Sot qeveria shqiptare njofton një tjetër reformë të rëndësishme, në vijim të reformave të tjera që i ofrojnë tregut, të tjera standarde evropiane, standarde moderne, standarde të së ardhmes.
Kryeministri i vendit dhe qeveria kanë shpallur aksion mbarëkombëtar për të vënë rregull në sasi, cilësi dhe në pagesën e taksave në gjithë aktorët e karburanteve.
Situata e krijuar gjatë këtyre viteve tregoi se ato organe që kanë për detyrë mbikëqyrjen e tregut, nuk garantuan sasinë dhe cilësinë për konsumatorin përmes sigurisë së produkteve.
Produktet e falsifikuara dhe përzierjet kanë vazhduar të qarkullojnë. Në mjediset e tregtarëve të karburanteve është folur dhe përfolur për magazina-laboratorë, të cilat denatyronin produktet nëpërmjet përzierjes.
Kjo e vërtetë, edhe sikur të jetë në përmasa të vogla, është një tregues i qartë për dobësinë e organeve shtetërore ndaj “të fortëve” të hidrokarbureve që kanë abuzuar!
E në këto kushte, vështirë do të ishte të arrihej unifikimi, harmonizimi dhe vendosja e standardeve bashkëkohore për garantimin e një konkurrence të ndershme dhe për një shërbim produktesh cilësore në këtë sektor!
Përkundrazi, thellimi i trajtimit selektiv të subjekteve, prishja e ekuilibrave në treg në favor të përqendrimit të tij në pak shoqëri grosiste, çmimet dhe parametrat mjedisorë reflektonin përkeqësim të situatës së biznesit.
Ministria e Financave ka detyrën dhe do të realizojë bashkëpunimin për kontrollin e tregut.
Ne do të kontrollojmë tani në çdo hallkë të këtij zinxhiri.
Strukturat e ngritura në tregun e karburanteve kanë evidentuar edhe një kategori shoqërish, të cilat mund të kategorizohen si shitës me shumicë, por që nuk importojnë vetë dhe këto subjekte do të kontrollohen në çdo hallkë të tyre. Nuk kemi qëdnruar duarlidhur gjatë kësaj kohe, sepse strukturat tona janë angazhuar për të mbikëqyrur sipas ligjit sektorin e hidrokarbureve.
E kemi nisur me shoqëritë ndërkombëtare, me ato prodhuese të hidrokarbureve, sasitë e prodhimit të të cilave qeveria e kaluar i raportonte aq saç raportonin vetë kompanitë. Ne gjykuam se duhej më shumë mbikëqyrje. Dhe vendosëm instalimin e kalimatësave tek këto shoqëri.
Sot, shoqëritë e hidrokarbureve dhe disa rafineri apo minirafineri që janë fiskalizuar ose janë në proces fiskalizimi, raportojnë apo do të raportojnë së shpejti sasinë e prodhuar on-line tek administrata e tatimeve apo e doganave.
Po thellojmë punën tonë me shoqëritë koncensionare të markimit dhe monitorimit të karburanteve, duke kontrolluar subjektet në tregun e shitjes. Pra, për të bllokuar sasitë e karburanteve të futura në mënyrë të paligjshme në treg, duke bërë edhe evazion fiskal, përveç dëmit të njohur në mjedis, por edhe në mjetet motorike.
Gjatë kryerjes së procesit të markimit, punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave marrin pjesë së bashku me punonjësit emarkimit dhe rezultatet e kontrolleve monitorohen on-line nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Për periudhën 23 qershor 2014 – 30 prill 2015, numri i njësive të kontrolluara është 2,438, nga ku 2,169 ose 89% kanë rezultuar në rregull dhe 269 ose 11% nuk janë gjetur në rregull ose me shkelje. Interesant është edhe fakti tjetër që nga rastet me shkelje, 194 janë konstatuar me karburante të përziera dhe 75 subjekte kanë refuzuar kontrollin. Kuptohet, shifrat janë dukshëm në rënie nga momenti i fillimit.
Ne nuk jemi ndaluar dhe kemi kontrollin e plotë në tregtinë me pakicë!
Është rritur edhe deklarimi i shitjeve dhe kontrolli i tyre!
Në fushën e regjistrimit të kuponëve tatimorë në pajisjet fiskale në tregun e shitjes me pakicë të karburanteve në vitin 2012 numri i kuponëve fiskalë ishte 32,8 milionë, në 2014 numri i tyre ka arritur në rreth 42 milionë.
Jemi të vendosur të vijojmë më me ngulm këtë operacion. Do t’ia dalim me sukses të standardizojmë tregun e hidrokarbureve, ta kthejmë në evropian si për cilësinë edhe sasinë e shitur, ashtu dhe për shmangien nga deformimet, si dhe shmangien nga evazioni apo mashtrimi fiskal.
Si katërmujor për vitin 2015 masat shtrënguese të administratës fiskale, do të thosha edhe mirëkuptimi i aktorëve që punojnë në fushën e hidrokarbureve, kanë sjellë si rezultat shtimin me 10% të sasisë së hidrokarbureve të deklaruara.
Por kemi fituar përvojë nga çfarë kemi bërë deri tani, kemi fituar përvojë ashtu siç tha edhe ministri i Ekonomisë nga dy operacione të të tjera të rëndësishme të qeverisë, atë të energjisë elektrike dhe të ndërtimeve pa leje. Këtë përvojë do ta pasurojmë dhe themi se këto reforma të rëndësishme do t’i përshpejtojmë.
Kuptohet që këto do të sjellin doemos shtim shumë më të madh të sasisë dhe të nivelit të taksave, të cilat do të paguhen nga industria e karburanteve. Nuk do të jetë e largët dita, menjëherë pas këtij operacioni të gjerë, kur shqiptarët të mos e veçojnë më karburantin shqiptar nga ai i shteteve të përparuara të rajonit. Do të jetë i njëjti në standard, në cilësi, në peshë dhe taksa të paguara, sipas ligjit.
Do të punojmë të gjithë bashkë, edhe me biznesin e ndershëm për të arritur shpejt këtë kërkesë të kakohëshme të konsumatorit, të qeverisë por dhe të vetë industrisë së hidrokarbureve të gjejnë realitet në vendin tonë.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.