Shqipëria dhe Ukraina kanë potencial të zhvillojnë më tej marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes tyre.
Një gjë e tillë u konstatua në takimin e parë të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tregtar Shqipëri-Ukrainë.
Gjatë këtij takimi, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, bëri një prezantim të situatës ekonomike në vend dhe të arritjeve kryesore të qeverisë për zbatimin e reformave të nevojshme për përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë.
Ministrja Ibrahimaj theksoi rëndësinë që ka forcimi i bashkëpunimit të mëtejshëm mes Shqipërisë dhe Ukrainës, sidomos në aspektin ekonomik.
Sa i përket fushave kryesore ekonomike që mund të jenë me interes për investitorët ukrainas, Ministrja përmendi bujqësinë, turizmin, energjinë, transportin dhe sektorin financiar.
Pala shqiptare dhe pala ukrainase, e cila kryesohej nga z. Roman Leshchenko, Ministër i Politikës Agrare dhe Ushqimit të Ukrainës, ranë dakord për rigjallërimin e marrëdhënieve dypalëshe, pavarësisht sfidës së përbashkët, siç është pandemia Covid-19.
Takimi i radhës në funksion të realizimit të objektivave të përbashkët do të zhvillohet në Kiev, në muajin prill të këtij viti.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.