Postuar më: 25/05/2015

Ministri Cani: Qeveria do të mbështesë rritjen e prodhimit vendas dhe krijimin e zinxhirit të vlerave

Ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani, vizitoi një biznes të suksesshëm në fushën e blegtorisë dhe siguroi se Qeveria Shqiptare do të mbështesë rritjen e prodhimit vendas dhe krijimin e zinxhirit të vlerave.

Ministri Cani shkoi në fundjavë në  Komunën Steblevë të Qarkut të Dibrës. Ministri u interesua për investimet blegtorale në këtë zonë dhe vizitoi fermën “Kojezane”, që shënon një histori suksesi të biznesit në këtë zonë. Ministri u tha mikpritësve se sektori i bujqësisë dhe blegtorisë ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin rural të vendit tonë dhe se ndër të gjithë produktet blegtorale, prodhimi dhe përpunimi i qumështit përbën një mjet, i cili në konceptin e zinxhirit të vlerës, referuar impaktit dhe shtrirjes së tij, është nga më efikasët në gjenerimin e këtij zhvillimi.

Ministri i Financave, duke parë nga afër këtë investim vlerësoi se në zinxhirin e vlerës së qumështit dhe tregtueshmërinë e tij janë të përfshirë shumë faktorë, të tillë si: praktikat e prodhimit të qumështit, komuniteti fermer, luhatjet sezonale si në prodhimin ashtu edhe konsumin e tij, aspektet financiare, roli i ndërmjetësve, infrastruktura, përcaktimi i çmimeve dhe roli i agjencive qeveritare.

Ministri theksoi se ky biznes, sidomos në zona të tilla si ajo e Steblevës luajnë rol dhe mund të përdoret si një mjet për zhvillimin e zonave rurale të vendit, rritjen e punësimit dhe ngadalësimin e migrimit të popullsisë, që banojnë në zonat malore dhe rurale, kur dihet që qumështi dhe nën-produktet e tij sigurojnë pothuajse një të tretën e marrjes së proteinave shtazore në nivel global.

Biznesi i grumbullimit dhe përpunimit të qumështit “Kojezane”, i krijuar në vitin 2014, në fshatin Sebishtë, Komuna Steblevë, Librazhd, me një kapacitet grumbullimi qumështi prej 600 – 1200 litra në ditë, është një biznes nyje i grumbullimit dhe përpunimit të qumështit (aktualisht furnizohet nga rreth 15 – 20 fermerë të vegjël dhe 3 – 4 fermerë me tufa mbi 100 krerë bagëtish të imëta).

Ky investim përbën një financim individual të vetë sipërmarrësit, në një vlerë mbi 10 milionë lekë dhe me perspektivë rritje apo zgjerimi të mëtejshëm, duke kërkuar edhe mbështetjen e institucioneve të ndryshme financiare bankare dhe jo-bankare (institucionet e mikrofinancës).

E veçanta e kësaj sipërmarrje private në fushën e blegtorisë është se brenda një kohe shumë të shkurtër (rreth 1 vit) ka rritur në mënyrë të vazhdueshme sasinë e grumbulluar të qumështit të dhive dhe deleve të fshatrave përreth në komunën Steblevë dhe me anë të një teknologjie përpunimi të avancuar, përfshirë një analizator qumështi, ka arritur të ketë një kapacitet prodhimi prej rreth 6 – 7 ton “djath me feta” në vit, ndërkohë që për vitin aktual po planifikon të fillojë prodhimin e një produkti të ri (në bashkëpunim me Shoqatën Holandeze PUM), i cili është “djathi kaçkavall”.

Produktin që prodhon, “Kojezane” e shet në disa supermarkete në Tiranë, si edhe drejtpërdrejt në shumë klientë familjarë në Librazhd, Dibër, Tiranë, etj. Me planifikimin për futjen e produktit të ri (djathit kaçkavall), ky sipërmarrës do të blejë edhe qumështin e lopës, të cilin do ta përdor si lëndë e parë, gjë e cila do të nxisë dhe motivojë akoma më shumë fermerët e zonës për të rritur numrin e krerëve të bagëtive respektive.

Aktualisht “Kojezane” është e vetmja baxho me teknologji bashkëkohore në këtë komunë dhe në fshatrat përreth, dhe perspektiva e zhvillimit të saj do të ketë impakt direkt në gjenerimin e punësimit dhe të ardhurave, por edhe indirekt do të ndikojë në zhvillimin e blegtorisë së zonës, duke nxitur fermerët që të rrisin numrin e krerëve të bagëtive të imëta, të përkujdesen akoma më shumë dhe më mirë për cilësinë e qumështit, në kushtet kur kjo baxho do të shërbejë si treg për produktin e tyre.

Të rejat e fundit