Postuar më: 09/06/2014

Fushata për Akcizën, Mete: Ndërgjegjësim dhe kontroll për zbatimin e ligjit!

Kjo është fushata  më e gjerë ndërmarrë deri më sot në lidhje me kontrollin e prodhuesve, importuesve, shpërndarësve dhe shitësve me pakicë të alkoolit, cigareve, pijeve energjike dhe kafes – produkte të cilat janë subjekt akcize.

I pranishëm në prezantimin e fushatës, ishte edhe zv/ministri i Financave, z.Ervin Mete, i cili theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit të subjekteve private për zbatimin e ligjit dhe jo domosdoshmërisht ndëshkimin e tyre.

“Sikurse jeni në dijeni, jemi përpjekur të krijojmë një klimë bashkëpunuese me biznesin, të vendosim një partneritet solid dhe kjo është reflektuar me lehtësirat ligjore dhe proceduriale që kemi ndërmarrë”, deklaroi z.Mete. Sipas tij, zbatueshmëria ligjore e plotë, rigoroze dhe jo selektive është primare.

Në kuadër të kësaj klime, ndërmerret nisma në fushën e akcizës, si pikë kyçe dhe e ndjeshme për të ardhurat në buxhet.

“Ka pasur në sërë ndryshimesh për sa i përket akcizës, si në administrim, duke kaluar nga tatimet tek doganat, qoftë për sa i përket shkallës tatimore, me paketën e fundit fiskale, apo edhe sa i përket artikujve të rinj që janë futur, siç janë pijet energjike.

Për të gjitha këto, kërkohet një fokus më i madh, një vëmendje më e kujdesshme, një analizë më e mirë e tregut dhe një veprim më i fokusuar për ta kontrolluar sa më mirë këtë treg. Është shumë e rëndësishme që të krijojmë një terren të barabartë, ku zbatuesit e ligjit të mos sulmohen nga informaliteti”, shtoi më tej zv/ministri i Financave.

Për Drejtoren e Përgjithshme të Doganave, znj.Elisa Spiropali, “produktet e akcizës kanë qenë përherë  burim evazioni jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera. Kjo Fushatë ndërmerret për të parandaluar një evazion të mundshëm dhe njëkohësisht për të sensibilizuar operatorët ekonomikë që të kryejnë veprimtarinë e tyre duke zbatuar ligjet në fuqi”.

Zv/ministri bëri të ditur se administratat tatimore dhe doganore kanë patur një performancë shumë të mirë në mbledhjen e të ardhurave.

“Në muajt shtator-maj janë 230 milionë dollarë të ardhura më shumë të realizuara nga të dy administratat në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, vetëm për periudhën janar-maj, janë realizuar 130 milionë dollarë më shumë të ardhura sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe ne presim dhe synimi ynë është që ky trend të jetë vazhdues”, u shpreh Mete.

Deri tani, sipas z.Mete, “kemi patur një bashkëpunimi të kënaqshëm me ‘Crown Agents’ dhe besojmë që eksperienca e  tyre, së bashku me ekipet tona të administratës doganore do të sjellë që kjo fushatë, por dhe zbatimi i ligjit në tërësi, të jetë rigoroz dhe i vendosur”.

Fushata

Fushata nuk limitohet vetëm në synimet e lartpërmendura, por gjithashtu do të targetojë tregtinë e paligjshme, luftën kundër kontrabandës ndërkufitare, identifikimin e subjekteve të paregjistruara që tregtojnë me shumicë ose pakicë. Këto objektiva do të realizohen përmes grupeve operative, të cilat do të shtrijnë veprimtarinë e tyre në pikat doganore kufitare, në magazinat fiskale të furnitorëve, si dhe në ambjentet ku mallrat e akcizës tregtohen me pakicë.

Grupet Operative të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe të “Crown Agents” do të vizitojnë një numër të madh subjektesh akcize.

Ky hap i parë shërben për t’u siguruar që subjektet e regjistruara të akcizës janë në dijeni të detyrimeve të tyre. Njëkohësisht, Grupet Operative do t’i pajisin këto subjekte me një Dokument Informues:  Pajtueshmëria Ligjore.

Në javët në vazhdim kontrollet e ndërmarra nga grupet e përbashkëta operative do të vijnë duke u intensifikuar si në aspektin ligjor, ashtu edhe në atë operativ. Mënyra dhe strukturimi i operimit dhe kontrolleve do të jenë fleksibël në varësi të gjetjeve dhe rezultateve të konstatuara nga grupet operative.

Disa nga rezultatet e pritshme të Fushatës do të jenë identifikimi i shkeljeve të mundshme, identifikimi i subjekteve që veprojnë në kundërshtim me ligjin, si dhe mbledhja cilësore e informacionit për të ndërtuar profile sa më të sakta risku. Një nga objektivat kryesor të kësaj fushate mbetet përçimi i një mesazhi të qartë për të gjithë subjektet e akcizës që të rregullojnë veprimtarnë e tyre konform ligjeve në fuqi, duke u kthyer kështu në partner të besuar.

Të rejat e fundit