike për vitin 2022 në nivelin 4 % janë të qëndrueshme dhe plotësisht të arritshme”, u shpreh Ibrahimaj.
Nga ana tjetër, Ministrja theksoi se politikat e ndërmarra nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të synojnë uljen dhe reduktimin e borxhit publik, si dhe konsolidimin e financave publike, duke synuar një nivel borxhi me 75 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto në fund të vitit 2024.
Fjala e Ministres Ibrahimaj:
Përshëndetje të gjithëve,
Ju falënderoj që jeni sot këtu.
Siç kemi anonçuar më parë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë është angazhuar konferenca për shtyp mujore, me qëllim analizën e të dhënave më të fundit makroekonomike.
Të dhënat më të fundit që do të prezantojmë sot lidhen me fundin e vitit 2021 dhe do të paraqesim edhe disa të dhënave për janarin 2022, duke u munduar të bëjmë një analizë të projeksioneve për periudhën afatmesme.
Të ardhurat dhe shpenzimet janë rritur në krahasim me një vit më parë. Respektivisht, gjatë vitit 2021, të ardhurat janë rritur me 20% në raport me vitin 2020 dhe me 11% në raport me vitin 2019. Dua të theksoj këtu se kjo rritje ka ardhur si rezultat i ecurisë së mirë ekonomike, por edhe si rezultat i miradministrimit fiskal. Gjatë vitit 2021, Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk ka ndërmarrë asnjë iniciativë për rritje taksash, e cila mund të ndikonte në këtë rezultat pozitiv. Nëse do t’i referohemi shpenzimeve, ato janë rritur me 21.2% në krahasim me vitin 2020 dhe 11.2% në raport me vitin 2019.
Më lejoni të theksoj se kjo rritje investimesh është materializuar në rritje ekonomike dhe vjen si efekt i një politike të qeverisë shqiptare, e cila ka nxitur stimulin fiskal, ka nxitur investimet, me qëllim nxitjen e kërkesës dhe të rritjes ekonomike.
Në drejtim të të ardhurave, performancën më të mirë e ka pasur tatimi mbi vlerën e shtuar, i cili paraqitet me rritje prej 24% në krahasim me një vit më parë dhe me 22% në krahasim me vitin 2019. Kjo është një shenjë e mirë që konsumi është duke u rritur, duke kaluar dukshëm në krahasim me nivelet e përpara krizës. Edhe këtu dua të theksoj efektet e miradministrimit fiskal.
Një tjetër element i rëndësishëm në rritje janë edhe të ardhurat nga fondet speciale, të cilat janë rritur me 13.6% në krahasim me vitin 2020 dhe me 12.7% në krahasim me vitin 2019. Kjo është shenjë që tregon se punësimi ka pasur një trajektore rritëse, e cila ka ndjekur zhvillimet e treguesve kryesorë ekonomikë.
Për sa i përket shpenzimeve, mbetet për tu theksuar rritja e shpenzimeve kapitale me 31.4% në raport me një vit më parë dhe me 5.8% në raport me vitin 2019. Rritja e shpenzimeve kapitale ka qenë një politikë e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për të dhënë efekt në rritjen ekonomike.
Sa i përket të ardhurave, edhe muaji janar i këtij viti ka të dhënë shumë premtues. Të ardhurat në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë, me janarin e vitit 2021, janë rritur me 29.47%, ku zëri me rritjen kryesore është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, që është rritur me 35%. Kjo është një shenjë që tregon se konsumi vijon të rritet. Po ashtu, të ardhurat nga fondet special, që përfshijnë të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore, janë rritur me 14.58% në krahasim me dhjetorin e një viti më parë. Këto shifra tregojnë se punësimi ka ardhur në rritje, por edhe formalizimi i ekonomisë ka ardhur në rritje.
Arsyet kryesore të rritjes së të ardhurave vijnë nga faktorë të ndryshëm. Megjithatë, unë dua të theksoj reformat e qeverisë dhe dua të ndalem në reformën e fiskalizimit. Sipas të dhënave më të fundit, 89.4% e biznesit të madh dhe 87% e biznesit të vogël kanë filluar procesin e fiskalizimit. Bizneset që kanë përfunduar procesin e fiskalizimit dhe janë të afta të lëshojnë fatura janë 72.309. Gjithsej për këtë vit janë lëshuar 198.2 milionë fatura të fiskalizuara.
Për të parë efektet e fiskalizmit jemi munduar të bëjmë një analizë me ecurinë e qarkullimit në 6 mujorin e dytë të vitit 2021 dhe e kemi krahasuar atë me ecurinë e 6 mujorit të dytë të vitit 2020 dhe atë të vitit 2019. Këto shifra paraqesin një rritje me 13% në krahasim me 2019 dhe 22% në krahasim me 2020. Sipas analizave të kryera nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, 3-4 % e kësaj rritjeje vjen si efekt i reformës së fiskalizimit dhe të miradministrimit fiskal.
Një tjetër arsye e rëndësishme për rritjen e të ardhurave është rritja e fortë ekonomike në raport me vitin 2020 ku për 9 mujorin e parë të vitit, pra mesatarja e tre tremujorëve, kemi një rritje me 10.33% në raport me një vit më parë.
Sektorët kryesorë që kanë kontribuar në rritjen ekonomike janë: Industria dhe tregtia me 2.57 p.p dhe me 2.12 p.p.
Nëse i referohemi rritjes ekonomike sipas sektorëve, sektorët që shënuan rritjen më të lartë ishin “Industria nxjerrëse dhe përpunuese” me 24.5% dhe “Ndërtimi” me 22%.
Nëse analizojmë rritjen ekonomike sipas metodës së shpenzimeve, të gjithë zërat kanë patur rritje të fortë ku vlen të përmendet formimi bruto i kapitalit fiks me 21.%, i cili përafron investimet, dhe eksportet me 64.%. Duket qartë se investimet dhe tregtia janë motorët që kanë krijuar kushtet që ekonomia shqiptare të dalë nga kriza.
Rritja ekonomike në rajon
Për gjatë këtij 9 mujori, bazuar në të dhënat e Eurostat, Shqipëria ka qenë ndër vendet që kanë patur rritjen më të lartë në rajon së bashku me Kosovën dhe Malin e zi. Por, ndryshe nga këto vende, gjatë vitit të kaluar, ekonomia shqiptare nuk ka pasur një rënie aq të fortë. Rritja ekonomike në vitin 2020 në Malin e Zi ishte -15.3%, ndërkohë që në Kosovë ishte -5.34%. Pra, duke llogaritur efektin e bazës, Shqipëria ka patur një rikthim ekonomik më të fortë krahasuar me vendet e rajonit.
Borxhi publik
Nëse do t’i hedhim një vështrim treguesve më të fundit të borxhit publik, pavarësisht kalimit të dy krizave të njëpasnjëshme, ajo e tërmetit të vitit 2019 dhe pandemia COVID 19, në fund të vitit 2021 borxhi publik është stabilizuar në nivelin 78.1% të Produktit të Brendshëm Bruto. Ky vit pritet të iniciojë një trajektore rënëse të borxhit, e cila do të vijojë dhe për të gjithë periudhën afatmesme. Borxhi është më i ulët se sa parashikimi më i fundit që kishte bërë Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në fund të vitit 2021 prej 80.1%. Sigurisht që kjo ka ardhur si rezultat si i performancës së mirë në mbledhjen e të ardhurave, çka ka çuar dhe një rënie të deficitit, i cili është materializuar në një nivel më të ulët se sa ishte parashikuar në fund të vitit. Në fund të vitit ne kishim në parashikim prej 6.8%, ndërkohë që deficiti ka shënuar 4.8%.
Tregtia me jashtë
Gjatë analizës së Produktit të Brendshëm Bruto, sipas metodës së shpenzimeve, pamë që tregtia e jashtme kishte performancë pozitive. Eksportet janë rritur gjatë vitit 2021 me 35.6% në krahasim me vitin 2020. Kjo ecuri pozitive e eksporteve është materializuar si në rritje të eksporteve në vlerë, ashtu edhe në rritje të eksporteve në vëllim, ndërkohë që ka vijuar dhe gjatë muajit janar të vitit 2022. Në janar të vitit 2022, eksportet janë rritur me 21.13% në krahasim me janarin e vitit 2021. Edhe në sasi eksportet janë rritur me 3.7% në janar 2022, në krahasim me janar 2021. Pra, eksportet janë rritur pavarësisht çmimeve të rritura.
Në të njëjtën linjë, edhe importet janë rritur gjatë vitit 2021, në krahasim me vitin 2020, me një mesatare prej 31.98%, në sasi dhe në vlerë. Janari ka vijuar të ketë performancën pozitive të importeve me një rritje mesatare prej 47.48%.
Sektori Bankar
Përsa i përket financimit të investimeve dhe financimit të ekonomisë, sektori bankar është paraqitur me një rezultat pozitiv, gjatë gjithë viteve të fundit. Stoku i kredisë, në dhjetor të vitit 2021, arriti vlerën 667 miliardë lekë, me një rritje prej 17% krahasuar me periudhën e para pandemisë. Vetëm në muajin dhjetor, ndërmarrjet private jo-financiare në vend morën 26 miliardë lekë kredi, të kryesuara nga sektori i tregtisë dhe ai i ndërtimit.
Aktiviteti i bizneseve
Numri i bizneseve të reja gjithashtu reflekton ambientin e favorshëm për zhvillimin e aktivitetit ekonomik. Sipas raportimeve të Qendrës Kombëtare të Biznesit, në vitin 2021 numri i bizneseve të reja ishte 3200 më shumë në krahasim me vitin e mëparshëm, ndërsa vetëm në janar të vitit 2022 raportohen 2144 biznese të reja. Në janar të vitit 2022, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve raporton 117 mijë biznese aktive në vend. Pra, pavarësisht vështirësive të paraqitura në dy vitet e fundit, numri i bizneseve aktive ka ardhur në rritje të vazhdueshme.
Punësimi
Zgjerimi i aktivitetit ekonomik është shoqëruar me përmirësimin e mëtejshëm të treguesve të tregut të punës. Në tremujorin e tretë të vitit 2021 shkalla e papunësisë ishte 11.6 % , në rënie me 0.5 p.p krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Nga ana tjetër, shkalla e punësimit ishte 62 % në tremujorin e tretë të vitit 2021, në rritje me 1.3 p.p. krahasuar me tremujorin e dytë të po atij viti. Të dhënat e raportuara nga DPT tregojnë të njëjtin trend. Në dhjetor të vitit 2022 u raportuan rreth 700 mijë vende pune, rreth 5 mijë vende më shumë krahasuar me një vit më parë. Sektorët që dominonin ishin Shërbimet me rreth gjysmën e të punësuarve, ndjekur nga Tregtia dhe Prodhimi.
Paga
Tendencat përmirësuese në tregun e punës dhe rritja e kërkesës për punë, janë përkthyer gjithashtu në rritjen e pagave. Paga mesatare në T3-2021, sipas INSTAT, ishte 56, 435 lekë, me një rritje prej 6.9% krahasuar me një vit me parë. Gjatë viteve të fundit, qeveria shqiptare ka ndjekur një politikë stimuluese në drejtim të rritjes së pagave. Në rritjen e pagës minimale kemi qenë të kujdesshëm që këtë vendimmarrje ta marrim duke pasur në konsideratë zhvillimin e aktivitetit ekonomik, duke mos dashur të cënojmë rritjen e produktivitetit në vend. Dua të theksoj se rritja e pagës minimale është përkthyer dhe ka pasur një ndikim pozitiv si në rritjen e pagës mesatare, ashtu edhe në rritjen e punësimit. Pra, politika ka pasur efektin e duhur.
Inflacioni
Rimëkëmbja e kërkesës, përmirësimet në tregun e punës dhe rritja e pagave kanë forcuar presionet inflacioniste në vend. Megjithatë, rritja e inflacionit gjatë muajve të fundit është materializuar kryesisht nga rritja e çmimeve të konjukturave ndërkombëtare. Në muajin janar të vitit 2022 inflacioni arriti vlerën 3.7%, vlerë kjo ndjeshëm më e ulët se sa mesatarja e Bashkimit Evropian 5.1%, apo edhe inflacioni në vendet e rajonit. Norma e inflacionit në Shqipëri ndikohet kryesisht nga çmimet e konjukturave ndërkombëtare. Megjithatë, sipas një analize të Bankës së Shqipërisë, përgjatë gjithë vitit 2021, inflacioni i importuar ishte 46%. Pra pjesa më e madhe, 46 % e rritjes së çmimeve në vend ndikohet nga çmimet në tregjet ndërkombëtare. Në vijim, ne presim që oferta t’i përshtatet rritjes se kërkesës dhe pritshmëritë janë që në gjysmën e dyte të vitit 2022 çmimet në vend të stabilizohet.
Çmimet e karburanteve
Dua të ndalem te çmimet e karburanteve dhe dua të theksoj se karburantet kanë efektin më të lartë të inflacionit të importuar, pra të çmimeve të rritura, nga konjukturat ndërkombëtare. Çmimi i naftës në vend është rritur nga mospërputhja në tregjet ndërkombëtare midis kërkesës dhe ofertës së limituar. Pra kërkesës së shtuar, të ardhur nga aktiviteti i shtuar ekonomik, jo vetëm në vendin tonë, por në gjithë vendet e rajonit, dhe ofertës së limituar për të mbuluar këtë kërkesë.
Nga ana tjetër, çmimi i gazit u rrit me ardhjen e dimrit dhe stokut të ulët të gazit në shtetet evropiane. Rritja e çmimit të gazit solli gjithashtu dhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke qenë se 1/5 (një e pesta) e prodhimit të energjisë elektrike në Evropë bazohet në gazin natyror.
Çmimet e energjisë elektrike në vende si Italia apo Gjermania, që nga fillimi i kësaj krize energjetike, që nga fillimi i vitit 2019, janë rritur me gati 500%.
Megjithatë në vijim, të gjithë parashikimet ndërkombëtare flasin për uljen graduale të çmimit të naftës dhe të produkteve të energjisë elektrike në periudhën afatmesme, duek filluar nga 6 mujori i dytë i këtij viti.
Në mbyllje të fjalës sime dua të theksoj se ecuria ekonomike e vitit 2021 dhe të dhënat paraprake të vitit 2022 reflektojnë një dalje të Shqipërisë nga kriza e pandemisë dhe e tërmetit, si dhe një rikuperim të shpejtë të aktivitetit ekonomik.
Të ardhurat, treguesit e punësimit treguesit e tregtisë së jashtme janë pozitive dhe na bëjnë të mendojmë se parashikimet tona për një rritje ekonomike për vitin 2022 në nivelin 4 % janë të qëndrueshme dhe plotësisht të arritshme.
Gjithashtu dua të theksoj se politikat e ndërmarra nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të synojnë uljen dhe reduktimin e borxhit publik, si dhe konsolidimin e financave publike, duke synuar një nivel borxhi me 75 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto në fund të vitit 2024.
Faleminderit.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.