Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka publikuar konkluzionet e rishikimit të shtatë të performancës ekonomike të Shqipërisë në kuadrin e programit tre-vjeçar me qeverinë shqiptare. Sikurse theksohet në deklaratën e publikuar për mediat, FMN vlerëson performancën e ekonomisë shqiptare dhe inkurajon reformat ambicioze të qeverisë.
“Rimëkëmbja ekonomike e Shqipërisë po përshpejtohet. Perspektiva afatmesme mbetet e favorshme, nëse ritmi i reformave do të vijojë.
Qeveria shqiptare ka marrë autorësinë e plotë të programit dhe vendosmëria e treguar për implementimin e reformave ambicioze dhe të vështira strukturore dhe fiskale është e lavdërueshme.
Angazhimi i autoriteteve për të vazhduar me konsolidimin fiskal është i rëndësishëm për të garantuar edhe në vijim uljen e dobësive fiskale dhe për të siguruar qëndrueshmërinë e borxhit.
Planet e autoriteteve për të vazhduar përpjekjet e tyre rregulluese fiskale në anën e të ardhurave janë të përshtatshme. Strategjia e konsolidimit duhet të synojë zgjerimin e bazës tatimore, duke kufizuar përjashtimet nga taksat dhe forcimin e pajtueshmërisë dhe administrimit të të ardhurave.
Vendosmëria e autoriteteve për të zbatuar reformat strukturore fiskale për të zvogëluar rreziqet fiskale është inkurajuese. Forcimi i kuadrit buxhetor afatmesëm dhe menaxhimi i investimeve publike është thelbësor.
Autoritetet kanë bërë progres të rëndësishëm me shlyerjen e detyrimeve të prapambetura në nivelin e qeverisë qendrore.
Nga ana tjetër, FMN jep edhe disa rekomandime për qeverinë. Vazhdimi i masave për lehtësimin monetar nga ana e autoriteteve, është i përshtatshëm. Për të rigjallëruar kredinë për sektorin privat, është e rëndësishme të përshpejtohet zbatimi i strategjisë gjithëpërfshirëse të autoriteteve kundër kredive me probleme, duke përfshirë miratimin e ligjit të falimentimit dhe ligjit të përmbarimit privat.
Po kështu, FMN përmend se reforma të tjera për përmirësimin e klimës së biznesit duhen avancuar nga ana e qeverisë.
“Reformat e mëtejshme strukturore për të përmirësuar mjedisin e biznesit do të jenë kritike për forcimin e aftësisë konkurruese të Shqipërisë. Fokusi duhet të jetë mbi zbatimin e reformës gjyqësore, forcimin e të drejtave të pronësisë, si dhe përmirësimin e infrastrukturës dhe arsimit. Këto hapa do të ndihmojnë të hapin rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe rritje të qëndrueshme“ – thuhet në deklaratë.
***
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka përshendetur deklaratën e FMN përmes një statusi në rrjetin social Facebook
“Lajm i mirë sot nga FMN për përformancën e ekonomisë shqiptare dhe inkurajim i drejtpërdrejtë për reformat!
Në përfundim të rishikimit të shtatë të performancës së ekonomisë shqiptare në kuadër të programit tre-vjecar me qeverinë, Bordi Ekzekutiv i FMN vlerëson se
Është fakt që ekonomia shqiptare e ka konsoliduar tashmë trendin e saj të qendrueshëm të rritjes dhe zhvillimit.
Ne jemi të vetëdijshëm që kemi ende punë për të bërë. Ndajmë të njëjtin qendrim me FMN se është thelbësore të ruajmë ritmin e reformave në ekonomi; se do të duhet të punojmë ende për përmirësimin e klimës së biznesit, se e kemi sfidë rritjen e konkurrueshmërisë së vendit dhe mbi të gjitha, të implementojmë sa më shpejt reformën në drejtësi, për të hapur një kapitull të ri në perspektivën europiane të Shqipërisë” – thekson Ministri.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.