Postuar më: 21/03/2014

Ministri i Financave, Cani: Pas Kodit të ri Doganor, të tjera reforma

Kodi i ri doganor parashikon një tërësi lehtësish procedurash doganore, te cilat do të ndikojnë ndjeshëm në uljen e kohës dhe kostos së mbylljes së procedurave doganore, të tilla si:

 

  • lehtësimi dhe thjeshtimi i procedurave doganore dhe lufta kundër mashtrimit, për t’ju përgjigjur zhvillimeve të tregtisë ndërkombëtare si dhe nevojave të operatoreve ekonomikë;
  • qartësimin në zbatim të procedurave të rregulluara prej tij, si për Operatorët Ekonomikë (bizneset), ashtu edhe për Administratën Doganore;
  • harmonizimin e vendimmarrjes;
  • unifikimin e një numër rregullash dhe praktikash të rëndësishme, të cilat, deri më tani, mundet të jenë aplikuar rast pas rasti.

 

Paralelisht me Kodin e ri Doganor, Ministria e Financave ka hapur pwr konsultim ligjin e ri të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), ligj i cili është hartuar në përputhje me praktikat më të mira evropiane.

 

Të dy këto ligje të reja, të cilat në themel të tyre, harmonizojnë në kuadrin tonë ligjor me procedurat dhe standardet më të mira evropian, do të lehtësojnë tregtinë ndërkombëtare, duke i konsideruar doganën shqiptare njësoj sikurse doganat evropiane. Ligjet do kalojnë në një proces të gjerë diskutimi duke përfshirë të gjitha palët e interesuara me transparencë të plotë për publikun.

 

Kuadri ligjor do të shoqërohet me hapa të rëndësishme drejt thjeshtëzimit të procedurave doganore. Projekti më i ri dhe në punim e sipër “Single window”, i cili synon përqendrimin e tërësisë së lejeve, autorizimeve, e akteve të tjera administrative që i duhen një importuesi /eksportuesi në momentin e paraqitjes në doganorë. Tërësia e këtyre akteve do të administrohet nga një njësi e posaçme pranë administratës doganore. Në këtë mënyrë çdo importuesi /eksportuesi i ulet ndjeshëm koha dhe kosto e procedurave doganore.

 

Pranë ministrisë së Financave është ngritur një grup pune, i cili po analizon tërësinë e zbatimit të çmimeve të referencës me synim minimizimin e përdorimit të tyre. Synohet të shfuqizohet gradualisht zbatimi i këtyre çmimeve dhe gjithnjë e më shumë të përdoret vlera e transaksionit. Komisioni Ad HOC që operon pranë Ministrisë së Financave, këto dy muajt e fundit, ka vijuar me shfuqizimin e referencave të këtyre produkteve, të tjera do të shfuqizohen në vijimësi.

 

 

Pritet të lidhet shumë shpejt marrëveshja e shkëmbimit të informacionit midis Administratës Doganore dhe Tatimore, e cila do të përmirësojë ndjeshëm kontrollin dhe administrimin fiskal. Përpos kësaj, operacione të përbashkëta midis dy administratave parashikohen në luftën ndaj evazionit fiskal.

 

Janë duke u rishikuar gjithë aktet nënligjore në fushën doganore. Kjo nevojë e rishikimit të kuadrit tonë ligjor vjen në adresim të kërkesave të biznesit për thjeshtëzim të procedurave doganore. Tre janë elementët kyç që ne synojmë:

 

  • Rishkrimin e procedurave – të thjeshta dhe të qarta në zbatim të legjislacionit tatimor dhe doganor në fuqi;
  • Heqja e abuzivizmit në interpretime të inspektorëve tatimorë /doganorë;
  • Pasurimi i dispozitave fiskale me realitete e reja te zhvillimit te biznesit.

 

Shënim: 

Në faqen e internetit te ministrisë, te Legjislacioni, gjeni të publikuar Projekt Kodin Doganor

Të rejat e fundit