Në vijim të zbatimit të Planit Operacional kundër Informalitetit, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë znj. Anila Denaj, e shoqëruar edhe nga Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj.Delina Ibrahimaj dhe Kryeinspektori i Inspektoriatit Shtetëror të Punës, z. Arben Seferaj, zhvilluan një inspektim të përbashkët në disa biznese në zonën e Gjirit të Lalzit, në Durrës.
Kontrollet kanë pasur në fokus deklarimin e punonjësve, pajisjen me kasa fiskale, lëshimin e kuponëve tatimorë, si dhe regjistrimin e deklarimit pranë organeve përkatëse. Disa prej bizneseve rezultuan me probleme në zbatimin e detyrimeve ligjore dhe tatimore.
Gjatë inspektimit në një subjekt që është në shkelje të ligjit fiskal, Ministrja Denaj tha se qeveria është në mbështetje të biznesit dhe konkurrencës së ndershme dhe apeloi ndaj subjektit për respektim të rregullave, ndërsa vuri theksin në bashkëpunimin që duhet të vendoset mes biznesit dhe administratës tatimore.
“Më lejoni t’ju njoftoj që në ndihmë të bashkëpunimit ju duhet të respektoni rregullat. Kjo do të thotë që nëse inspektimi i strukturave të administratës tatimore ka konstatuar shkelje dhe ka vendosur një shirit, për të cilin është thyer ligji, ju lutem shiritin nuk mund ta hiqni ju, por mund ta heqë vetëm administrata tatimore dhe nëse e ka hequr në kundërshtim me ligjin ju keni të gjithë të drejtën të ankoheni dhe të penalizojmë këdo që ka thyer ligjin, edhe nga ana jonë, nëse është e tillë. Nëse konstatohen shkelje ju duhet të komunikoni me ne, paguani detyrimin dhe ne heqim shiritin, po jo ju. Kjo është shumë e nevojshme. Ne duhet të mendojmë se si të bashkëpunojmë bashkë, jo si të jemi armiq me njëri-tjetrin. Eja, të ulemi të flasim se çfarë duhet të bëjmë përtej, si mund t’ju ndihmojmë ne për formalizimin. Ne nuk jemi armiq”, u shpreh Ministrja Denaj.
Duke u ndalur te Plani Operacional i luftës kundër informalitetit, Ministrja tha se ai përbën një luftë dhe aksion në mbështetje të biznesit dhe jo kundër tij, ndërsa u bëri thirrje bizneseve të formalizohen, të regjistrohen, të deklarojnë punonjësit dhe t’i paguajnë ata në mënyrë formale, si dhe të përdorin kasën fiskale për të dhënë kuponin tatimor.
“Jemi angazhuar këtë javë në një plan operacional shumë dimensional dhe pavarësisht akuzave që kjo është një luftë apo aksion kundër biznesit, në fakt kjo është një luftë dhe aksion për mbështetje të biznesit, mbi të gjitha biznesit të ndershëm që kërkon konkurrencë të ndershme. E bëj këtë apel për të gjithë bizneset, në radhë të parë për të thënë: Regjistrohuni. Përpara se të regjistroheni në “Booking”, regjistrohuni në qendrën tonë të regjistrimit, regjistroni çdo asset sikurse është kasa fiskale për të dhënë kuponin tatimor në kohë reale. E bëj këtë apel edhe në mbështetje të të gjithë punonjësve, të cilët duhet të heqin dorë të marrin rrogë “cash”, duhet ta marrin rrogën në llogarinë bankare dhe kjo përpjekje është dhe për ta, njëkohësisht”, tha znj. Denaj.
Më tej, Ministrja sqaroi se: “Ky plan operacional nuk po zbatohet vetëm ndaj një restoranti apo ndaj një hoteli, por po shtrihet në të gjithë territorin e vendit, për të evidentuar ato subjekte që janë duke shkelur rregullat jo vetëm të Administratës Tatimore, por të të gjithë shtetit. Nuk është aspak e këndshme të vendosësh shirita. T’i vendosësh në një restorant apo në një hotel në mes të sezonit turistik është akoma dhe më e dhimbshme, veçanërisht për mua si ministre e Financave dhe Ekonomisë. Por, është e nevojshme për të përcaktuar që biznesi duhet të ecë drejt ligjshmërisë”.
Gjithashtu, Ministrja Denaj vuri në dukje se prej më shumë se tre muajsh biznesi është informuar për përmbushjen vullnetare të detyrimeve ligjore. Vetëm në sektorin e bar-restoranteve janë informuar përmes Qendrës së Thirrjeve mbi 1,200 tatimpagues. “Por është e nevojshme të kuptojmë që nuk mund të rrimë vetëm me ndërgjegjësim, por kur ka shkelje të rregullave do të ketë edhe masa administrative”, theksoi Ministrja.
Ministrja informoi se janë evidentuar disa sektorë, të cilët paraqesin një risk potencial të evazionit fiskal, si dhe në mos regjistrimin e punonjësve. “Mbi 453 subjekte në sektorin e produkteve akcizës, 270 subjekte në sektorin e ndërtimit, të cilët janë evidentuar me risk më të lartë dhe për të cilin plani operacional do të vijojë të zbatohet në të gjithë territorin e vendit”, tha znj. Denaj.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.