Postuar më: 22/10/2020

Ministrja Denaj pret në një vizitë zyrtare Sekretarin e Shtetit për Ekonominë, Energjinë dhe Klimën e Biznes z. Liviu Rogojinaru

 

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj priti në një vizitë zyrtare Sekretarin e Shtetit për Ekonominë, Energjinë dhe Klimën e Biznes z. Liviu Rogojinaru të shoqëruar edhe nga përfaqësues të sipërmarrjes.

Gjatë takimit mes dy delegacioneve u diskutua mbi intensifikimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Rumanisë.

Të dy zyrtarët e lartë vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe ndanë vizionin e përbashkët për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

“Bashkëpunimi rajonal është një shtyllë kryesore e zhvillimin ekonomik dhe mendojmë se është një moment i mirë të diskutojmë së bashku sesi ky zhvillim ekonomik mund të kontribuohet edhe me investimet që vijnë nga vendi juaj. Integrimi europian është projekti madhor i qeverisë shqiptare përtej të gjithë nevojave për të zhvilluar ekonominë dhe arritur suksesin e projekteve të qeverisë Rama”, tha Ministrja Denaj.

Ministrja Denaj gjithashtu gjatë fjalës së saj shprehu falënderimin për ndihmën e dhënë nga qeveria rumune në kohën e tërmetit të 26 Nëntorit, si dhe kontributin në  Konferencën e Donatorëve.

“Kemi nisur reforma të rëndësishme në vitet e shkuara reformën e drejtësisë dhe  atë të regjistrimit të pronës, të cilat janë garanci për investitorët e huaj dhe ata rumunë për të mbështetur zhvillimin ekonomik të këtij vendi dhe arritur suksesin e biznesit në të dyja vendet”, nënvizoi ndër të tjera Ministrja Denaj.

Nga ana e tij Sekretari i Shtetit për Ekonominë, Energjinë dhe Klimën e Biznes z. Liviu Rogojinaru vlerësoi maksimalisht bashkëpunimin e deritanishëm me qeverinë shqiptare.

“Ne jemi dy shtete të Ballkanit me histori të ngjashme dhe shpresojmë shumë që të ketë një frymë të re mes nesh duke nisur nga propozimi  i Komunitetit Europian që Shqipëria të jetë pjesë e këtij bashkëpunimi. Shqipëria për ne nuk është vetëm një mik i vjetër dhe i mirë, por edhe një partner shumë i rëndësishëm. Ne jemi të kënaqur që të jemi me ju në këtë rrugëtim të ri për zbatimin e  reformave sipas rregullave të Bashkimit Europian. Kompanitë shqiptare në Rumani janë të mirëpritura, uroj që të jetë e njëjta gjë edhe për kompanitë rumune në  vendin tuaj, në mënyrë që të rindërtojmë një Shqipëri të re së bashku”, tha z. Rogojinaru.

Gjatë takimit palët shprehën vullnetin reciprok për të intensifikuar marrëdhëniet dypalëshe dhe për të zgjeruar rrugët e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë si energjia, transporti, komunikimi, arsimi, kultura etj..

Delegacioni i lartë rumun pati mundësi të zhvillonte takime të frytshme edhe me përfaqësues të dhomave të biznesit, për t’u njohur nga afër me mundësitë që vendi ofron për të bërë biznes.

*Të dhëna

Për vitin 2019 volumi tregtar i shkëmbimeve me Rumaninë ishte 101 milionë euro.

Të dhënat e 8 – mujorit të vitit 2020 tregojnë për një volum tregtar të shkëmbimeve me Rumaninë në vlerën e rreth 47 milionë eurove.

Stoku i investimeve direkte rumune për periudhën 2015 – 2020 (T2) është 2 milionë euro.

Sipas të dhënave të regjistrit tregtar të QKB-së ( tetor 2020) rezultojnë 83 kompani me aksionerë rumunë apo me kapital të përbashkët, të lokalizuar kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.

 

­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­