Postuar më: 17/03/2015

Ministri Cani: Reformat tona një garanci për stabilitetin e financave publike

Të nderuar të pranishëm!

Së bashku me misionin e FMN, me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, bëmë një vlerësim të situatës ekonomike në vend, si dhe një analizë të risqeve që ekzistojnë dhe që shtrohen në periudhën në vazhdim gjatë vitit 2015.

Falënderojmë misionin për bashkëpunimin dhe dhënien e ekspertizës në shqyrtimin e situatës ekonomike të vendit si dhe në analizën e sfidave që shfaqen.

Rishikimi i radhës, bashkë me misionin, konfirmon edhe një herë se programi për konsolidim të ekonomisë dhe financave të vendit është në rrugën e duhur, duke përmbushur kërkesat dhe parashikimet tona.

 

RRITJA EKONOMIKE:

Ne gjejmë dakordësi me njëri-tjetrin për sa i përket zhvillimeve ekonomike dhe parashikimeve për të ardhmen. Kështu, ne konfirmojmë parashikimet se rritja ekonomike do të jetë rreth 3% për vitin 2015 dhe përshpejtohet në vitet në vijim (në përputhje me kuadrin makroekonomik për vitet në vazhdim).

 

PERFORMANCA FISKALE:

-Performanca fiskale e 2014 ka qenë në linjë me parashikimet tona, duke na lejuar arritjen e objektivave të konsolidimit.

-Në vitin 2015 janë shfaqur disa risqe të jashtme shtesë, – performanca më e ngadaltë e EU-së, situata e Greqisë/Italisë, kursi i këmbimit, çmimet e mallrave bazë (nafta/mineralet), të cilat ndikojnë në të ardhurat fiskale.

Gjithsesi ne mendojmë se buxheti 2015, si dhe reformat e ndërmarra, na lejojnë për të qenë më të qëndrueshëm ndaj këtyre ndikimeve të jashtme në ekonominë e vendit, duke qenë këto reforma një garanci për stabilitetin e financave publike.

-Reforma e sektorit energjetik, njërës prej rreziqeve më të rënda të buxhetit, reforma e pensioneve (një risku evident për zhvillimin afatgjatë) dhe reformat e financave publike tashmë e bëjnë vendin më të sigurtë dhe të mbrojtur ndaj efekteve negative dhe janë një bazë e shëndoshë për rritjen ekonomike afatgjatë.

Reformat e vazhdueshme në sektorin fiskal:

  • Vlen për t’u përmendur zbatimi i sistemit të ri informatik në DPT, një sistem rrënjësisht i ndryshëm nga paraardhësi, i zbatuar në një periudhë kohe tejet të shpejtë (duke ditur kompleksitetin e projektit). Sistemi i ri është një sistem modern, i ndërtuar në bazë të teknologjive dhe standardeve të kohës, duke ofruar një kapacitet pune dhe sigurie të pa krahasueshëm me paraardhësin.
  • E përmendim veçanërisht këtë sistem pasi ai, jo vetëm ofron një shërbim cilësor ndaj tatimpaguesve, por mundëson shndërrimin e administratës tatimore në një administratë moderne. Tashmë DPT ka hartuar, në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët më të mirë të fushës së FMN, edhe planin strategjik për zhvillimin e administratës tatimore 2015-2019.
  • Njëkohësisht ne vazhdojmë me projekte konkrete për modernizimin e fiskalizimit në vend: kemi projektin e kadastrës fiskale si dhe të lotarisë me kuponin tatimor, të cilët shpresojmë të jenë operacionale gjatë vitit 2016.
  • Shumë shpejt do të fillojmë me një fushatë konkrete ndaj informalitetit dhe evazionit.

 

KREDITIMI

Një faktor i brendshëm dhe i rëndësishëm për të nxitur rritjen ekonomike, të cilin ne do të dëshironim të performonte shumë më mirë, është kreditimi i sektorit privat.

-Për të pasur një përmirësim të nivelit dhe sidomos cilësisë së kreditimit duhet që niveli i kredive më probleme, pavarësisht një rënie të konsiderueshme në tremujorin e fundit të 2014-ës, të jetë në nivele më të ulta.

-Përveç masave tashmë të ndërmarra nga Qeveria dhe BSH, ne synojmë krijimin e një grupi pune ndërinstitucional të nivelit të lartë për të hartuar një strategji/plan masash konkret për të ulur nivelin e NPL-ve.

 

DETYRIMET E PRAPAMBETURA

Tashmë shlyerja e detyrimeve të prapambetura vazhdon me ritme të kënaqshme dhe jemi konfident mbi korrektësinë e procesit duke pasur parasysh transparencën dhe auditimet e vazhdueshme që i bëhen procesit (nga audit të brendshëm/KLSH/ dhe të jashtëm): ne shpresojmë në përfundimin e procesit përpara parashikimit fillestar të programit.

Deri tashti kemi kryer pagesën e rreth 50.3 mld lekë detyrime të prapambetura, pa përfshirë këtu pagesat e vendimeve të Gjykatës së Strazburgut

 

EUROBONDI/BORXHI

Me misionin e FMN-së diskutuam gjerësisht edhe aspekte teknike të financave publike duke përfshirë përmirësimin e menaxhimit të financave publike dhe strategjinë e qeverisë për menaxhimin e borxhit publik. Në përputhje me programin, tashmë ne fillojmë me konsolidimin e nivelit të borxhit publik. Kuptohet kjo është shprehur qartë edhe në buxhetin 2015 të miratuar në parlament.

-Siç e dini, sivjet, Shqipëria bën rinovimin e Eurobondit, një proces shumë rutinë për tregun ndërkombëtar. Eurobondi i ri do të kryejë thjesht zëvendësimin e Eurobondit të shkuar (rreth 300 milionë EURO), pra, nuk është shtesë e nivelit të borxhit. Plani ynë, siç është bërë tashmë publik, është për ta kryer këtë proces në gjysmën e parë të vitit për të përfituar nga kushtet e favorshme të tregut. Ne shkëmbyem me misionin pikëpamjet tona mbi procesin dhe praktikat më të mira për ta menaxhuar atë.

-Për të krijuar hapësirën e nevojshme për nxitjen e kreditimit të biznesit në vend ne po materializojmë marrjen e një kredie ndërkombëtare të garantuar nga Banka Botërore (Public Finance Policy Based Guarantee (PBG)). Kjo kredi e marë në tregun e jashtëm nuk do të jetë mbi nivelin e borxhit të miratuar në parlament por thjesht është zëvendësim i huamarrjes së brendshme me atë të jashtme.

Faleminderit!

Të rejat e fundit