Postuar më: 22/08/2022

Ibrahimaj: Politikat e ndërmarra nga qeveria ndikuan pozitivisht në ekonomi

 

Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të analizojë në vazhdimësi me kujdes të gjithë treguesit ekonomikë vendas dhe të huaj, me qëllim marrjen e masave të nevojshme për ruajtjen e stabilitetit fiskal dhe ekonomik në vend.

Kështu u shpreh Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, gjatë konferencës së përmuajshme për shtyp për prezantimin dhe analizimin e treguesve kryesorë më të fundit të ecurisë së ekonomisë.

Mbështetur në të dhënat e deritanishme, Ministrja Ibrahimaj tha se ekonomia e vendit ka vijuar performancën e saj pozitive, pavarësisht ndikimit negativ që ka pasur agresioni rus në Ukrainë, shoqëruar me rritje të çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe në vendin tonë.

Kjo ecuri pozitive e ekonomisë, tha Ibrahimaj, është mbështetur edhe nga politikat e ndërmarra nga qeveria, të cilat kanë pasur si qëllim mbështetjen e shtresave më në nevojë, ruajtjen e nivelit të konsumit dhe rritjen e mëtejshme të nivelit të investimeve.

Nga ana tjetër, Ministrja theksoi faktin se është bërë e mundur që niveli i inflacionit në vend të jetë i kontrolluar, ku për muajin korrik 2022 inflacioni rezultoi me një normë rritëse prej 7.5 %, ndërkohë që për 7 mujorin inflacioni mesatar ka qenë në vlerën 5.3 %, më i ulët se sa në vendet e tjera të rajonit dhe mesatarja e vendeve të BE.

“Ekonomia shqiptare gjatë tremujorit të parë performoi ndjeshëm mirë, si në aspektin e rritjes ekonomike, si në aspektin e treguesve të tregut të punës, ashtu edhe në të gjithë tregtinë e zhvilluar në vend. Të dhënat e tërthorta që ne kemi për treguesit e tremujorit të dytë, por edhe pjesërisht treguesit e tremujorit të tretë, na tregojnë që kjo rritje ka vijuar, duke përcjellë një efekt pozitiv të treguesve dhe të politikave fiskale dhe monetare të ndërmarrë deri tani, me qëllim ruajtjen e nivelit të konsumit dhe rritjen e mëtejshme të nivelit të investimeve. Ndërthurja e politikave, së bashku me mbështetjen për rritjen e çmimeve të karburanteve për ato sektorë të cilat kanë më shumë kosto në prodhim të ndërthurur me karburantin, ka sjellë që deri më tani ekonomia shqiptare të ketë një performancë pozitive, por që edhe inflacioni të jetë i kontrolluar, në krahasim me vendet e tjera të rajonit”, tha Ministrja.

Ecuria pozitive e ekonomisë dëshmohet edhe nga niveli i të ardhurave, ku për 7 mujorin ato u realizuan në nivelin 326.7 miliardë lekë, 45 miliardë lekë më shumë ose 15.9 % më të larta se sa e njëjta periudhë e një viti më parë.

Fjala e Ministres Ibrahimaj:

Përshëndetje të gjithëve,

Ju faleminderit që keni ardhur sot. Sikundër është bërë traditë gjatë vitit të fundit, bëjmë takimin e përmuajshëm për të analizuar ecurinë e treguesve më të fundit të disponueshëm të momentit për ekonominë shqiptare.

Ekonomia shqiptare, ashtu si dhe ajo e gjithë vendeve të tjera të botës, gjatë vitit të fundit është ndikuar nga efektet e agresionit rus në Ukrainë, të cilat kanë ndikuar në zinxhirët e prodhimit, në zinxhirët e tregtisë, duke ndikuar më tutje në çmimet në të gjithë vendet e botës dhe në Shqipëri.

Megjithatë, pavarësisht valët e inflacionit që kanë ndikuar në ekonomitë botërore, ekonomia shqiptare gjatë tremujorit të parë performoi ndjeshëm mirë, si në aspektin e rritjes ekonomike, si në aspektin e treguesve të tregut të punës, ashtu edhe në të gjithë tregtinë e zhvilluar në vend.

Nga ana tjetër, të dhënat e tërthorta që ne kemi për treguesit e tremujorit të dytë, por edhe pjesërisht treguesit e tremujorit të tretë, na tregojnë që kjo rritje ka vijuar të vazhdojë, duke përcjellë një efekt pozitiv të treguesve dhe të politikave fiskale dhe monetare të ndërmarrë deri tani, me qëllim ruajtjen e nivelit të konsumit dhe rritjen e mëtejshme të nivelit të investimeve.

Qeveria ka ndërmarrë disa politika përsa i përket mbështetjes dhe subvencionit të familjeve më në nevojë, me qëllim financimin e rritjes së çmimit për ato familje që nuk mund ta përballojnë rritjen e çmimit;

ngritja e Bordeve të ndryshme për të limituar rritjen e çmimeve, qoftë të karburanteve dhe të ushqimeve, e ndërthurur me politikën e subvencionit të energjisë elektrike;

jemi kujdesur që asnjë familje shqiptare të mos ketë efekte nga rritjet e konsiderueshme të çmimeve të energjisë elektrike në tregjet botërore, duke mbajtur të kontroll shpenzimet e tyre buxhetore dhe duke ndikuar direkt në buxhetin e çdo familjeje shqiptare nga njëra anë, e nga ana tjetër dhe duke ndikuar indirekt në inflacion duke mbajtur nën kontroll ato kosto shtesë që do t’i vinin pjesës më të madhe të bizneseve të ndikuar nga rritja e çmimeve të energjisë elektrike.

Ndërthurja e të gjithë këtyre politikave, së bashku me mbështetjen për rritjen e çmimeve të karburanteve për ato sektorë të cilat kanë më shumë kosto në prodhim të ndërthurur me karburantin, ka sjellë që deri më tani ekonomia shqiptare të ketë një performancë pozitive, por që edhe inflacioni të jetë i kontrolluar, në krahasim me vendet e tjera të rajonit.

Në korrik të këtij viti inflacioni rezultoi me një normë rritëse prej 7.5 %, ndërkohë që për 7 mujorin inflacioni mesatar ka qenë në vlerën 5.3 %.

Nëse do të krahasohemi me vendet e tjera të rajonit, por edhe me mesataren e BE, inflacioni në Shqipëri është ndjeshëm më i ulët, i ndikuar, siç e përmenda edhe më sipër, nga të gjitha politikat që kemi ndërmarrë deri më tani, qoftë ato fiskale, qoftë ato monetare, për të mbajtur nën kontroll nivelin e inflacionit.

Pra Shqipëria me një inflacion 7.5 % në muajin korrik është ndjeshëm më ulët se sa Maqedonia e Veriut e cila rezultoi me një rritje të çmimeve të konsumit vjetor me 16 %, Kosova 14.2 %, Serbia 12.8, Mali i Zi 14.9 %, ndërkohë që mesatarja e vendeve të BE është 8.9 %.

Elementi që ka ndikuar më së shumti në rritjen e çmimeve të shpenzimeve të shportës së shqiptarëve janë ushqimet dhe pijet, por edhe kostot e transportit.

Ushqimet dhe pijet për muajin korrik 2022 u rritën me 13.2 %. Megjithatë, nëse shohim analizën e ndryshimit mujor të çmimeve të konsumit, çmimet e ushqimeve dhe pijeve u rritën me 0.6 %, ndërkohë që inflacioni total u rrit me 0.2 %.

Kjo tregon se që nga fillimi i vitit ne kemi pasur një stabilizim të çmimeve dhe në muajt e fundit çmimet janë luhatur në rënie apo në rritje të ulët. Sigurisht që ecuria e çmimeve të konsumit ndikohet më së shumti dhe nga kërkesa dhe kërkesa e shtuar për mallra dhe për shërbime gjatë 7 mujorit të parë të vitit ka pasur ndikimin e vet në rritjen e inflacionit për këtë periudhë.

Të dhënat më të fundit tregojnë për një stabilitet të ekonomisë dhe një përgjigje pozitive të biznesit shqiptar ndaj asaj që po ndodh në të gjitha tregjet ndërkombëtare. Një përgjigje pozitive qoftë në reagimet dhe në sjelljet e tyre në investim, por edhe në pritshmëritë për të ardhmen afatmesme.

Kështu, totali i të ardhurave për periudhën janar-korrik pasqyron qartë ecurinë pozitive të ekonomisë. Të ardhurat për 7 mujorin u realizuan në nivelin 326.7 miliardë lekë, 45 miliardë lekë më shumë ose 15.9 % më të larta se sa e njëjta periudhë e një viti më parë.

Pak më parë analizova inflacionin mesatar i cili është në nivelin 5.3 %. Sigurisht që për produkte të ndryshme ka nivele të ndryshme të ndryshimit të çmimeve vjetore, por nëse do të marrim një agregat të totalit të çmimeve dhe një agregat të totalit të të ardhurave, ne shohim që rritja e të ardhurave në krahasim me vitin e kaluar është ndjeshëm më e lartë se sa rritja e çmimeve të konsumit. Kjo do të thotë se ne kemi një ecuri të ekonomisë shumë më të mirë se sa ajo e një viti më parë. Këtë nuk e tregojnë vetëm të ardhurat totale, por e tregojnë edhe të dhënat e TVSH-së, të cilat ndonëse janë të lidhura me rritjen e çmimeve, tregojnë një puls të mirë të ekonomisë dhe të performancës së ekonomisë për vitin që jemi duke jetuar.

TVSH-ja për periudhën 7 mujore u realizua në nivelin 117 miliardë lekë duke u rritur me 17 % në krahasim me një vit më parë. Unë doja t’ju kujtoj që edhe viti 2021 ka qenë një vit i mbarë për ekonominë shqiptare. Ndonëse baza ishte e ulët, prapë dhe viti 2021 në vetvete ishte ndjeshëm më lartë se sa një vit normal se sa viti 2019. Nëse do të heqim efektin e çmimeve në rritjen e TVSH, pra nga 17 % do të heqim 5.3 % që është mesatarisht rritja e çmimeve, shohim që kemi një ecuri shumë të mirë dhe të zërit të TVSH-së, i cili ka qenë një nga zërat më problematikë në vitet e mëparshme.

Kjo që sapo thashë është e mbështetur gjithashtu me qarkullimin. Rritja ekonomike duket që është e shpërndarë në të gjithë sektorët e ekonomisë. Qarkullimi total për 7 mujorin u rrit me 22 %, sipas të dhënave më të fundit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ndërkohë që në muajin korrik ai është rritur me 31 % në krahasim me muajin korrik të një viti më parë.

Rritjen më të lartë për periudhën 7 mujore e ka pasur sektori i tregtisë e ndërkohë të gjithë sektorët e tjerë kanë pasur rritje të qarkullimit.

Nga ana tjetër, edhe për muajin korrik kemi një ecuri pozitive të qarkullimit të shpërndarë në të gjithë sektorët e ekonomisë, që tregon si për rritje të konsumit, ashtu edhe për rritje të investimeve në vend.

Një tregues tjetër i ecurisë pozitive është treguesit i punësimit, ku për muajin qershor vendet e punës në vend arritën në nivelin 725.572 vende pune, një numër ndjeshëm më i lartë se sa një vit më parë, 15.108 vende pune më shumë se sa një vit më parë. Sigurisht punësimin e krahasojmë më një vit më parë duke qenë se ka një sjellje sezonale, pasi ka shumë biznese të cilat çelet për periudhën e verës dhe për të mbështetur turizmin. Por kjo dhe të gjitha shifrat e tjera tregojnë se është një sezon më i mbarë për ekonominë dhe për turizmin në veçanti.

Nga ana tjetër pagat kanë vijuar të rriten dhe duke mbështetur kështu indirekt buxhetet e familjeve shqiptare, për përballimin e krizës së çmimeve.

Një tjetër tregues që flet për ecurinë pozitive të ekonomisë gjatë muajve të fundit është treguesi i bizneseve aktive.

Në korrik të vitit 2022 janë124.550 biznese aktive në vend, me një rritje prej 3.4 % me korrikun e vitit 2021, ose 4111 biznese më shumë dhe me një rritje prej 7 % në krahasimin me numrin e bizneseve në fund të vitit 2021 ose 8130 biznese më shumë.

Aktiviteti i bizneseve tregon se ka pasur një ecuri pozitive. Gjatë vitit 2022 janë hapur rreth 11.376 biznese dhe janë pezulluar 2629 biznese, ndërkohë që janë shifra më pozitive se sa ato të vitit të kaluar ku ishin hapur 10.128 biznese dhe ishin mbyllur 2777 biznese.

Së fundmi dua të ndalem te ecuria e tregtisë së jashtme, e cila gjithashtu mbështet të gjithë treguesit që unë sapo analizova.

Për periudhën 7 mujore, sa i takon importeve në vlerë, kemi pasur një rritje të importeve me 24 %, ndërkohë që në vëllim kemi pasur një ngadalësim të importeve. Megjithatë, nëse do të shohim strukturën e importeve, shohim që në 7 mujor kemi pasur një rritje të importeve të ushqimeve dhe pijeve me 2 %, që tregon për një ecuri pozitive të konsumit, ndonëse kemi një rritje të konsiderueshme të çmimeve.

Gjithashtu, shohim një ecuri pozitive të importit të atyre elementëve të cilët janë elementë përbërës të prodhimit vendas si artikujt prej lëkure, prodhimet e drurit e tekstilet.

Ndërkohë, kemi pasur ecuri negative të importeve të karburanteve, sigurisht të ndikuar nga çmimet e larta të këtyre produkteve.

Nga ana tjetër, edhe eksportet në vlerë kanë pasur një rritje prej 40 %, duke reflektuar një ecuri pozitive të ekonomisë vendase dhe të prodhimit vendas. Në vëllim kemi pasur një ngadalësim me 5 %, ndikuar vetëm sektori i mineraleve dhe lëndëve djegëse që, siç e përmenda edhe më parë, është ndikuar nga çmimet e larta. Ndërkohë që të gjithë elementët e prodhimit kanë ardhur në rritje, ku për 7 mujorin eksportet në vëllim për ushqimet, pijet dhe duhanin janë rritur me 14 %, produktet kimike dhe plastike me 28 %, artikujt prej lëkure, lëndët e drurit dhe të gjithë elementët e prodhimit të ekonomisë shqiptare kanë pasur një rritje të konsiderueshme.

Konjuktura ndërkombëtare dhe dinamika e ekonomisë ndërkombëtare na dikton një vëmendje të shtuar ndaj të gjithë elementëve që mund të ndikojnë në vijim ekonominë vendase, ndonëse performanca e muajve të fundit ka qenë mjaft pozitive.

Për këto arsye, Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të ketë një vëmendje të shtuar në analizën e treguesve ekonomikë vendas dhe të huaj, me qëllim ruajtjen e stabilitetit fiskal dhe ekonomik në vend.

Faleminderit.