Këshilli Kombëtar i Punës zhvilloi mbledhjen e tij të parë për këtë vit nën drejtimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e cila është dhe kryetare e tij.
Në këtë mbledhje, Ministrja Ibrahimaj informoi mbi nismat e fundit të ndërmarrë nga qeveria në kuadër të politikave të punësimit.
Ministrja ftoi të gjithë organizmat për të forcuar më tej bashkëpunimin dhe komunikimin me qëllim hartimin e politikave sa më efikase për tregun e punës në Shqipëri, veçanërisht në kushtet me të cilat po përballet ekonomia e vendit.
Në takimin e KKP u prezantua VKM nr. 356, datë 26.05.2022 “Për caktimin e Organizatave të Punëdhënësve dhe të Organizatave Sindikale në Këshillin Kombëtar të Punës”, dhe urdhri i Ministrit të Financave dhe Ekonomisë “Për emërimin e anëtarëve dhe kandidatëve në KKP, përfaqësues të organizatave të punëdhënësve dhe të punëmarrësve”.
Gjithashtu, u zgjodhën dy nënkryetarët e Këshillit Kombëtar të Punës, një nga pala punëmarrëse dhe një nga pala punëdhënëse.
Një nga pikat kryesore të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Punës ishte dhe informimi i anëtarëve të tij mbi aktivitetin e Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore. Zv. Kryeinspektorja e ISHPSHSH, Irida Qosja bëri një prezantim të veprimtarisë së institucionit për vitin 2022 dhe objektivat për vitin 2023, ku fokusi kryesor do të jetë respektimi i të drejtave dhe detyrimeve të punëmarrësve dhe punëdhënësve në respektim të Kodit të Punës dhe reduktimi i informalitetit në tregun e punës.
Një tjetër institucion i varësisë së Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë që raporti në mbledhjen e KKP ishte dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive. Drejtuesi i AKPA, Klevis Hysa informoi mbi veprimtarinë dhe rolin e institucionit për vitin 2022 dhe objektivat për vitin 2023, ku fokusi do të jetë sigurisht forcimi i bashkëpunimit me bizneset, në mënyrë që oferta e punës t’i përgjigjet më së miri kërkesave dhe nevojave të tregut të punës.
Sektori i turizmit dhe masat e marra nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në mbështetje të këtij sektori në kuadër të sezonit turistik ishte një tjetër çështje e cila zuri hapësirën e saj në mbledhjen e KKP. Zv/Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Almira Xhambulla, bëri një informim mbi masat e marra për mbarëvajtjen e sezonit turistik veror.
Gjatë mbledhjes, u diskutuan edhe çështje të ndryshme nga punëdhënësit dhe punëmarrësit, sipas problematikave përkatëse.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.