Postuar më: 22/05/2014

Kuvendi miraton me 95 vota ligjin “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”

Në seancën plenare të datës 22 maj 2014, është miratuar me 95 vota  Pro projektligji “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”, duke realizuar kështu një objektiv shumë të rëndësishëm të rregullimit të industrisë së sigurimit.  Miratimi i projektligjit, krijon hapësira dhe mundëson krijimin e shanseve të barabarta në industrinë e sigurimit, përmirësimin e imazhit dhe pranimin nga të gjithë të standardeve dhe praktikave më të mira të qeverisjes, mbikëqyrjes dhe kontrollit.  Ky ligj do të pasohet shumë shpejt nga ligje të tjera që synojnë rregullimin e sektorëve të ekonomisë,  me qëllim krijimin e  një marrëdhënieje të re të shtetit me privatin  dhe shtysën për zhvillim të qëndrueshëm.

 

1. Arsyet kryesore për ndryshimin e ligjit:

  • Ligji “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit” paraqitet në kuadër të reformave të thella të ekonomisë shqiptare dhe më konkretisht të sistemit financiar.

-Stabiliteti i sektorit financiar mbetet një nga shtyllat kryesor për zhvillimin ekonomik, dhe hapësira  e  tregut të   sigurimeve paraqitet në vështirësi jo të vogla. Në këto rrethana po ndërhyhet për të siguruar mbarëvajtjen e tregut të sigurimeve, si dhe për të nxitur progresin e mëtejshëm në të.

  • Projektligji në hartimin e tij është bazuar në direktivat kryesore evropiane, duke synuar harmonizimin e legjislacionit tonë me atë të BE-së, në përputhje të plotë me objektivin madhor të qeverisë: aderimin e vendit në Bashkimin Evropian.
  • Ky projektligj është produkt i bashkëpunimit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, grupeve të interesit, Ministrisë së Financave, Bankës Botërore në kuadër të projektit për një mbikëqyrje efektive financuar nga FIRST Iniciativë, si dhe konsultimit me ekspertë të huaj të BE-së të fushës së sigurimeve.
  • Projektligji përqaset me kriteret dhe standardet ndërkombëtare të mbikëqyrjes së sigurimeve, ICP, të shpallura nga Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS)

 

2. Aspektet që përmirësohen nëpërmjet projektligjit

  • Rritet siguria e sektorit duke kontrolluar në mënyrë bashkëkohore shoqëritë e sigurimit:

– Mbikëqyrja e re me fokus risku:

  1. i.  Ligji sjell përmirësime rrënjësore pasi synon që problemet financiare të parandalohen përpara se të ndodhin, në vend që të punohet për zgjidhjen e tyre pasi ato të kenë ndodhur. Autoriteti, kur e gjykon të nevojshme, ka të drejtë të ndërhyjë në marrjen e masave të mbikëqyrjes me synimin e parandalimit në kohë të problemeve financiare, që mund t’i ndodhin shoqërisë së sigurimit.
  2. ii.  Do të ketë një shpërndarje më eficiente të burimeve të AMF-së, duke u larguar nga metodologjia klasike me bazë rregullat.

– Koncept i ri për kriteret që duhet të plotësojnë personat kyç në vendimmarrjen dhe drejtimin e shoqërisë:

  1. i.  Drejtuesit duhet të jenë të aftë dhe të përshtatshëm (fit and proper) për të marrë përsipër rolet drejtuese.
  2. ii. Të aftë dhe të përshtatshëm (fit and proper) duhet të jenë edhe aksionarët influencues dhe funksionarët kyç.

– Shtimin e hapësirës së mbikëqyrjes së Autoritetit jo vetëm te shoqëria e sigurimit, por edhe ndaj grupit në të cilin mund të bëjë pjesë shoqëria e sigurimit.

  • Siguria e konsumatorit:

– Rritja e transparencës dhe informimit të konsumatorit nga ana e shoqërive të sigurimit duke parashikuar në mënyrë të qartë se shoqëria e sigurimit duhet të informojë të siguruarin përpara nënshkrimit të kontratës në lidhje më subjektin e sigurimit, mbulimin dhe çështje të tjera. Detyrimi për informim fillon para nënshkrimit të kontratës dhe vazhdon gjatë periudhës së vlefshmërisë të kontratës.

 

3. Përfituesit dhe efektet e financiare të projektligjit

1.Përfituesit kryesorë të këtij projektligji janë konsumatorët:

  • hapësirat ligjore të mbrojtjes së tyre janë të përcaktuara në një kapitull të veçantë dhe në mënyrë të detajuar (parashikime në lidhje me detyrimin e siguruesit për dhënien e informacionit të plotë e të qartë para nënshkrimit të kontratës së sigurimit dhe informimin e të siguruarit gjatë gjithë afatit të vlefshmërisë së kontratës).
  • parashikimet e dispozitave që lidhen me trajtimin e kërkesave për dëmshpërblim të konsumatorit përcaktojnë detyrimin e shoqërive të sigurimit për të trajtuar në kohë, në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe transparente.

 

2. Stabilizimi i tregut sjell përfitime si për aktorët e tregut, shoqëritë e sigurimit dhe të siguruarit, ashtu          edhe për ekonominë e vendit.

3. Projektligji nuk ka efekte financiare në buxhet.

4. Projektligji, në momentin e hyrjes në fuqi, ka efekt mbi, por duke mos cenuar, veprimtarinë e          shoqërive të sigurimit, për arsye se, me hyrjen në fuqi të ligjit, shoqëritë e sigurimit janë të detyruara të përshtatin kapacitetet financiare në përputhje me parashikimet e këtij projektligji, si edhe kërkesat ndaj drejtuesve të shoqërive. Por projektligji ka parashikuar që personat, të cilët në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë një licencë për të ushtruar një veprimtari sigurimi, dhe janë të regjistruar në QKR, vazhdojnë të ushtrojnë veprimtari sigurimi sipas dispozitave të ligjit ekzistues, në klasat e sigurimit të përcaktuara në licencën ekzistuese, duke i lënë një periudhë të arsyeshme që varion nga 6 muaj deri në 2 vjet (sipas çështjeve të ndryshme) për përshtatjen e veprimtarisë.

Të rejat e fundit