Postuar më: 10/11/2015

Ministri Cani: FMN vlerësoi sot reformat e Qeverisë Shqiptare

Mirëdita,

Bashkë me kolegun Ahmetaj, guvernatorin Gent Sejko dhe Znj. Anita Tuladhar, shefen e re të misionit të FMN, jemi në këtë konferencë për shtyp në përfundim të rishikimit të pestë dhe të gjashtë të marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Kjo është java më e gëzueshme për ekonominë shqiptare, sidomos për financat, pasi janë dy ngjarje rresht të ndjeshme dhe të gëzueshme: i pari ishte eurobondi, që ne patëm një konferencë për shtyp paradite dhe ngjarja e dytë është rënia dakord me FMN për ecurinë e suksesshme të ekonomisë shqiptare, financave shqiptare dhe doemos për përmbylljen kur të miratohet nga Bordi i FMN , siç thamë, i marrëveshjes për rishikimin e pestë dhe të gjashtë të marrëveshjes, që lidhet dhe me dhënien e kësteve përkatëse.

Janë dy grupe, (do të përfshija dhe FMN në atë të investitorëve), janë dy grupe investitorësh që vlerësojnë dhe besojnë tek ekonomia shqiptare. Investitorët privatë, investitorët realë tashmë besuan tek ekonomia shqiptare dhe ofruan pothuaj dyfishin e  parave që ne kërkuam në Eurobond dhe, në këtë mënyrë, ata më mirë se kushdo treguan se perceptimi, vlerësimi dhe vendimi i tyre është në favor të ecurisë mjaft pozitive të ekonomisë dhe financave shqiptare.

Ky vlerësim me nota pozitive (kur t’i vijë radha ndoshta edhe përfaqësueses së FMN do të japë dhe ajo vlerësimin e saj) për ekonominë shqiptare, bie ndesh me zërat vajtues të opozitës (ose zëra të veçantë) që dita-ditës mundohen të krijojnë idenë e një situate jo të pëlqyeshme. Dëshira e tyre është tjetër gjë, realiteti është krejt tjetër.

Themi se ekonomia e ka marrë pjesën e  vet drejt pozitivitetit me sukses të plotë. Tashmë ekonomia dhe buxheti i ri i 2016-ës do të jetë i tillë që do të mbulojë gjithë greminën e buxheteve të shkuara, të qeverisë së shkuar dhe do të shohë drejt pozitivitetit. Siç edhe do ta shihni në parashtresën e buxhetit 2016, ne, së bashku me FMN, kemi vendosur që të kemi suficit primar, pra që të kalojmë nga deficiti primar në suficit primar. Si fillim, me një shumë relativisht të vogël, por nga viti në vit në rritje.

Më duhet të deklaroj që në fillim se bisedimet ishin të suksesshme. Takimet u karakterizuan nga diskutime të shumta, argumente, analiza, por, së bashku me FMN, ne arritëm në përfundimin se objektivat e programit, si qeveri, si Bankë qendore, janë arritur dhe se rishikimi i pestë dhe i gjashtë i hapin rrugë financimit të radhës, pas miratimit në Bord.

Më duhet të theksoj se marrëveshja e sotme me FMN ose rënia dakord me FMN , bëjnë edhe një certifikim të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, reforma të cilat, është e vërtetë që në një pjesë të mirë janë në fillimet e tyre, (siç e dini reformat zgjasin për vite të tëra dhe se, mund të kenë dhe pjesën e kostos ose dhimbjes së tyre), shpejt do japin efektet e tyre, në ekonomi në tërësi, po ashtu edhe në publik.

 

Më lejoni që të përmend shkurtimisht disa nga zhvillimet makroekonomike dhe fiskale, mbi të cilat u përqendruan bisedimet tona:

 

MAKROEKONOMIA

Ekonomia shqiptare gjatë vitit 2015 ka treguar shenja të qarta rigjallërimi. Rritja ekonomike mbetet brenda parashikimeve tona rreth 2.7%, pavarësisht paqëndrueshmërisë së faktorëve të jashtëm.

Rritja ekonomike është mbështetur nga investimet, sidomos ato të huaja dhe nga përmirësimi i bilancit të shkëmbimeve tregtare me jashtë, shtimit të prodhimit vendas, shlyerja e detyrimeve të prapambetura dhe nga aktiviteti i shtuar në turizëm. Ne besojmë se këta faktorë do të vijojnë edhe në pjesën e mbetur të vitit dhe do të ndikojnë në rritje të ekonomisë, jo vetëm për të arritur këtë objektiv që kemi për rritjen ekonomike në vititn 2015, por do të shtrojmë shtratin edhe për rritje ekonomike më të madhe në vititn 2016.

Viti 2016, veç faktorëve pozitivë të vitit 2015 mendojmë se do të mbështetet kryesisht edhe nga kërkesa e brendshme e shtuar, si dhe një nga ecuri më e mirë e kreditimit që nuk ka arritur ende ato parametra të dëshiruara nga qeveria apo banka qendore.

Buxheti 2016, që rakorduam me misionin e FMN, nuk do të befasojë kërkënd për arsye se, siç kemi thënë vijim, disa herë, ky buxhet nuk rrit taksat, në të kundërt mund të ulë taksa në sektorë kyç të ekonomisë ku mund të përmend bujqësinë, apo ulje taksash apo shpenzimesh edhe për material porositësit, turizmin etj.

 

TË ARDHURAT FISKALE

Pavarësisht nga dinamika e realizimit të të ardhurave fiskale në këtë vit, ajo që është thelbësore dhe  e rakorduar me Misionin e FMN me BSH që deficiti nuk do të lëvizë, pra deficiti do të mbetet në parametrat e dakordësuar, do të mbetet i pacënuar. Të ardhurat fiskale ndryshe nga sa kërkohet që të keqinterpretohen, në fakt pasojë kryesore kanë faktorë të jashtëm. Ne jemi të njohur me tregjet ndërkombëtare që kanë një luhatshmëri të theksuar, kanë një lëvizje në kah negativ në influencë të të ardhurave të buxhetit të shtetit. Mund t’ju përmend që ka rënie të konsiderueshme, të paparashikuara që në muajin shtator-tetor 2014, kur hartuam buxhetin e 2015, në çmimet ndërkombëtare të naftës. Po kështu ka rënie të ndjeshme të çmimit të mineraleve kryesore që ne eksportojmë, krom, bakër, etj, kemi inflacion apo deflator më të ulët nga sa parashikonim në buxhetin e 2015, kemi norma më të ulëta interesi nga çfarë parashikuam, pasi ne parashikonim të rritej norma e interesit e dollarit dhe e euros. Po kështu ka ristrukturim të ekonomisë dhe rritje të prodhimit vendas, qoftë bujqësor apo dhe të energjisë elektrike, zhvillime këto të dëshiruara për ekonominë, pavarësisht se ndikojnë negativisht në nivelin e të ardhurave.

Në pjesën e mbetur të vitit këta faktorë nuk është se nuk pritet të influencojnë përsëri tek të ardhura, por mendojmë se efekti i tyre do të jetë më i butë në nivelin e realizimit të të ardhurave për arsye se kemi efekte pozitive kompensuese, sidomos nga reforma në energjetikë dhe ajo në luftën kundër informalitet.

Reformat e ndërmarra, si në sektorin energjetik, të pensioneve, të financave publike, atë administrativo-territoriale, etj., janë tashmë një burim i sigurt mbrojtës i buxhetit të vitit të ardhshëm për arsye se me këto reforma në fakt zënë shtrat mjaft element të zbutjes së risqeve që kanë shoqëruar prej vitesh, në mos prej dekadash, ekonominë shqiptare.

Reforma ndaj informalitetit është nga më thelbësoret dhe më të thellat e ndërmarra në ekonominë e vendit, duke synuar njëherazi si zgjerimin e bazës së tatueshme, formalizimin e bizneseve dhe të punësuarve (sigurimin e  pensioneve dhe shërbimeve shëndetësore për ta), sigurimin e konkurrencës së ndershme, e për rrjedhojë dhe përmirësim cilësor të mjedisit të të bërit biznes. Administrata Tatimore tashmë po përdor modelin e ri të Analizës së Riskut mbështetur në praktikat më të mira të BE-së dhe OECD-së, që ndikojnë fuqishëm në krijimin e një sistemi monitorues të performancës të sektorëve ekonomikë në nivel kombëtar. Një hartë e përditësuar e risqeve të sektorëve ekonomikë mundëson të identifikojmë dhe analizojmë risqet për çdo sektor dhe t’i trajtojë ato në mënyrën më efektive të mundshme. Aplikacioni M-Tax vjen si një qasje e re e përdorimit nga ana e tatimpaguesit dhe inspektorët tatimorë.

Së fundmi, dy çështje të tjera së pari lidhur me detyrimet e prapambetura dhe për t’iu rikther dhe një herë shumë shkurt eurobondit.

 

DETYRIMET E PRAPAMBETURA DHE EUROBONDI

Siç kemi thënë disa herë ne kishim për objektiv për të shlyer në tre vite gjithë borxhet e prapambetura të lëna për rreth 8 vite nga qeveria e shkuar. Ne sot mund të themi se me mbylljen e këtij viti, ne mbyllim dhe totalisht nivelin tërësor të detyrimeve të prapambetura të qeverisë së shkuar. Brenda dy viteve ne shlyejmë tërë detyrimet e identifikuara, për të shmangur çdo keqinterpretim që në fillim se janë 72 miliardë lekë ose me kursin e asaj kohe 720 milionë USD, po aq do jenë detyrimet e shlyera në fund të këtij viti. Kështu që, nga një ana krijuam mundësinë për likuiditet për biznesin dhe, nga ana tjetër, shlyem një detyrim ligjor në mënyrë që qeveria të mund të kërkojë nga ana e biznesit shlyerjen  prej tyre të çdo detyrimi të vjetër apo të ri që lidhet me taksat. Pra, natyshëm, na lind e drejta që ne të kërkojmë ato që i takojnë buxhetit, në dobi të shtetasve.

Lidhur me eurobondin ishte një shumë e marrë për 450 milionë dollarë,  norma e interesit është 5.75 % është eurobondi për 5 vite, 300 milionë euro do të shkojnë për zëvendësimin e  eurobondit të maturuar në 4 shtator 2015 dhe të paguar nga ana jonë po në kohë dhe 150 milionë euro do të jenë para, të cilat do të shkojnë për zëvendësim të huamarrjes në tregun e brendshëm. Ne hapim hapësira për vitin 2016 që sistemi bankat të mund të kreditojë biznesin duke i dhënë mundësi, një realitet të ri biznesit privat, për të tërhequr sa më shumë kredi gjatë vitit 2016, më mënyrë që ata të zhvillojnë ekonomitë e tyre, qeveria nga ana e vet sheh zhvillimin e ekonomisë kombëtare.

Më lejoni që këto nota optimiste me të cilat e sheh Ministria e Financave dhe në emër të qeverisë, gjithë zhvillimin e ekonomisë dhe financave  shqiptare për sot dhe për vitin 2016 e më tej, të falenderoj Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë për ndihmën që na ka dhënë edhe për eurobondin, sepse ishte pjesë e suksesit, pjesë e ekipit ku pjesëtarë të BSH kanë qenë të pranishëm në të gjithë turin e eurobondit.

Së fundmi, më lejoni të falenderoj misionin e FMN që këto ditë edhe i kemi krijuar reciprokisht shqetësime njëri- tjetrtit, por jeta jonë është edhe më e këndshme edhe më e mirë, edhe financat, edhe ekonomia shqiptare zhvillohet më mirë, por edhe FMN besoj se i ndikojmë për të qenë edhe ajo më mirë, kur debatet mes nesh janë të forta, janë nganjëherë dhe me tensione, por fundi është i këndshëm dhe ajo që na pret përpara, vlerësohet me frymë realiste dhe optimiste, sepse i tillë është realiteti shqiptar.

Faleminderit!

Të rejat e fundit