Postuar më: 17/07/2020

Këshilli i Ministrave miraton ndryshimet në projektligjin “ Për tatimin mbi të ardhurat”

Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Qëllimi i këtij projektligj është të ndihmojë në realizimin e reformave të ndërmarra së fundmi nga qeveria në kuadër të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, si dhe të lehtësojë barrën fiskale për disa kategori biznesi, nëpërmjet zerimit të shkallës tatimore.

Më konkretisht:

  • Shkalla tatimore e aplikueshme mbi fitimin e tatueshëm, për tatimpaguesit që i nënshtrohen tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, me qarkullim vjetor nga 5 deri në 8 milionë lekë, është 5% për qind.
  • Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin, për tatimpaguesit me qarkullim vjetor nga 0 deri në 5 milionë lekë, është 0 lekë në vit.

Gjithashtu propozohet që tatimpaguesit me qarkullim, deri në 14 milionë lekë të mos tatohen, pra norma e tatim fitimit të jetë në shkallën 0%.

Ndër të tjera ndryshimet e propozuara në këtë projektligj kanë për qëllim harmonizimin dhe me ndryshimet ligjore të propozuara në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar, ku parashikohet një rritje e pragut të TVSH-së nga 2 milionë lekë qarkullim vjetor që është aktualisht në 10 milionë lekë qarkullim vjetor.

Ministria e Financave vlerëson se efektet në buxhetin e shtetit nga këto ndryshime do të jenë në masën -300 milionë lekë/vit dhe do të përfitojnë rreth 12,257 subjekte.

Qeveria shqiptare në vitet e fundit  ka ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme për sa i përket tatimit mbi  fitimit dhe tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël.