Postuar më: 02/11/2022

Ibrahimaj: Të ardhurat e buxhetit 2023 parashikohen 631.7 miliardë lekë, 8.7 % më shumë se viti 2022

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat, të ardhurat e projektbuxhetit të vitit 2022.

Në fjalën e saj, Ministrja u shpreh se programimi i të ardhurave për vitin 2023 mbështet synimet e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për rritjen graduale dhe të qëndrueshme të të ardhurave, mbajtjen nën kontroll të deficitit buxhetor dhe uljen e borxhit publik.

Gjithashtu, parashikimi i të ardhurave bazohet dhe në faktorët që do impaktojnë treguesit ekonomikë të vitit 2023 dhe risqet e mundshme me të cilat mund të përballet vendi, si niveli i lartë i inflacionit, import-eksportet në  sasi dhe vlerë, koniunktura e çmimeve të mallrave dhe bursat, investimet e planifikuara dhe të pritshme, problematika dhe ecuria e krizës energjetike.

Të ardhurat totale të buxhetit për vitin 2023 parashikohen të arrijnë në 631,7 miliardë lekë,  rreth 51 miliardë lekë më shumë krahasuar me të ardhurat totale të vitit 2022 dhe 120,8 miliardë lekë më shumë se ato të vitit 2021.

Nga totali i të ardhurave 631.7 miliardë lekë, të ardhurat tatimore zënë 587.8 miliardë lekë dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat parashikohen 431.2 miliardë lekë, ndërkohë të ardhurat nga kontributet e sigurimeve planifikohen 126.5 miliardë lekë.

Ministrja Ibrahimaj theksoi se rritja e programuar e të ardhurave mbështetet në rritjen ekonomike, forcimin e miradministrimit dhe rritjen e pagës minimale në nivelin 36 mijë lekë.

Po ashtu, sipas Ibrahimaj, të ardhurat buxhetore për vitin 2023 përfaqësojnë nivelin më të lartë të arritur deri tani jo vetëm në shifra absolute, por edhe në raport me Produktin e Brendshëm Bruto.

Në vitin 2023, parashikohet që të ardhurat totale të buxhetit të jenë 29 %  e Produktit të Brendshëm Bruto. Nga viti 2013, i cili u mbyll  në nivelin 24,2 % të të ardhurave totale ndaj PBB-së, rritja me rreth 5 pikë përqindje brenda një periudhe 10 vjeçare flet qartë për trendin pozitiv në konsolidimin e financave publike shqiptare”, u shpreh Ministrja Ibrahimaj.

Faktorët kryesorë që do të ndikojnë në rritjen e të ardhurave për vitin 2023 janë: efektet mbi të ardhurat nga projeksionet e treguesve makroekonomikë; efektet në të ardhurat nga propozimet e projektligjeve të Paketës Fiskale 2023; si dhe efektet e parashikuara nga përmirësimet në administrimin.

Fjala e Ministres Ibrahimaj:

I nderuar kryetar,

të nderuar deputetë,

Ky projektbuxhet është hartuar në kushtet e një krize, në përpjekje për t’u dhënë përgjigje pikërisht atyre problemeve që gjeneron një krizë si kjo e tanishmja, ndaj është bazuar në një kuadër makroekonomik të kujdesshëm, i cili sjell realizëm, disiplinë fiskale dhe buxhetore, ndryshim mentaliteti në përdorimin e fondeve publike, përgjegjësi dhe transparencë.

Për sa i përket rritjes ekonomike për vitin e ardhshëm, ne parashikojmë një rritje reale prej 2.6%. Parashikojmë se kjo rritje do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, konsumi dhe investimet, por në një pjesë dhe nga ajo e huaj neto.

Të ardhurat buxhetore për vitin 2023 përfaqësojnë nivelin më të lartë të arritur deri tani jo vetëm në shifra absolute, por edhe në raport me Produktin e Brendshëm Bruto.

Në vitin 2023, parashikohet që të ardhurat totale të buxhetit të jenë 29 %  e Produktit të Brendshëm Bruto. Nga viti 2013, i cili u mbyll  në nivelin 24,2 % të të ardhurave totale ndaj PBB-së, rritja me rreth 5 pikë përqindje brenda një periudhe 10 vjeçare flet qartë për trendin pozitiv në konsolidimin e financave publike shqiptare. Ky trend pozitiv, i përfaqësuar nga rritja me rreth 5 pikë përqindje ndaj PBB-së, reflektohet edhe në grupin e “të ardhurave tatimore” të cilat nga 22,2 % në fund të vitit 2013, arrijnë në 27 % në fund të vitit 2023.  Rritja mesatarisht me 0,5 % të PBB-së në këto 10 vjet është tregues i pakundërshtueshëm i përmirësimeve në politikat  tatimore dhe administrimin tatimor dhe doganor.

Nëse marrim parasysh edhe vitet mjaft të vështira 2020-2022, për shkak të efekteve negative në financat publike të tërmetit të vitit 2019, pandemisë Covid 19 dhe luftës në Ukrainë, arritja e nivelit të të ardhurave 29 % e PBB-së është arritje domethënëse. Pa efektet negative të faktorëve që përmendëm më lart dhe që impaktuan situatën e 3 viteve të njëpasnjëshme, me siguri që të ardhurat totale  të buxhetit në vitin 2023 do të ishin mbi 30 % të PBB-së, një objektiv ky i shumësynuar nga çdo qeveri që ka drejtuar këtë vend.

Në terma absolutë, të ardhurat totale të buxhetit të vitit 2023 parashikohen të arrijnë në 631,7 miliardë lekë,  rreth 51 miliardë lekë më shumë krahasuar me të ardhurat totale të vitit 2022 dhe 120,8 miliardë lekë më shumë se ato të vitit 2021.

Programimi i të ardhurave për vitin 2023 mbështet synimet e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për rritjen graduale dhe të qëndrueshme të të ardhurave, mbajtjen nën kontroll të deficitit buxhetor dhe uljen e borxhit publik. Projeksioni i të ardhurave bazohet në faktorët që do impaktojnë treguesit ekonomikë të vitit 2023, si dhe risqet e mundshme me të cilat mund të përballemi, të tilla si niveli i lartë i inflacionit, import-eksportet në  sasi dhe vlerë, koniuktura e çmimeve të mallrave dhe bursat, investimet e planifikuara dhe të pritshme, problematika dhe ecuria e krizës energjetike.

Metodologjia e programimit të të ardhurave është bazuar në modelet bashkëkohore dhe në analizën e detajuar të faktorëve që ndikojnë secilën kategori të tatimeve dhe taksave.

Nga totali i të ardhurave 631.7 miliard lekë në vitin 2023, të ardhurat tatimore zënë 587.8 miliardë lekë dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat parashikohen 431.2 miliardë lekë. Ndërkohë, të ardhurat nga kontributet e sigurimeve planifikohen 126.5 miliardë lekë.

Të ardhurat gjithsej të buxhetit të shtetit për vitin 2023 priten të rriten me 8.7 % krahasuar me nivelin e pritshëm për vitin 2022, ndërsa të ardhurat tatimore do të rriten me 8,02 %. Të ardhurat tatimore që mblidhen nga tatimet dhe doganat rriten me 9,14 %, të ardhurat e pushtetit vendor 5,50 % dhe të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore rriten me 6.70 %.

Të ardhurat tatimore dhe doganore, përfshirë edhe kontributet e mbledhura nga administrata tatimore, janë parashikuar bazuar në analizën e trendit historik të të ardhurave dhe analizën e 60 grup-produkteve kryesore të importit për një periudhë shumëvjeçare. Ky parashikim është korrektuar me efektet e faktorëve të tjerë të jashtëm me ndikim në secilën taksë.

Faktorët që janë konsideruar se ndikojnë në rritjen e të ardhurave për vitin 2023 janë:

  • Efektet mbi të ardhurat nga projeksionet e treguesve makroekonomikë. Analiza është bërë në mënyrë të integruar me faktorë të tjerë për çdo taksë në veçanti, të ndërlidhur me të dhënat historike dhe projeksionet e çmimeve në tregjeve ndërkombëtare tek taksat ad-valorem si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, efektet mbi Rentën minerare dhe Taksat doganore. Në projeksion janë përfshirë faktorë që lidhen me rritjen nominale të PBB-së, kursin mesatar të këmbimit EURO–Lek dhe USD-Lek, si dhe çmimet brent të naftës bruto dhe mineraleve të tjera. Në këtë kuadër janë projektuar të ardhurat shtesë nga: (i) rritja ekonomike; dhe (ii) rritja e indeksit të çmimeve mbi tatimet advalorem. Fillimisht realizimi i pritshëm i vitit 2022 është zhveshur nga të ardhurat one-off të realizuara në vitin 2022 (si tatimi nga rivlerësimi i pasurive të paluajtshme). Nga rritja ekonomike dhe indeksi i çmimeve, është projektuar që të ardhurat e vitit 2023 të rriten me 23,2 miliardë lekë.

 

  • Efektet në të ardhurat nga propozimet e Paketës Fiskale 2023 dhe ligjeve të shoqëruara me të janë si më poshtë: Paketa fiskale e propozuar që mbështet të ardhurat e buxhetit të shtetit për vitin 2023, ka parashikuar një sërë ndryshimesh në Akciza, Tatimin mbi të Ardhurat Personale nga paga dhe nga shërbimet profesionale, Kontributet e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore, Lojrat e Fatit dhe në taksimin e energjisë elektrike për prodhuesit me çmim të liberalizuar. Paketa fiskale ka një efekt të përgjithshëm në të ardhurat e buxhetit prej rreth 16,6 miliardë lekë.

 

  • Efektet e projektuara nga përmirësimet në administrimin. Administrata tatimore dhe ajo doganore janë në fazën e implementimit të reformave të rëndësishme, të cilat janë të parashikuara në strategjitë afatmesme përkatëse të dy institucioneve. Objektivi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë është që brenda një periudhe afatmesme, të ardhurat nga përmirësimi i administrimit tatimor dhe doganor të rriten me 1,5 % të PBB-së. Për realizimin e këtij objektivi, është parashikuar që rritja e të ardhurave nga përmirësimi i administrimit tatimor në vitin 2023 të jetë 5,4 miliardë lekë në krahasim me vitin 2022.

 

Parashikimi i të ardhurave sipas zërave për vitin 2023:

Të ardhurat nga “T.V.SH-ja” parashikohet të jetë 211 miliardë lekë, 15 miliardë lek ose 7.7% më shumë se pritshmëria për vitin 2022. Burimet e rritjes së TVSH-se në vitin 2023 do të jenë:

  • TVSH që do të gjenerohet si rezultat i rritjes ekonomike;
  • TVSH nga rritja e volumit të importeve dhe koniunktura e çmimeve ndërkombëtare;
  • TVSH nga përmirësimi i administrimit, lufta ndaj informalitetit dhe kontrolli i zinxhirit të transaksioneve ndërmjet operatorëve;

 

Të ardhurat nga “Tatimi mbi Fitimin” vlerësohen me rritje 4.2% ose 2 miliardë lekë më shumë se viti 2022, pra në total parashikohet të arkëtohen 49.5 miliardë lekë. Rritja e parashikuar në tatimin mbi fitimin bazohet në forcimin e kontrollit të deklaratave bazuar në kriteret e riskut;

Të ardhurat nga “Akciza” vlerësohen të jenë 59 miliardë lekë, me një rritje prej 4 miliardë lekë ose 7.3% më shumë se pritshmëritë e vitit 2022. Faktorët kryesorë që do ndikojnë lidhen me rritjen e importit të mallrave të fortë si karburante dhe cigare, forcimin e luftës kundër informalitetit, nëpërmjet kontrollit rigoroz të subjekteve të akcizës, disiplinimit të mëtejshëm të procedurave të përfitimit të përjashtimeve dhe rimbursimeve nga kjo taksë, si dhe efektet e paketës fiskale.

Të ardhurat nga “Tatimi mbi të Ardhurat Personale” parashikohen në 49 miliardë lekë, me një rritje prej 2.5 miliardë lekë ose 5.4% më shumë se pritshmëritë për vitin 2022.  Në parashikimin e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale, janë marrë në konsideratë efektet e ligjit të ri të tatimit mbi të ardhurat dhe rritja e numrit të të punësuarve.

Të ardhurat nga “Taksa Nacionale dhe të tjera” vlerësohen të jenë 42.5 miliardë lekë. Parashikimet për këtë taksë për vitin 2023 janë 6% ose 2.5 miliardë lekë më shumë se i pritshmi i vitit 2022.

Të ardhurat nga “Taksa Doganore” në vitin 2023 vlerësohet të jenë 8.5 miliardë lekë. Në programimin e të ardhurave janë marrë në konsideratë efektet e rritjes së importeve të tatueshme, si dhe disa efekte minimale nga lëvizja e tarifave doganore.

Të ardhurat nga “Taksa mbi Lojrat e Fatit” në vitin 2023 vlerësohen të jenë 2 miliardë lekë.

Të ardhurat nga taksa speciale për “prodhuesit e energjisë elektrike që e eksportojnë” do të vijnë nga fitimet e ekstra të realizuara nga prodhuesit e energjisë elektrike, për shkak të çmimeve shumëfish të rritura të energjisë elektrike gjatë vitit 2022, potencialisht edhe për vitin 2023.

Të ardhurat nga “Kontributet për Sigurime Shoqërore e Shëndetësore” në vitin 2023 parashikohen të rriten me 5% ose 6 miliardë lekë krahasuar me të pritshmin e vitit 2022. Të ardhurat gjithsej nga kontributet, së bashku me të ardhurat nga bujqit dhe të vetë siguruarit që mbledh ISSH pritet të jenë në total 126.5 miliardë lekë, nga 120.5 miliardë lekë që parashikohet se do arkëtohen në vitin 2022.

Rritja e programuar e të ardhurave mbështetet në:

  • rritjen ekonomike;
  • forcimin e miradministrimit;
  • rritja e pagës minimale në nivelin 36 mijë lekë

 

Faleminderit.