Sot, ne paraqesim në Kuvend për miratim projektligjin për huanë prej 295,420,000 SDR (rreth 330 milionë euro) që Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i akordon Shqipërisë për programin 36-mujor të mbështetjes buxhetore (EFF).
Shumë shkurt, po referoj momentet kryesore lidhur me këtë projektligj
Së pari, kjo që kemi sjellë nuk është një marrëveshje, por në bazë të nenit 156 të Kushtetutës, kërkojmë miratimin e Kuvendit për marrjen e një huaje prej FMN. Është një instrument i ri i FMN, që nuk shoqërohet me nënshkrimin e ndonjë marrëveshjeje. Është në të drejtën tuaj, në vlerësimin tuaj, të dëshmoni se nëse doni apo nuk doni të përshtateni me të renë, kjo sepse dita ditës dalin në skenë instrumente të reja, ndërkohë që është detyrimi ynë si qeveri t’i përdorim ato dhe jemi ndër shtetet e para, që po përdorim këtë instrument të ri huaje. Meqë duam të marrim këtë hua, po kërkojmë sipas të gjitha rregullave miratimin e Kuvendit.
Së dyti nuk ka veprimtari në fshehtësi, nuk ka terr. Ju kemi dhënë dokumente të mjaftueshme, shumë përtej që asaj që kërkon të shoqërohet huaja, gjithnjë për të qenë transparentë, për t’ju krijuar qetësinë në vendimmarrjen dhe gjykimin tuaj. Por është në të drejtën tuaj të spekuloni edhe me këtë si me shumë çështje të tjera. Kërkesa jonë është të mos spekuloni, vetëm tentoni të terrorizoni më kot shtetasit shqiptarë, që e vërteta është se kuptojnë shumë herë më mirë nga ne se për çfarë flasim.
Së treti, nuk rriten taksat dhe nuk ulen pagat dhe pensionet nga kjo hua. Nuk ka kushte të tilla, në të kundërtën dhe për më tepër që prej 1 janar 2014 ne kemi rritur pagat pasi ulëm tatimin direkt për secili shqiptar që bën pjesë në 97 % të atyre rrogëtarëve që ne u premtuam. Ata tashmë kanë futur në xhep shtesën e pagës së tyre.
Së katërti, termat e huasë nuk janë më të mira, janë 7 herë më të mira se kushtet e huasë që ka marrë qeveria e shkuar, pra nuk quhen të mira, quhen ekstremisht më të mira.
Së pesti, nga kjo hua që po marrim do të paguhen borxhet tuaja të fshehura kriminalisht. Janë paguar deri tani 120 milionë dollarë. Pra, jo nuk janë paguar, jo do të paguhen, por janë paguar deri tani 120 milionë dollarë. Doni apo nuk doni ju, ky është fakt, siç është e drejta juaj përsëri të gjykoni për të folur gabim, në mënyrë të pasaktë.
Së gjashti, kjo hua do merret në 36 muaj. Do merren gjithsej 295,420,000 SDR (rreth 330 milionë euro). por kjo paketë nuk është e vetmja, do shoqërohet me një hua nga Banka Botërore si dhe me një grant nga BE-ja, që në total bëhet fjalë për rreth 1 miliardë euro. Por ne nuk e kemi bazuar ekonominë vetëm tek huaja, ashtu siç bëtë ju, por do bëjmë çdo përpjekje për ta rigjallëruar (ekonominë shqiptare).
Së shtati, nuk është e vërtetë që Qeveria ka dështuar në mbledhjen e të ardhurave. Po të doni ju jap shifra për 6 mujorin, po të doni ju jap shifra për 3 mujorin e fundit, po të doni e krahasojmë mbledhjen e të ardhurave me objektivat apo me nivelin e të ardhurave që ju keni mbledhur në periudhën respektive tuajën. Po ju sqaroj se vetëm 6 muaj të qeverisjes sonë kemi mbledhur 150 milionë dollarë më shumë nga ç’keni realizuar ju në kohën përkatëse. Nëse kjo ju duket mosrealizim, është e drejta e juaj të thoni ç’të doni, por nuk jeni të saktë.
Të nderuar kolegë, në emër të qeverisë paraqes sot në Kuvend për miratim projektligjin për huanë prej 330 milionë euro që Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i akordon Shqipërisë për programin 36-mujor të mbështetjes buxhetore (EFF).
Parlamenti në jo pak raste në historinë e vet, ka miratuar jo pak huamarrje, por huaja e sotme ka një karakter të veçantë. Është pa marrëveshje, pra jo e bazuar në një marrëveshje paraprake.
Termat e kësaj huaje janë shumë herë më të mira, më të favorshme, nga ato që janë marrë deri tani. Sigurisht që të marrësh këtë hua duhet të përmbushësh disa kritere, duhet të përmbushësh me sukses disa parakushte. As më shumë e as më pak, që ne me shumë sukses po realizojmë marrjen e një huaje, atë që opozita e sotme, dje në qeverisje, do kishte dëshiruar pa masë ta merrte, por nuk e gëzoi sepse nuk përmbushnit asnjë kriter, asnjë kusht gjatë qeverisjes suaj.
Aprovimi nga ana e bordit të FMN-së së kësaj huaje është më shumë siguri për ekonominë shqiptare, është më shumë siguri për biznesin, por edhe për individin, sepse kjo hua do shkojë për shlyerje të borxheve disa vjeçare që ju (opozitës) i kishit si biznesit me punë të papaguara, ashtu dhe individëve me gjyqe të shumta të fituara, por të papaguara. Qeveria do përgjigjet për shlyerjen e këtyre detyrimeve, detyrime me zanafillë që nga viti 2005.
Shumë shkurt për publikun, jo për ju deputetë sidomos të opozitës, sepse ju e dini shumë mirë se përse erdhëm tek huaja e FMN!
Erdhëm në këtë pikë sepse ritmi i rritjes së ekonomisë ra në mënyrë drastike. Në vitin 2013 tempi i rritjes ekonomike është 0.6 % ose 10 herë më pak nga sa ishte mësuar ekonomia shqiptare të rritej në dy dekadat e fundit. Është e kotë të shpjegoj që rritje ekonomike më e vogël do të thotë më pak mundësi për punësimin, më pak të ardhura, etj.
Qeveria që iku, krijoi borxhe të prapambetura disavjeçare, jo pak, por 720 milionë dollarë.
Pasojat e kësaj politike të gabuar janë:
Kreditë e këqija janë 24% ose 10 herë më shumë se 8 vite më parë;
Kreditimi i biznesit ra në minus, nga rritje 30-50% në vit në 2005-n;
Flasim për ulje të ndjeshme të kërkesës në ekonomi;
Flasim për borxh publik që në fund të vitit 2013 doli jashtë kontrollit (70% e PBB) ose e dyfishuar në shumë absolute gjatë 8 viteve të qeverisjes;
Në tërësi stabiliteti makroekonomik ra përtokë.
Cilat janë kushtet e huasë?
Norma e interesit është e lidhur me normën e interesit për SDR (aktualisht 1.13%). Nëse shtohen komisione etj., interesi në total shkon 2%.
Edhe një herë ju kujtoj se kjo normë interesi është rreth 7 herë më pak (si kosto) nga kredia sindikaliste që keni marrë ju. I kujtoj publikut që në mënyrë të gabuar, për borxhe të përdorura dhe keqpërdorura nga qeveria e shkuar, ju keni marrë një detyrim huaje dhe për më tepër me shkelje, në 7-fishin e kostos së kredisë që po marrim. Janë shqiptarët që bëjnë vetë lehtësisht vlerësimin e kësaj kredie që po marrim.
Kushti i vetëm nga FMN është që qeveria të jetë serioze, të jetë transparente në zbatimin e programit të saj. Asnjë kusht nga përrallisjet keqdashëse, siç shpifni, siç mashtroni, nuk keni lënë kohë, vend e hapësirë, pa spekuluar për të terrorizuar shqiptarët. Asgjë nuk është e vërtetë, asnjë kusht tjetër, veç kushteve të favorshme për ekonominë shqiptare, për buxhetin, drejtpërdrejt për të shlyer një borxh të fshehur në mënyrë kriminale nga ana juaj.
E kam ndjekur me trishtim reagimin e opozitës shqiptare për “rrezikun e madh që i kanosej ekonomisë shqiptare” nga kjo marrëveshje me FMN dhe nga ajo tjetra që do marrim nga BB. Zot na ruajt se mos thoni dhe të këqijat nga granti i BE, që do të vijë dhe ai në mbështetje të buxhetit shqiptar. Ato (huatë) ndihmojnë në stabilitetin e financave dhe ekonomisë shqiptare dhe kështu ne si qeveri mbajmë zotimet si në fushatë, ashtu dhe në programin qeveritar, mbajmë premtimet ndaj publikut.
Kam dëgjuar shumë herë komente për fshehtësinë e negociatave. Në cilin vend të rruzullit, botohen minutat e negociatave për kushtet e huasë, në cilin vend thuhet se cilat kushte do vihen, pa përfunduar bisedimet dhe negociatat? Sot nuk keni në tryezat tuaja vetëm kushtet që ju përmenda për huanë, por keni dokumente të tjera shtesë, thjesht dhe vetëm, për të qenë transparentë me ju dhe publikun, për të bërë të qartë rrugën që ndjekim dhe do të ndjekim drejt rimëkëmbjes së ekonomisë shqiptare dhe financave shqiptare.
Dokumente që janë publikuar nga qeveria shqiptare tregojnë qartë cila është mënyra e zgjidhjes së mjaft problemeve me të cilat është ballafaquar ekonomia shqiptare sot dhe është abuzive të thuash që do të ulen pagat, do të rriten taksat. Këto insinuata nuk janë aspak të vërteta dhe nuk kanë qenë as si pjesë e negociatave dhe bisedimeve me FMN. Këtu do jemi shumë shpejt, në këtë Kuvend, dhe ne do sjellim për rishqyrtim buxhetin për rritje të të ardhurave, rritje të shpenzimeve, në favor të publikut, në favor të shtresave të ndryshme të popullsisë.
Më vjen keq, por opozita nëse qëndron në këto pozita që është sot, do ndihet edhe më e dëshpëruar nesër kur do vijojmë me tejkalimin e të ardhurave, por nuk kemi çfarë të bëjmë. Detyra jonë është që të rrisim të ardhurat dhe të sjellim mirëqenie për popullin shqiptar.
Çfarë duhet të thoni për nivelin e borxhit të brendshëm, çfarë duhet të thoni për rritjen e borxhit nga fshehja në mënyrë kriminale për vite të tëra të një pjese të tij. Asnjëherë nuk e artikuluat, por thjesht dhe e thënë troç, e fshehët atë borxh, e jo pak, por 720 milionë dollarë (të certifikuar tashmë nga FMN, BB dhe autoritetet shqiptare). Po përse e bëtë? Pse kërkoni të bëjmë dhe ne të njëjtën gjë? Për t’u dukur bukur ato tabelat fiskale? Borxhi, deficiti, të dukeshin se kanë qenë nën kontroll e të dukeshin mirë? Jo, keni pasur synime të mëtejshme.
Ne guxojmë ta pranojmë atë borxh, ta nxjerrim në shesh, në dritën e diellit. Të tregojmë të vërtetën për atë borxh, por dalim edhe përtej kësaj. Dalim që jo vetëm e njohim, por borxhi që ju i fshehët për vite të tëra këtij populli, ndaj biznesit dhe individëve, ne do ta paguajmë. Do paguajmë një për një detyrimet tuaja, që ju i fshehët për t’u dukur më e bukur qeverisja juaj. Por edhe për të futur në xhepat tuaja diçka.
Ne thamë do të paguajmë, por në fakt ne tashmë kemi paguar 120 milionë USD. Ne jemi në rrugën e pagesës dhe zotimi jonë është që mundësisht ta paguajmë gjithë detyrimin e këtij viti, jo në fund të vitit, por mundësisht brenda 6 muajve të parë të këtij viti.
Çfarë duhet të thoni për mënyrën e përdorimit të fondeve publike? Çfarë duhet të bënit që të linit të parin tuaj të priste me gërshërë shirita pa fund për objekte që nuk kishin fonde dhe që nuk kanë fonde as për 3-4 vite, për t’i shfrytëzuar për fushata elektorale, për më shumë vota? Jo nuk është kjo rruga jonë. Ne do të përfshijmë aq para, aq objekte, sa janë mundësitë brenda buxhetit. Jo vetëm kaq, ju i keni imponuar me dhunë kompanitë të pranonin të punonin pa para, me atë 70 përqindëshin e famshëm tuajin që e kishit vënë si kusht.
Çfarë duhet të bënim me situatën e tregut energjetik? Të rrinim ashtu pa bërë gjë, të bënim sehir? I gjithë sistemi energjetik nuk mund të lihej, ne nuk mund ta linim ashtu siç ishte e siç është dhe prandaj edhe ndërhyjmë dhe do të ndërhyjmë më tej në mënyrë energjike për energjinë dhe energjetikën shqiptare, për ta sjellë aty ku duhet.
Ju po i tmerroni qytetarët me kërcënimet tuaja. Po çfarë duhet të bëjmë ne si qeveri ndaj kësaj gjendje, duhet të qëndrojmë duarlidhur? Jo. Bashkë me partnerët tanë, ne do të arrijmë të realizojmë atë që ju nuk mundët ta realizonit kurrë. Të qëndrosh duarlidhur do të thotë që t’ia lësh pas 10 viteve faturën dikujt tjetër, qoftë ky ministër financash apo kryeministër dhe të bëjmë siç kishit ju në mendjet tuaja, ta pësojë kush ta pësojë, përveç nesh.
Të nderuar kolegë!
Huaja që miratojmë sot nuk është thjesht një mbështetje buxhetore me terma tejet të favorshme, që na lehtëson të paguajmë borxhet ndaj biznesit dhe individëve. Është më tepër! Është një çlirim për ekonominë, për të marrë frymë ekonomia, pa ndërhyrë në tregun e brendshëm, pa krijuar problem me likuiditetin. Është një mbështetje më shumë nga komuniteti ndërkombëtar, për atë politikë kredibile që ka ndjekur qeveria shqiptare, ndaj ju ftoj ta votojmë këtë projektligj për huanë që marrim.
Të nderuar deputetë!
Nuk dua të lë pa përmendur, natyrisht aq shkurt sa mundem, disa thashetheme të qëllimshme, për të terrorizuar popullin: huamarrja na qenkërka realizuar në rrethana sekret. I keni të gjitha dokumentet e huamarrjes, për të tepër keni dokumente shumë më tepër sesa duhej ta shoqëronin këtë hua. Ne nuk zgjodhëm atë rrugë, që keni zgjedhur ju përherë, që të miratoni një hua me shkelje. Ju keni bërë veprime që shpejt do dalin në dritën e diellit nga shteti ligjor. Ne kemi ndjekur të gjitha hapat e duhur dhe ua kemi pasqyruar ashtu siç duhet.
Ish-ministri i Financave e di fare mirë rrugën se si bëhen negociatat me partnerët ndërkombëtarë. Ai nuk ka pasur kurrë fatin e keq ta marrë arkën e shtetit me 0 lekë gjendje. Kur morra detyrën e ministrit të Financave kisha një mori faturash, afro 100 milionë dollarë – fatura që prej muajsh prisnin pagesën, fatura të biznesit, të individëve, të të sëmurëve në spitale, që prisnin dozat me ilaçe. Dhe mora të paguaj jo rastësisht dy fatura, pensionet e invalidëve dhe një tjetër faturë, krejt ndryshe nga kjo e para, bursën e studimit për një vajzë që priste të studionte në Amerikë, pra faturë që i përkiste të ardhmes së Shqipërisë. Dhe arritëm që brenda 2 muajve të zgjidhnim ato lidhje kriminale, të qëllimshme që çonin në mospagim.
Termat e huasë janë 7 herë më të mira nga ajo që ka firmosur me shkelje ligjore paraardhësi im. Shtatë herë më të mira. Sa për shkeljet ligjore mos u mërzisni, janë 97 raste të dërguara nga ne si Ministri Finance në prokurori për cënime të ligjit, në shkelje të detyrave shtetërore. Duhet ta mësoni, unë asnjëherë nuk kam hezituar dhe nuk hezitoj për të paditur shkelësit e ligjit.
U bë e dyta herë, që si qeveri latë thesarin bosh, apo minus 100 milionë dollar. Për më tepër fshehët edhe 720 milionë të tjerë dhe bënit sikur nuk dinit asgjë. Le të vazhdojë paraardhësi im të deklarojë se nuk ka ekzistuar ai borxh. Në dëmin e tij shkon çdo deklaratë e tillë, për vetë dëmin që i ka sjellë ekonomisë shqiptare. Si mund të sillet kështu një titullar institucioni i paguar nga taksapaguesi, si mund të jetë kaq i papërgjegjshëm? Ju e groposët disa herë Shqipërinë. Një herë me energjinë, dy herë për krizat financiare, e të mos të përmend më tej me pensionet, etj
S’ka shqiptar që ka marrë kredi që se di që të marrësh një hua diku, ti kërkosh dikujt borxh, duhet të plotësosh disa kushte. Dhe nuk ishin pak, duhej të plotësonim 20 kushte, dhe të tjera do të realizojmë po me sukses, për të marrë edhe një hua nga Banka Botërore si dhe grantin nga BE. Vetëm ju deputetët e opozitës nuk dini se sa e vështirë është të marrësh një kredi, meqë ju vilat, makinat luksoze etj. i keni “blerë me pagën” që keni marrë si deputetë dhe si ministra.
Ju po thyeni rekordet përditë. Në historinë e financave shqiptare e keni thyer këtë rekord, keni lënë thesarin pa para dhe i keni lënë borxh thesarit për muaj të tërë 100 milionë dollarë. Nuk ishte parë në historinë e financave shqiptare, qofshi ju që jeni. Na akuzoni se po marrim hua, pra një borxh për të shlyer borxhin tuaj. Unë do zhytesha me kokë poshtë tavolinës nga turpi, por ju e hani turpin me bukë.
Ju e humbët shumë besimin e publikut tek qeverie, tek qeverisja. Na u desh shumë punë për ta kthyer këtë besim. E kemi kthyer disi, dhe do ta kthejmë edhe më tej këtë besim me rrugë inovatore. Do i bëjmë ato reforma strukturore që juve ju duken të pamundura apo paradoksale. Kështu është dhe me huanë që po diskutojmë sot, kemi marrë këtë hua pa asnjë marrëveshje. E theksoj se kjo hua nuk ka kushte, nuk di si ta them më shqip. Është e kotë të mundoheni të stërholloni fjalët e diskutimet, e kotë që mundoheni të terrorizoni popullin, sepse nuk e ha kush më gënjeshtrën tuaj. I terrorizuat më përpara se gjoja nuk ishte e vërtetë që do uleshin tatimet për pagat e 97% e shqiptarëve, dhe ja ku u bë realitet. Ju doni vazhdoni me gënjeshtrat tuaja, vijoni në rrugën e gabuar.
Ndërkohë ne jo vetëm që kemi realizuar të ardhurat, (e them paraprakisht se nuk kanë dalë ende të dhënat finale), kemi mbledhur 150 milionë USD më shumë nga ç’keni mbledhur ju në të njëjtën periudhë të qeverisjes suaj.
Të marrësh hua nga FMN natyrisht që është një standard më vete. Kjo qeveria u besua kaq shumë nga FMN, sa na dha huanë edhe pse ulëm tatimin për pagat për 97% të shqiptarëve. E di që nuk ju pëlqen, por kjo është e vërteta, ky është realiteti.
Zoti Berisha dhe zoti Bode, ne kemi një dallim bashkë, unë nuk jam si ju që fsheh shifrat dhe realitetin. Ju dërrmuat financat shqiptare dy herë, ju fshehët shifrat, latë mosrealizime, latë zero thesarin, latë një borxh të fshehur prej 720 milionë dollarësh dhe nuk u mjaftuat. Tentuat të shisni gjithë ekonominë dhe shitët në fakt deri ditët e fundit hidrocentrale etj. Tentuat me turp dhe për ujërat, por dështuat. Nuk patët kohë ta shisnit tërë Shqipërinë. Përgjegjësi e madhe për kryemenaxherin e financave shqiptare, ish-ministrin e financave, që me mendjengushtësi dhe pa integritet profesional do të thosha, ka lënë 2 herë vendin tokë të djegur. Sinomi 2B është sinomi i piramidave, herën e parë me individët, dhe herën e dytë me financat publike.
Ekonomia në tërësi ka pësuar goditje të fuqishme nga qeverisja e PD. Në të dy rastet me borxh të rritur, me rënie drastike të ekonomisë me mbi 10% në vitin ‘97, dhe me 10 herë më pak rritje ekonomike sesa ajo e dy dekadave të fundit në vitin 2013.
Për të nxitur klimën e besimit, si qeveri kemi hapur një dialog të shkëlqyer me biznesin, kemi ndërruar totalisht klimën e biznesit. Nga një biznes që në praninë e qeveritarëve nuk guxonte të artikulonte që qeveria i kishte borxh, sot dëgjojmë një biznes që artikulon fuqishëm kërkesat që ka për qeverinë shqiptare dhe ne me shumë seriozitet po rishohim të gjithë paketën fiskale dhe synojmë plotësimin e kërkesave të biznesit. Po rishohim me ta draft ligjet për TVSH, Kodin Doganor, ligje dhe akte për procedurat tatimore e doganore, në mënyrë që të kemi një marrëdhënie të ndërsjellë partnerësh biznes-qeveri.
Së shpejti përsëri do kakarisni e xhindoseni sepse në Kuvend, maksimumi në fundin e Majit, vjen një tjetër projektligj për huamarrje nga Banka Botërore, për ta plotësuar paketën që juve ju irriton, ju zemëron, ju bën të humbni vetëdijen. Por nuk keni çfarë të bëni. FMN, BB, BE, na ka gjetur partnerë seriozë, na mbështesin dhe natyrisht ne do i përgjigjemi çdo zotimi që kemi marrë ndaj këtij populli, ndaj FMN e BB dhe ndaj çdo organizmi tjetër ndërkombëtar, sepse jemi një qeveri serioze, inovative, që çdo ditë e më tepër krijojmë besim të shtuar në publik.
Do kisha bërë mirë t’ju sqaroja dhe njëherë ato 7 pikat e fillimit, t’i përmblidhja përsëri, sepse ju deputetët e opozitës e keni të domosdoshme. Keni një muaj rresht që përsërisni atë që shihni nëpër ëndrra natën, nuk ju realizohen ditën, i mbushni mendjen njëri-tjetrit që s’duhet të jetë kështu, apo mendoni si është e mundur që kjo qeveri kaq shpejt të realizojë në mënyrë suksesshme këtë marrëveshje dhe pa turp dilni e gënjeni.
Së fundmi, do të më duhet t’ju kujtoj se për disa shkelës ligji drejtësia vonon pak, por nuk mënon dhe kujtdo nga ju do ja gjejë vendin ku e meriton. Edhe kjo është pjesë e detyrës sonë, të shohim sa më përpara, të përqendrohemi sa më fuqishëm dhe sa shpejt nga e ardhmja, por pa vonuar dhe në nxjerrjen në dritë dhe të zarareve tuaja.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.