Postuar më: 18/06/2015

Franca mbështet rritjen e kapaciteteve të institucioneve shqiptare që luftojnë korrupsionin

Qeveria franceze ofron mbështetje të pakursyer ndaj institucioneve shqiptare që luftojnë korrupsionin dhe parandalojnë pastrimin e parave.

Në një takim që ambasadori i Francës z. Bernard Fitoussi zhvilloi me Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave z. Genti Gazheli e zyrtarë të tjerë të kësaj strukture, u diskutua për mbështetjen e mëtejshme e të pakursyer të Qeverisë së Francës ndaj institucioneve shqiptare, në dobi të luftës kundër pastrimit të parave dhe antikorrupsionit.

Ambasadori mik theksoi se integrimi i Shqipërisë përfshin disa prioritetete të rëndësishme, një ndër të cilat është efikasiteti i luftës kundër korrupsionit dhe lufta e gjithanshme për parandalimin e pastrimit të parave.

Nga ana e tij z. Gazheli, duke falenderuar ambasadorin e Francës për vizitën, shprehu vlerësimin për mbështetjen e gjithanshme e të vazhdueshme të institucioneve të BE-së dhe veçanërisht Francës në ndihmë të rritjes së kapaciteteve të institucioneve shqiptare kundër këtij fenomeni. Z. Gazheli bëri më pas një pasqyrë të punës, arritjeve, bashkëpunimit ndërinstitucional, por edhe të problematikave që hasen e ndikojnë në efikasitetin e zbatimit të legjislacionit, sidomos atij penal!

Ambasadori Fitoussi, shprehu vlerësime për punën duke u shprehur se mbështetja ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave do të vijojë pa asnjë rezervë.