
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë znj. Anila Denaj mori pjesë në ceremoninë për hapjen e garës ndërkombëtare për projektin e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës që do të jetë një koncesion i formës BOT (Ndërto, Opero-Transfero) me një afat 35 vjeçar.
Gjatë fjalës së saj Ministrja Denaj nënvizoi efektin zinxhir të këtij projekti në ekonominë e zonës. “Ky investim është katalizator për të gjithë ekonominë dhe veçanërisht për gjithë pjesën e Jugut. Ne konsolidojmë pjesën e turizmit me këtë investim, por ky nuk është i vetmi sektor që do të marrë dimension zhvillimi. Ka statistika që vlerësojnë që ndikimin në ekonomi me ndërtimin e një aeroporti në një zonë të caktuar ka dy impakte që vlerësohen të menjëhershme:
-rritje me 10% e ekonomisë së asaj zone në momentin e lidhjes me një aeroport, rritje me 0.5% e PBB-së për frymë,
-rritje e punësimit me rreth 20-25% që në momentin e parë të investimit dhe më pas do të ketë mundësi të tjera që ne duhet t’i shfrytëzojmë për t’i çuar edhe me tej”, tha Ministrja Denaj.
Sipas Ministres Denaj, investimi në këtë aeroport është dimensioni i parë, por që më pas kjo do të shërbeje për më shumë investime.
Ajo theksoi, se për të krijuar një klimë të favorshme për thithjen e investimeve të huaja, duhet përmirësimi dhe orientimi drejt një arsimi profesional cilësor.
Tenderi i hapur ndërkombëtar për Aeroportin e Vlorës do të mbyllet me 12 Mars të vitit të ardhshëm.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.