Postuar më: 20/01/2016

Ministri Cani: Aktet normative nuk cënojnë parametrat e buxhetit, totali i të ardhurave dhe shpenzimeve nuk pëson asnjë ndryshim

Ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani ka paraqitur në Komisionin e Përhershëm Kuvendor të Ekonomisë dhe të Financave, dy aktet normative të fundvitit 2015. Dy aktet normative, që ndërmerren jo nëpërmjet procedurës normale të rishikimit të buxhetit vjetor, sipas ministrit Cani, kanë siguruar transferimin e rreth 5.2 miliardë lekëve nga projektet me performancë të ulët në ato me performancë më të lartë midis institucioneve dhe fondeve me financim të huaj apo të brendshëm. Po ashtu, me rreth 2.5 miliardë lekë janë rritur fondet që përdoren për zhvillimin rajonal, pra është një investim direkt në njësitë vendore me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, tha ministri i Financave.

Duke treguar angazhimin e qeverisë për investimet e reja publike, ministri tha se nëpërmjet akteve të mësipërme u bë e mundur një shtesë në  fondin e shpronësimeve publike në masën 5 miliardë lekë, si “një parakusht i rëndësishëm në suksesin e investimeve publike”, sikundër theksoi ministri.

“Duke parë aftësinë më reale të mundshme të ofruar nga situata buxhetore e krijuar në fund të dhjetorit 2015, duke konsideruar këtu edhe numrin e konsiderueshëm të përfituesve nga kategoritë e tilla, si: pensionistët, personat me aftësi të kufizuar dhe familjet me ndihmë ekonomike, Ministria e Financave planifikoi rreth 1.5 miliardë lekë për shpërblimet e fundivitit”, tha në vijim ministri, duke shtuar se nëpërmjet klëtyre akteve normativë u bë e mundur edhe mbështetja financiare prej 1 miliard lekë për koorporatën publike KESH sh.a., si reflektim ndaj kërkesës së saj për një hua nga buxheti i shtetit, me qëllim përballimin e situatës së krijuar deri në mesin e muajit dhjetor 2015

Në Komisionin e Ekonomisë dhe të Financave, z. Shkëlqim Cani argumentoi edhe pse këto ndryshime buxhetore u realizuan nëpërmjet akteve normative. Ministria tah se “evidentimi i saktë dhe i plotë i fondeve të lira dhe konfirmimeve përkatëse, rezultuar nga projektet e investimeve me financim të huaj, u bë i mundur vetëm në dhjetor”dhe se nga analiza dhe vlerësimi i realizimit të fondeve buxhetore rezultuan fonde të lira kryesisht në zërin “shpenzime të personelit”, që i dedikohen, në një masë të madhe, mos plotësimit të vendeve vakante në pothuajse të gjitha ministritë e linjës dhe institucionet e tjera buxhetore.

Kështu, nisur nga koha e shkurtër dhe e pamjaftueshme që mbetej në dispozicion deri në fund të vitit 2015 për ekzekutimin e ndryshimeve, ministri tregoi se ishin të pamundura të realizoheshin ndryshimet në kushtet e një procedure standarde të miratimit të ligjit nga ana e Kuvendit.

A i përligjin këto ndryshime aktet normative?

Sipas kreut të Financave, trajtimi sa më me dinjitet i kategorive të shtresës më vulnerabël të shoqërisë, dëshmuar kjo përmes reformave që janë ndërmarrë dhe do të ndërmerren në drejtim të mbrojtjes sociale, përmirësimit të cilësisë së jetesës dhe implementimin e politikave pro-aktive për integrimin sa më të plotë të këtyre kategorive në jetën ekonomike dhe shoqërore të komunitetit ku bëjnë pjesë, e përligj plotësisht ndryshimin e fundvitit. Po ashtu, në kuadër të përmbushjes së objektivave të programit 2013 – 2017, nënvizoi z. Cani, – qeveria kërkoi përshpejtim të ritmeve të realizimit të disa projekteve të rëndësishme të investimeve publike, kryesisht të atyre në sektorin e infrastrukturës rrugore. Dhe kjo ishte një tjëtër përligjje realizuar nfga aktet e fundit normative.

Ministri argumentoi para deputetëve edhe faktin se përballimi i faturës financiare të shpronësimeve, e cila lidhet ngushtë me inicimin në kohë dhe vazhdimin normal të performancës së projekteve të rëndësishme të investimeve publike të ndërmarra nga kjo Qeveri për vitet e ardhshme, sillte nevojën e këtyre akteve normative.

Nga sigurohen burimet financiare për këto ndryshime?

Sipas deklarimeve të bërë në komisionin kuvendor burimet financiare janë krijuar nga kursimet nga interesat në masën 1.5 miliardë lekë, kursime që vijnë nga një menaxhim i kujdesshëm, por edhe i suksesshëm i likuiditeteve të qeverisë dhe rënia në vijim e yield-it (ose normës së interesit) për huamarrjen e shtetit, nga kursimi prej 1.5 miliardë lekë në zërin detyrime të prapambetura është rezultat i një procesi të gjatë e transparent të pagimit të detyrimeve të prapambetura, që me fondin e vendosur në buxhetin 2015  i dha fund këtij problemi të akumuluar në vite nga qeverisja e mëparshme, nga bërja aktiv e fondit të kontigjencës prej 2 miliardë lekë, duke garantuar mbajtjen e treguesve kryesorë të tij, pa pasur nevojë të ruajmë fonde specifike etj.

Në përfundim të paraqitjes së tij para deputetëve ministri Cani nënvizoi se nuk ka asnjë pasojë në treguesit  makroekonomikë mbas këtyre ndryshimeve. Kështu deficiti buxhetor dhe rrjedhimisht borxhi publik respektohet në mënyrën më rigoroze dhe se një pjesë e tyre ndihmojnë në realizimin e vlerës së parashikuar të PBB-së. Po ashtunuk preket asnjë nga politikat publike me ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e shërbimeve ndaj publikut dhe se parametrat kryesorë të buxhetit, si totali i të ardhurave dhe shpenzimeve, nuk pësojnë asnjë ndryshim; pra këto parametra nuk cenohen.

Ministri i Financave iu përgjigj më pas edhe interesimit të deputeteve dhe iu përgjigj pyetjeve të tyre lidhur me aktet normative të fundvitit të kaluar.

Të rejat e fundit