Postuar më: 31/07/2015

Financat: Përcaktohen kufijtë e pagave për administratorët e pushtetit vendor

Ministria e Financave ka miratuar klasifikimin e funksioneve, grupimin e njësive të qeverisjes vendore për efekt page dhe të kufijve maksimalë dhe minimalë të pagave për funksionarët e zgjedhur, të emëruar, për nëpunësit civilë dhe punonjësit e tjerë në organet e qeverisjes vendore, duke bashkëfirmosur me ministrin për Inovacionin dhe Administratën Publike, vendimin “Për një ndryshim në Vendimin nr 1619, datë 02.07.2008 të Këshillit të Ministrave ‘Për klasifikimin e funksioneve, grupimin e njësive të qeverisjes vendore për efekt page dhe caktimin e kufijve të pagave të punonjësve të organeve të qeverisjes vendore’”.

Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e tij të fundit e ka miratuar ndryshimin e vendimit nr 1619, datë 02.07.2008 për të përcaktuar kufijtë e pagave, minimalë e maksimalë për administratorin e njësive administrative, konkretisht:

  • Për njësitë administrative me 20.001 deri 50.000 banorë, administratori paguhet 51.500 deri 92.500 lekë.
  • Për njësitë administrative me 5.001 deri 20.000 banorë, administratori paguhet nga 41.400 deri 79.500 lekë.
  • Për njësitë administrative me më pak se 5.000 banore, administratori paguhet nga 37.400 deri 56.100 lekë.

Sqarojmë se zbatimi i këtij vendimi nuk ka efekte financiare shtesë, pasi për pagat e administratorëve do të përdoren fondet e pagave të përdorura për funksionin “kryetar” në njësitë e qeverisjes vendore që, deri para miratimit të ndryshimeve ligjore, ishin komuna dhe aktualisht nuk do të jenë më të tilla.

Të rejat e fundit