Gjermania, Bashkimi Europian (BE) dhe Qeveria Shqiptare nënshkruan sot marrëveshjet për rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës, njërit prej burimeve kryesore të energjisë në Shqipëri.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj, Drejtori i Përgjithshëm i KESH, z. Ergys Verdho dhe Drejtoresha e Zyrës së KfW-së në Tiranë, znj. Brit Horschke, përfaqësuese e Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), nënshkruan marrëveshjet e huas dhe granteve për rehabilitimin e Fierzës, të cilat përfshijnë një hua prej 40 milionë euro dhe një grant prej 2 milionë euro të dhënë nga Qeveria Federale Gjermane përmes KfW-së dhe një grant prej 8.35 milionë euro te dhënë nga BE përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Belinda Balluku, Ambasadori i BE-së në Shqipëri, z. Luigi Soreca dhe Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, z. Peter Zingraf.
Ky projekt është një nga projektet kryesorë të përzgjedhur për planin e investimeve ekonomike të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe si rrjedhojë ka një rëndësi të veçantë strategjike në nivel kombëtar dhe rajonal. Projekti do të mbështesë njërin prej burimeve më të rëndësishme energjetike të Shqipërisë, i cili prodhon 22 % të prodhimit të brendshëm dhe jep kontributin e tij në stabilizimin e furnizimit me energji elektrike në nivel rajonal.
Projekti ka për qëllim të sigurojë furnizim me energji elektrike afatgjatë, të qëndrueshëm dhe miqësor me mjedisin duke rritur me të paktën 30 vjet jetëgjatësinë prodhuese të hidrocentralit të Fierzës duke rritur gjithashtu efiçencën dhe kapacitetin e tij me të paktë 10 %. Kjo do të ndikojë edhe në uljen e importit të kushtueshëm të energjisë elektrike dhe uljes së CO2. Hidrocentrali i Fierzës administrohet nga KESH, i cili është prodhuesi më i madh i energjisë elektrike në vend me rreth 75% të prodhimit vendas në Shqipëri.
Fjala e Ministres Ibrahimaj:
Të Nderuar zotërinj Ambasadorë, zoti Soreca dhe zoti Zingraf,
E nderuar zonja Horshke,
E nderuar zonja Balluku,
Dëshiroj t’ju uroj mirëseardhjen në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve së dy granteve për projektin madhor të rehabilitimit të hidrocentralit të Fierzës, i cili është një projekt në kuadër të gjithë investimeve që qeveria shqiptare ka kryer në një nga sektorët kyç të ekonomisë, siç është ai i energjetikës.
Reformimi i këtij sektori mbetet prioritet strategjik i qeverisë shqiptare dhe për këtë arsye performanca dhe vijueshmëria e këtij angazhimi është i mbështetur gjerësisht nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Qëllimi i kësaj reforme është krijimi i një tregu të organizuar sipas modelit të Bashkimit Evropian, i cili bazohet në çmime konkurruese dhe udhëhiqet nga parimi i të qenit transparent, jodiskriminues dhe i qëndrueshëm.
Bashkimi Europian është një nga partnerët më të rëndësishëm ndërkombëtarë të qeverisë shqiptare, i cili na ofron një mbështetje me mbi 100 milionë euro ndihmë për procesin e hartimit, miratimit dhe zbatimit të një sërë reformave të rëndësishme politike, institucionale, sociale dhe ekonomike, në përputhje me vlerat e BE-së dhe angazhimet tona në rrugëtimin e integrimit në Bashkimin Europian.
Nga ana tjetër Gjermania, është një tjetër aleat i rëndësishëm me të cilin na lidh një marrëdhënie e shkëlqyer bashkëpunimi dypalësh. Mbështetja ndaj Shqipërisë nga ana e Gjermanisë mbetet e forte në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Konkretisht, ky bashkëpunim i frytshëm ka ndikuar ndjeshëm në përmirësimet e vazhdueshme të sektorit të energjisë, ujësjellës – kanalizimeve dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.
Vlera e angazhuar nga KfW për financimin e projekteve me anë të kredive ndër vite është rreth 778.6 milion EUR (95 miliardë lekë), ku peshën më të madhe e zënë investimet në sektorin e energjisë me rreth 40 % (rreth 308 milion Euro), në sektorin e ujësjellës kanalizimeve me 36.%, mbështetje buxhetore 12.8% dhe në sektorë të tjerë me 11.50%.
Sot, jemi këtu për të nënshkruajmë dy marrëveshje granti në fushën e energjisë, përkatësisht me vlerë: 8.35 milionë euro dhe 2 milionë euro, të cilat janë pjesë e paketës mbështetëse edhe të marrëveshjes së huas në vlerën 40 milionë euro, e cila u nënshkrua në fund të vitit 2021.
Këto grante të dhëna nga qeveria Gjermane do të lëvrohen nga KfW (KfW Development Bank) dhe Fondi i përbashkët Europian i BE-së dhe kanë si objektiv të përgjithshëm financimin e projektit të rehabilitimit të Hidrocentralit të Fierzës, mbështetur në marrëveshjen dy palëshe të nënshkruar më 27 janar 2021.
Financimi i këtij projekti të rëndësishëm do të ndihmojë në përmirësimin e sistemit elektroenergjetik, pasi Hidrocentrali i Fierzës përbën njësinë gjeneruese më të rëndësishme të sistemit elektroenergjetik shqiptar.
Gjithashtu, do të kontribuojë në zhvillimin social ekonomik të vendit, duke siguruar furnizim me energji për kohë të gjatë, të qëndrueshëm dhe pa ndikime në mjedis, duke zgjeruar periudhën e shfrytëzimit të HEC-it të Fierzës me të paktën 30 vjet.
Edhe një herë ju falënderoj për mbështetjen e vazhdueshme, marrëdhëniet e shkëlqyera dhe bashkëpunimin dypalësh.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.