Një fazë e re projekti u njoftua sot për përmirësimin e rregullave dhe praktikave të raportimit financiar në Shqipëri. Zëvendësministrja e Financave, znj.Irena Beqiraj, së bashku me Ambasadorin zviceran z. Christoph Graf dhe udhëheqësin e projektit nga Banka Botërore z. Andrei Busuoic prezantuan projektin, i cili do të ndihmojë në përmirësimin e kontabilitetit, auditimit, dhe raportimit për kompanitë.
“Ne jemi të vetëdijshëm që rregullat, por edhe insitucionet në fushën e kontabilitetit dhe auditimit, si dhe kapacitet e profesionistëve kontabël dhe auditues kanë nevojë për përmirësim”, tha zëvendësministrja e Financave, Irena Beqiraj. “Pritshmëritë kryesore nga ana jonë nëpërmjet zbatimit të këtyre reformave në një periudhë deri afatmesëm janë rritja e transparencës dhe përgjegjshmërisë në raportimin financiar, përmirësimi i vendimmarrjes për huamarrjen, huadhënien, dhe rritjen e investimeve, rritja e besimit të investitorëve të mundshëm, si dhe pa diskutim kontributi në përpjekjet tona të vazhdueshme në luftën ndaj korrupsionit”, vazhdoi znj. Beqiraj.
Në fjalën e tij Ambasadori zviceran Christoph Graf theksoi se rregullat që përmbushin standardet e BE-së duhet të zbatohen në fushën e raportimit financiar. “Konfidenca dhe besimi janë parakushte për rritjen e investimeve dhe rritjen ekonomike. Investitorët, pronarët e bizneseve, sipërmarrësit, kanë nevojë të jenë konfidentë që informacioni mbi kompanitë të jetë I saktë dhe transparent – për marrje vendimesh”,- tha Ambasadori Graf, ndërsa shtoi se raportimi i mirë financiar ndihmon gjithashtu autoritetet financiare dhe bankat. “Përmirësimi i cilësisë së raportimit financiar të kompanive është një nga mënyrat për të arritur më shumë konfidencë dhe besim midis investitorëve, qeverisë dhe bankave. Prandaj, së bashku me Bankën Botërore dhe Ministrinë e Financave, Zvicra po mbështet këtë fazë të dytë të rritjes së cilësisë së raportimit financiar në Shqipëri, duke ndërtuar mbi arritjet dhe mësimet e mësuara nga projekti i mëparshëm”.
Faza e re e projektit synon të përmirësojë përgjegjshmërinë dhe transparencën e raportimit financiar të kompanive, duke harmonizuar kuadrin statutor dhe institucional të Shqipërisë me legjislacionin e BE-së. Në veçanti do të forcojë kapacitetet e kontabilistëve dhe auditorëve, do të rrisë disponueshmërinë e informacionit financiar të kompanive, dhe do të përmirësojë kapacitetet monitoruese të rregullatorëve si Ministria e Financës dhe autoritete të tjera me efektin e raportimit më të mirë financiar nga kompanitë. Një pjesë e projektit fokusohet në programin mësimor të Universiteteve me qëllim përgatitjen e studentëve për standardet ndërkombëtare të kontabilitetit dhe raportimit.
Ky grant i fundit është pjesë e mbështetjes së përgjithshme që Zvicra jep për përmirësimin e treguesve makro-ekonomikë dhe mjedisin e biznesit në Shqipëri. I zbatuar nga Banka Botërore projekti është i përhapur edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor me financim nga BE.
Pavarësisht reformave më të fundit në kuadrin rregullator të biznesit, Shqipëria ka nevojë të vazhdojë modernizimin dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit. Në këtë kontekst, ka nevojë të rritet konfidenca në raportimin financiar dhe të sigurohet besueshmëria e informacionit financiar të kompanive.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.