
I nderuar Z. Kryetar i senancës
I nderuar Kryeministër
Të nderuar Deputetë
Përpara se të prezantoj objektivat kryesorë që mundëson ky Akt Normativ i buxhetit 2018 si dhe elementët specifik të tij, më lejoni të paraqes shkurtimisht zhvillimet kryesore makroekonomike gjatë vitit 2018.
Tashmë prej pesë vitesh rresht, edhe gjatë 2018-ës ekonomia duket se ka vijuar të ndjekë trendin përshpejtues të ritmit të rritjes. Në nëntë muajt e parë të vitit 2018 ekonomia u rrit në terma real me rreth 4.4% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Nga pikëpamja e kërkesës agregate, rritja ekonomike përgjatë nëntë muajve të vitit 2018 u gjenerua kryesisht nga kërkesa e brëndshme. Gjatë kësaj periudhe, po sidomos për tremujorin e tretë, kërkesa e brendshme është nxitur kryesisht nga kontributi i konsumit, po në një masë të konsiderueshme edhe nga ai i investimeve totale në ekonomi.
Konsumi final total, i cili përbën peshën më të madhe në ekonomi, u rrit me rreth 2.83% në terma real vjetorë përgjatë nëntë muajve të parë të 2018, ndërsa konsumi final i popullatës u rrit me rreth 3.41%. Ndërkohë vetëm për tremujorin e tretë konsumi final total dhe ai i popullatës shënuan përshpjetim të ritmit krahasuar me dy tremujorët e parë resperktivisht në 2.97% dhe 3.86%.
Norma e investimeve totale u rrit me rreth 3.89% në terma real vjetorë përgjatë nëntë muajve të vitit 2018, ndërkohë vetëm për tremujorin e tretë të vitit 2018 norma e rritjes për investimet u zgjerua në 5.40%.
Rritja e Produktit të Brendshëm Bruto ishte i diversifikuar në të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë. Sektorët me kontributin më të lartë ishin ai i industisë i ndjekur nga sektori i shërbimeve, ku spikat sektori i turizmit. Gjithashtu edhe sektorët e bujqësisë dhe të ndërtimit patën një rritje dhe kontribut të qenësishëm pozitiv.
Nuk mund të lë pa përmendur këtu eksportet e mallrave dhe shërbimeve që me rritjen dyshifrore prej 13.7% kanë kontribuar dukshëm pozitivisht në performacen e përgjithshme.
Tashmë vlerësojmë me siguri të lartë se rritja për të gjithë vitin të jetë të paktën sa projeksioni fillestar i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për një rritje vjetore prej 4.2%.
Vlen për tu përmendur se tashmë, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin më të fundit të tij të bërë publik para dy ditësh, ka rishikuar për herë të dytë në rritje projeksionin e saj për 2018-tën duke e cuar në nivelin 4.2%.
Perfomanca e mirë ekonomike ka sjelle zhvillime pozitive edhe në tregun e punës. Sipas statistikave të anketës së forcave të punës nga INSTAT, norma e papunësisë (për grup moshën 15-64 vjeç) ka vijuar trendin e saj rënës që prej T1-2014 ku regjistroi vlerën e saj më të lartë prej 18%, duke zbritur tashmë në nivelin 12.7% në T3-2018, me një reduktim prej 1.3 pikë përqindje krahasur me një vit më parë (T3-2017), ose me një reduktim të numrit të personave të papunë prej rreth 17.2 mijë në harkun kohor të një viti. Ndërkohë, për grup moshën 15 vjeç e sipër, norma e papunësisë në tremujorin e tretë të vitit 2018 regjistroi nivelin prej 12.2%. Punësimi deri në tremujorin e tretë të vitit 2018 u rrit me me rreth 21.5 mijë të punësuar krahasuar me një vit më parë.
Bazuar në statistikat e Bankës së Shqipërise, bilanci i pagesave (BP) për periudhën janar-shtator të vitit 2018, shënoi përmirësim kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë duke arritur vlerën +97.6 milion euro
Komponenti më i rëndësishëm pozitiv ishin flukset hyrëse të Investimeve të Huaja Direkte (IHD). Këto të fundit rezultuan me një rritje me rreth 11.6% kundrejt nëntë muajve të parë të 2017.
Pavarësisht se projektet e medha energjitike kanë hyrë tashmë në fazën përfundimtare të ndërtimit, me një konfidencë të lartë mund te them, se Investimet e Huaja Direkte do të arrijnë rreth 1 miliard euro për të tretin vit rradhazi, një sinjal ky mjaft pozitiv për përceptimin e investitorëve të huaj mbi ekonominë tonë.
Ndërkohë inflacioni mesatar për vitin 2018 ka rezultuar në nivelin 1.8%, po aq sa edhe një vit më parë.
Performaca Fiskale
Sa i takon zhvillimeve kryesore në financat publike, sipas treguesve paraprak faktit të buxhetit 2018 rezulton se:
Këtu është sërisht e rëndësishme të theskohet, se në raportin e saj të fundit edhe FMN konfirmon tashëm këtë shifër. Konkretisht në raport FMN vlerëson se borxhi publik total bruto (pa përfshirë “detyrimet e prapamnbetura”) për vitin 2018 ësthë në nivelin 67.2% e PBB, 1.7 pikë përqindje më i ulët se sa projeksioni respektiv i FMN i bërë në fund të misionit të Nëntorit 2018, rrjedhojë kjo e një deficiti më të ulët se sa parashikohej si dhe vlerësimit të kursit të këmbimit. FMN vlerëson se këto efekte priten të jenë permanente, kështu që rrjedhimisht pritet të reduktojnë nivelet e projektuara të borxhit përgjatë horizontit kohor afat-mesëm.
Ndërkohë, për të sqaruar më tej, edhe sipas konceptit tjetër që përdor Stafi i FMN mbi borxhin publik bruto duke përfshirë edhe totalin e “detyrimeve të prapambetura” si të qeverisë qendrore, ashtu edhe të asaj lokale, stafi i FMN ri-vlerëson se borxhi publik sipas këtij përkufizimi është 68.6% e PBB, duke rezultuar me një reduktim prej 3.3 pikë përqindje vetëm gjatë vitit 2018 krahasuar me vitin 2017 (71.9%).
Gjithashtu FMN shprehet me nota pozitive edhe për emetimin e suksesshëm të Eurobondit të Shqipërisë pre 500 mln Euro në Tetor të vitit 2018 me një maturitet 7 vjet dhe me terma të favorshme.
Duke përshëndetur progresin e deritanishëm, Bordi Ekzekutiv thekson se është e rëndësishme të përfundohet reforma gjyqësore në vazhdim dhe të forcohen përpjekjet kundër korrupsionit. Bordi theksoi nevojën për të reduktuar informalitetin, duke ruajtur një sistem tatimor të thjeshtë dhe të ndershëm, duke mbajtur përmirësime në mbledhjen e taksave dhe duke rritur cilësinë e shërbimeve publike.
FMN mirëpriti ndryshimet e planifikuara në legjislacionin PPP për të rritur rolin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë si një rojtar në mbajtjen e kostos fiskale potenciale të PPP-ve, si një hap i parë i dobishëm. Gjithashtu do të jetë kritike për të siguruar vlerën për para përmes një procesi konkurrues të ofertimit për të gjitha projektet duke ndaluar pranimin e propozimeve PPP të pakërkuara.
Ne jemi duke punuar ngushtësisht me institucionet ndërkombëtare FMN/BB/BE për konsolidimin e proceseve vendimmarrëse dhe forcimin e njësisë së menaxhimit të investimeve publike në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.
Tani po vijoj me përshkrimin e objektivave kryesore që synon ky Akt Normativ.
Objektivi i parë është sigurimi i një hapësire financiare shtesë për njësitë e vetëqeverisjes vendore, përmes rritjes së tavanit të shpenzimeve tyre me 3.4 miliardë lekë. Kjo, në perputhje me ecurinë pozitive të mbledhjes së të ardhurave vendore, të cilat në fakt për të gjithë vitin 2018 rezultuan me një tejkalim prej rreth 3 miliard Lekë kundrejt Buxhetit Fillestar 2018. Performanca me e mirë ka qenë vecanërisht nga zëri i të ardhurave nga taksat lokale.
Zhvillim tjetër i pushtetit vendor gjatë vitit 2018, i reflektuar edhe në ndryshimet e këtij Akti Normativ, ka të bëjë me faktin se njësitë e vetëqeverisjes vendore gjatë 2018-ës kanë treguar pergjegjshmeri ne menaxhimin e financave të tyre duke shlyer detyrime të prapambetura për një shumë prej rreth 2.1 miliadrë lekë. Gjithashtu, disa nga njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë zbatuar projekte me financim të huaj, ku plani i tyre nuk ka qënë i parashikuar në buxhetin fillestar të vitit 2018. Po ashtu njësitë e vetëqeverisje vendore kanë trashëguar fonde nga vitet e mëparshme duke krijuar nga viti në vit një stok që ka rritur presionin për të kryer shpenzime.
Në këto kushte, është e domosdoshme edhe krijimi i hapësirës fiskale për mbulimin me plan buxhetor të shpenzimeve me financim të huaj për pushtetin vendor në vlerën prej 1.3 miliard Lekë.
Objektivat dhe elementët e tjerë që mundëson ky Akt Normativ, janë:
Në fund të fjalës sime të parë në një seancë plenarë të Kuvendit të nderuar parlamentar, dua të theksoj angazhimin tim maksimal për të shtyrë përpara reformat e kësaj mazhorance si udhërrëfyesin më të mirë dhe të vetëm të vërtetë të rrugës së zhvillimit të vendit tonë.
Ne do të vazhdojmë të jemi në krye të punës për të lehtësuar dhe shpejtuar ofrimin e shërbimeve cilësore dhe transparente në drejtim të çdo tatimpaguesi.
Do të sigurohemi gjithashtu në çdo hap dhe çdo fazë për intesifikimin e punës kundër informalitetit dhe padrejtësisë në treg pasi besoj se është një ndër shtyllat kryesore të konsolidimit ekonomik dhe promovimit të konkurrencës në treg, të një shoqërie që po tenton të lërë pas periudhën e tranzicionit dhe të ecë në terren të frytshëm.
Do të intesifikojmë komunikmin me sipërmarrjen vendase dhe të huaj për të adresuar kërkesat e tyre në legjislacion dhe paketat eardhshme fiskale me qëllim ofrimin e ambientit të rregulluar dhe klimës optimale të biznesit.
Dhe sigurisht mbi të gjitha, unë dhe insitucioni të cilin unë drejtoj do të vijojmë të jemi maksimalisht të angazhuar në konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit makro-ekonmik të Shqipërisë, reduktimin e mëtejshëm të borxhit publik dhe ruajtjen e një balance primare pozitive, si shtyllat kryesore që sigurojnë ambientin e domosdoshëm për vijimësinë e një rritje ekonomike të lartë, të qëndrueshme dhe që gjeneron punësim.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.