Përshëndetje të nderuar deputetë!
Ndryshimet ligjore janë të shumta, por mendoj t’ua prezantoj me pika pjesët kryesore, thelbin e ndryshimeve dhe më pas jam i hapur për pyetje dhe komentet Tuaja
1. Pse duhet ndryshuar ligji?
Projektligji “Për sigurimin e depozitave” ka për qëllim kryesor të rregullojë sigurimin dhe kompensimin e depozitave duke mbrojtur interesat e depozituesve, si dhe për të kontribuar në stabilitetin e sistemit bankar dhe financiar.
Skema e sigurimit të depozitave është një nga shtyllat kryesore të rrjetit të sigurisë financiare. Me qëllim zhvillimin dhe rritjen e integruar të skemës së sigurimit të depozitave të individëve në banka dhe shoqëritë e kursim-kreditit në vendin tonë, në përputhje me praktikat më të mira të vendeve anëtare të BE-së (përafrim legjislacioni me Direktivën 94/19/KE të Parlamentit Evropian dhe Këshillit “Mbi skemat e garantimit të depozitave, të ndryshuar me Direktivën 2009/14/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit), është i domosdoshëm hartimi i një projektligji tërësisht të ri.
Ky projektligj siguron përmbushjen e Standardeve Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave, si dhe mbështetet në Parimet Themelore të Skemave Efektive të Sigurimit të Depozitave të Organizatës Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave (IADI).
Gjithashtu, domosdoshmëria për hartimin e këtij projektligji të ri u konfirmua edhe nga rekomandimet e misionit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar në kuadër të Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar në Shqipëri të zhvilluar në periudhën tetor-nëntor 2013 (FSAP-Financial Sector Assesment Program), si dhe në kuadër të Matricës së Politikës së Zhvillimit për Modernizimin e Sektorit Financiar (DPL-Development Policy Matrix), me qëllim vlerësimin e përputhshmërisë me standardet ndërkombëtare të sigurimit të depozitave.
Në projektligj janë përfshirë edhe sugjerimet e palëve të interesuara, siç janë Shoqata Shqiptare e Bankave dhe unionet dhe shoqëritë e kursim-kreditit.
2. Çfarë përmirësohet?
Përmirësimet kryesore që sjell ky projektligj përfshijnë:
Projektligji përbën garancinë ligjore që Agjencia të përmbushë objektivat e saj strategjikë.
– Projektligji jep një përcaktim të qartë të skemës së sigurimit të depozitave si pjesë përbërëse e rrjetit të sigurisë financiare. Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) ruan funksionin e kutisë së pagesës me një objektiv parësor të veprimtarisë së saj: kompensimin e depozitave të depozituesve. Ky objektiv mbështetet nga dy objektiva dytësorë, që janë: mbrojtja e interesave të depozituesve dhe dhënia e kontributit në stabilitetin e sistemit bankar dhe financiar.
– Projektligji parashikon përmirësime mbi anëtarësimin dhe përjashtimin e subjekteve nga skema. Kështu, procedura në fuqi për bankat njehsohet edhe për shoqëritë e kursim-kreditit, duke zbatuar kështu rekomandimin e misionit të FSAP për bashkëpunim ndërmjet Agjencisë dhe Autoritetit Mbikëqyrës (BSH) në procesin e anëtarësimit të shoqërive të kursim-kreditit në skemën e sigurimit të depozitave.
Janë detajuar, ndërkohë, detyrimet e subjekteve për të qenë anëtare të skemës së sigurimit të depozitave, kryesisht për mbajtjen dhe raportimin elektronik të të dhënave të detyrueshme për depozitat dhe depozituesit, si dhe për informimin e publikut (sipas Direktivës 94/19 të Parlamentit Evropian “Për skemat e sigurimit të depozitave”, e ndryshuar).
– Në lidhje me sigurimin e depozitave, janë përcaktuar depozitat e sigurueshme, nivelet maksimale të mbulimit dhe procesi i sigurimit të depozitave në subjektet e skemës.
Përcaktimet e depozitave të sigurueshme dhe të pasigurueshme janë thjeshtuar dhe qartësuar, duke i përputhur ato me konceptet e ligjeve për bankat dhe shoqëritë e kursim-kreditit. Po kështu depozitat e pasigurueshme janë përputhur me përjashtimet e Direktivës së BE-së “Për skemat e garantimit të depozitave”.
Në lidhje me mbulimin territorial të depozitave, është saktësuar gjuha e përdorur duke parashikuar shprehimisht se depozitat e degëve të huaja të bankave vendase jashtë, nuk mbulohen nga skema, ndërsa depozitat e degëve të bankave të huaja në Shqipëri mbulohen me sigurim.
– Projektligji përmirëson metodologjinë e llogaritjes së primit të sigurimit, duke ndryshuar bazën e përllogaritjes së tij. Primi vjetor i sigurimit propozohet të zëvendësohet nga ai tremujor, duke u përllogaritur mbi depozitat e mbajtura në bankë në ditën e fundit të secilit muaj të tremujorit paraardhës.
Avantazhet e propozimit të primit tremujor, kundrejt primit vjetor që është sipas ligjit aktual në fuqi, janë:
• Primi tremujor ndjek në kohë ecurinë e depozitave të subjektit;
• Shumat e depozitave të mbajtura në bankë në tre ditët e fundit të muajve të tremujorit, që shërbejnë si bazë për llogaritjen e primit, janë të përputhura me bilancin;
• Llogaritja si edhe verifikimi i saktësisë së tij realizohet më thjeshtë.
Ndryshimi i metodologjisë së llogaritjes së primit të sigurimit nuk jep asnjë ndikim financiar në buxhetin e shtetit.
– Projektligji përfshin një ndarje të qartë të proceseve të kompensimit të depozitave dhe të pjesëmarrjes së Agjencisë me transferim fondesh, duke qartësuar zbatimin e objektivit kryesor të saj. Të drejtat e Agjencisë për të bërë pagesa të pjesshme dhe paraprake, ose për të përmbushur detyrimin e saj për kompensimin e depozitave nëpërmjet transferimit të mjeteve financiare në një bankë anëtare ose bankë-urë janë në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.
-Ndryshimet kryesore në projektligj prekin edhe përfshirjen e shoqërive të kursim-kreditit në skemën e sigurimit të depozitave, duke i trajtuar ato në mënyrë të diferencuar në krahasim me bankat për sa i përket primit dhe mbulimit. Kështu primi do të jetë më i ulët, 0.3 % (Bankat e kanë, 0.5%. Do të ketë edhe një prim shtesë vetëm në rastet e thyerjes nga shkk-të e treguesve kryesorë rregullatorë). Niveli i mbulimit do të jetë 1 000 000 lekë (bankat e kanë 2.5 milionë lekë). Por niveli i synuar i mjeteve financiare do të jetë i njëjtë, pra raporti “fond mbulimi /depozita të siguruara” do të jetë i njëjtë si për bankat, ashtu edhe për shoqëritë e kursim-kreditit. Kontributet fillestare dhe primet, nga shoqëritë e kursim-kreditit, së bashku me fondin themeltar për sigurimin e depozitave në këto shoqëri, i cili do të lëvrohet nga Buxheti i Shtetit, do të mundësojnë krijimin e një fondi, në nivel të mjaftueshëm për të përballuar mbulimin e anëtarëve të shoqërive të kursim-kreditit.
-Projektligji prek edhe funksionet e Agjencisë me qëllim kryesor përmirësimin e mirëqeverisjes.
Struktura e përgjithshme institucionale është ruajtur, ndërkohë që autonomia operacionale propozohet të rritet njëkohësisht me përmirësimin e llogaridhënies dhe të mirëqeverisjes. (Ndryshimi i propozuar në projektligj për miratimin e buxhetit nga Këshilli Drejtues i Agjencisë përputhet me rekomandimet e lëna nga Veprimet Korrigjuese të Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar për të Përmirësuar përputhshmërinë me Parimet Themelore të Sigurimit të Depozitave, FSAP nëntor- dhjetor 2013)
– Projektligji, si kundërpeshë të rritjes së autonomisë, parashikon detyrimin e Agjencisë për t’i raportuar Bankës së Shqipërisë, Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu, është shtuar detyrimi i institucionit për të publikuar pasqyrat financiare të audituara, si dhe janë forcuar e detajuar dispozitat e mirëqeverisjes. (Si kërkesat dhe kriteret paraprake për anëtarët e Këshillit Drejtues dhe stafin e Agjencisë, shmangia e konfliktit të interesit, ruajtja e konfidencialitetit dhe mbrojtja ligjore gjatë ushtrimit të detyrës).
Në lidhje me mirëqeverisjen e veprimtarisë së Agjencisë, në projektligj janë përfshirë praktikat më të mira dhe janë zbatuar rekomandimet duke sjellë një ndarje të qartë të kompetencave dhe përgjegjësive të organeve drejtuese, si dhe detyrimit të institucionit për të bashkëpunuar me autoritetet dhe grupet e interesit për qëllim të sigurimit dhe kompensimit të depozitave.
– Një kapitull i veçantë i dedikohet regjimit të brendshëm financiar, i cili mbulon parakushtet e administrimit të rrezikut në veprimtarinë e Agjencisë. Projektligji përfshin konceptet e vlerësimit të rezervës së fondeve dhe deficitit të mundshëm të tyre dhe masave që mund të merren.
Po kështu në bazë të rekomandimeve janë formuluar dispozita të veçanta, të cilat garantojnë përputhshmërinë me parimet e kontabilitetit dhe ligjshmërisë. Një risi tjetër është përcaktimi i detyrimit të Agjencisë për të administruar në llogari të veçanta kontabël, fondet e sigurimit të depozitave në banka dhe shoqëri kursim-krediti, veçanërisht për proceset e kompensimit. Ndërkohë, në projektligj jepet hapësira e investimit të tyre në grup për një kthim më të mirë të fondeve.
Projektligji parashikon mjete të përmirësuara në lidhje me investimin e mjeteve financiare të Agjencisë, kjo e shoqëruar me parimet e likuiditetit, sigurisë, llogaridhënies dhe normës së kthimit.
– Projektligji detajon të drejtat e Agjencisë në fushën e bashkëpunimit institucional. Janë marrë në konsideratë rekomandimet e misionit FSAP për bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe të drejtën për informacion të Agjencisë, përfshirë veprimtarinë për ndërgjegjësimin e publikut mbi skemën e sigurimit të depozitave.
– Në projektligj paraqiten në mënyrë më të detajuar funksionet e Agjencisë në drejtim të iniciativës rregullatore, mbikëqyrëse dhe të zgjidhjes të subjekteve anëtare të skemës, si dhe për ushtrimin e masave parandaluese.
3. Përfituesit dhe efektet e financiare të projektligjit
Përfituesit kryesorë të projektligjit “Për sigurimin e depozitave” janë depozituesit individë të sistemit bankar dhe financiar në Shqipëri si dhe vetë ky sistem në tërësi, për shkak të qartësimit të kompetencave dhe funksioneve të institucioneve publike në skemë nga njëra anë dhe qartësimit të detyrimeve të bankave dhe shoqërive të kursim-kreditit që mbledhin depozita nga ana tjetër.
Ky projektligj forcon autonominë, qeverisjen dhe llogaridhënien e Agjencisë, në zbatim të Parimeve Themelore Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave.
Projektligji përmirëson marrëdhëniet e kësaj Agjencie me bankat dhe shoqëritë e kursim-kreditit në kuadër të përllogaritjes së primit të sigurimit, mbajtjes së të dhënave mbi depozitat dhe depozituesit dhe informimin e publikut.
Projektligji nuk cenon apo dëmton ndonjë grup, individë apo subjekte të veçantë. Nëpërmjet analizave të detajuar aktuariale bazuar në kostot dhe përfitimet, në kuadër të përcaktimit të niveleve maksimale të mbulimit dhe primeve të sigurimit, projektligji siguron një trajtim të barabartë ndërmjet bankave dhe shoqërive të kursim-kreditit.
Përfshirja e shoqërive të kursim-kreditit në skemën e sigurimit të depozitave, që do të çojë në rritjen dhe forcimin e besimit të depozituesve dhe rritjen e stabilitetit të sistemit bankar dhe financiar në vendin tonë, do të ketë efekte financiare prej 50 000 000 lekësh, të cilat do të financohen nga Buxheti i Shtetit të vitit 2014 të aprovuar.
Shënim: Pas prezantimit të ministrit, komisioni dëgjoi edhe grupet e interesit, të cilët kërkuan mbulim të depozitave sipas skemës (masës) që përdoret te bankat, për të patur trajtim të njëjtë dhe garanci për këtë sektor.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.