Postuar më: 26/02/2021

Lehtësitë fiskale Denaj: Ndihmë biznesit dhe nxitje punësimit përmes formimit profesional në 10 qendra

 

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, bashkë me Ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, zhvilluan një vizitë në në mjediset e kompanisë “Meko 98”, në Vorë,  ku prodhimet e veshjeve falë cilësisë nën markën “Made in Albania” tashmë kanë arritur në tregun europian dhe amerikan.

Ministrja Denaj gjatë një bisede me punonjëset e këtij  biznesi, i informoi  se, “tatimfitimi zero dhe TVSH zero është një mbështetje e fortë për biznesin e vogël, si në asnjë vend të rajonit. Po nxisim prodhimin dhe mbështesim biznesin me politika fiskale për të rigjeneruar ekonominë dhe rritjen e punësimit”.

Gjithashtu zyrat e punës në të gjithë Shqipërinë janë bërë sot një pikë qëndrese, jo vetëm e individëve që kërkojnë punë, por edhe e bizneseve që kërkojnë të punësuar dhe në këtë zonë ne kemi pasur dhe sipërmarrje të tjera që kanë kërkuar punësim në numër të konsiderueshëm, u shpreh Denaj.

“Ne realizojmë edhe një proces që është përgatitja  për vendin e punës. Është kosto që e ka biznesi, por shteti i ka ardhur në ndihmë përmes formimit profesional që adresohet në 10 qendra në të gjithë Shqipërinë”, u  shpreh Ministrja e Finncave dhe Ekonomisë,  Denaj.

E pyetur nëse do të ketë mundësi për rritje të mëtejshme të pagës minimale prej 30 mijë lekë, Denaj tha se, “paga 30 mijë lekë diskutohet sot që prej 1 janarit si një detyrim për të gjithë sipërmarrësit për të paguar punonjësit e tyre. Në të ardhmen sikurse e kemi treguar që kemi kontribuuar në rritjen e pagës minimale me gati 36% rritje nga viti 2013 deri sot në 2021, mendojmë që kjo është një perspektivë që shkon dhe na përafron me standardet ndërkombëtare”.

Denaj shpjegoi se  tashmë kemi dyfishim të ndihmës ekonomike, ndërsa e vuri theksin  te synimi I Qeverisë për të rritur punësimin, si një factor shumë I rëndësishëm në  rritjen ekonomike.

Ministrja  foli edhe në lidhje me mbështetjen ndaj biznesit fason për të kapërcyer vështirësitë e pandemisë, nëpërmjet garancive  sovrane vitin e kaluar si në aspekt të pagave, ashtu edhe në raport me nevojën për blerjen e makinerive të tjera.

“Garancia e dytë sovrane është shtyrë në afat deri në qershor të këtij viti, që të presim sa kjo situtatë të shkojë drejt normalitetit”, informoi Denaj.