Postuar më: 10/07/2020

MFE nis konsultimin publik për p/ligjin  “Për regjistrin e pronarëve përfitues”

 

Ministria e Financave dhe Ekonomisë nisi  konsultimin publik me grupet e interesit për projektligjin “Për regjistrin e pronarëve përfitues, në  kuadër të rritjes së transparencës, të masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Qëllimi i këtij projektligji, është krijimi, funksionimi dhe administrimi i Regjistrit të Pronarëve Përfitues, në funksion të së cilës përkufizohet termi  pronar përfitues i subjekteve të regjistruara në Republikën e Shqipërisë,  të cilët kanë detyrimin ligjor të regjistrojnë pronarin përfitues duke rregulluar të drejtat dhe detyrimet përkatëse të tyre. Gjithashtu,  nëpërmjet këtij p/ligji rregullohet procedura dhe mënyra e mbajtjes së të dhënave të regjistruara të pronarëve përfitues, si dhe parashikohen masat ndëshkuese në rast të mosregjistrimit të pronarëve përfitues apo mospërmbushjes së detyrimeve ligjore të përcaktuara nga ky ligj.

Projektligji “Për regjistrin e pronarëve përfitues” është hartuar në zbatim të rekomandimeve të Komitetit të Ekspertëve për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (MONEYVAL) të Këshillit të Europës.

Aktualisht, referuar dispozitave ligjore në fuqi, subjektet e regjistruara në Republikën e Shqipërisë dhe të dhënat e tyre, ndër të tjera lidhur me objektin e aktivitetin dhe gjendjen e ortakërisë regjistrohen dhe administrohen në Regjistrin Tregtar (QKB) dhe për organizatat jofitimprurëse, në Regjistrin e Organizatave jofitimprurëse (aktualisht Gjykatë-DPT).

Ndërkohë, referuar rekomandimeve të Moneyval, është kërkuar ndërtimi i një regjistri në bazë të së cilës të identifikohet dhe regjistrohet pronari përfitues i subjekteve tregtare dhe organizatave jofitimprurëse të regjistruara në Republikën e Shqipërisë.

Me anë të këtij projektligji, nëpërmjet:

– përkufizimit të pronarit përfitues;

– caktimit të subjekteve që kanë detyrimin e regjistrimit të tyre pranë regjistrit të krijuar për këtë qëllim;

-përcaktimit njëkohësisht dhe të drejtave  dhe detyrimeve të tyre;

– institucionit të ngarkuar me regjistrimin e të dhënave dhe administrimin e tyre;

-institucionet e tjera që me qëllim përmbushjen e detyrimeve ligjore  duhet të aksesojnë në të dhënat e regjistruara;

synohet të identifikohet pronari përfitues, i cili ka i fundit në pronësi ose ushtron kontrollin e fundit efektiv ndaj një personi juridik(subjekt tregtar dhe OJF) të regjistruar në Republikën e Shqipërisë dhe identifikuar me NUIS/NIPT.

Ndërkohë, në funksion të përmbushjes së detyrimit ligjor për identifikimin; raportimin dhe regjistrimin e pronarit përfitues janë parashikuar masat ndëshkuese në rast të mospërmbushjes së këtij detyrimi ligjor, brenda afatit të parashikuar në ligj.

Projektligji është hartuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Biznesit, dhe me asistencën teknike të GIZ, dhe nuk ka efekte financiare në buxhetin e shtetit.