Postuar më: 14/12/2022

Ministrja Ibrahimaj: Bashkëpunim të ngushtë me biznesin për adresimin e sfidave të tregut të punës

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në konferencën “Forca e Punës: Sfidat e së ardhmes në Shqipëri”, organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe Revista Monitor.

Ministrja Ibrahimaj vlerësoi organizimin e konferencës si një mundësi shumë e mirë për diskutimin e sfidave në tregun e punës, për sugjerimet që mund të jepen për zgjidhjen e problematikave, të cilat mund të shërbejnë për hartimin e politikave të duhura në këtë drejtim.

Ministrja theksoi faktin se sfidat e tregut të punës janë gjithëpërfshirëse, pasi lidhen me problematika të ekonomisë në përgjithësi dhe për të adresuar këto sfida duhet të analizohet e gjithë ekonomia dhe pikat e dobëta të saj.

Një prej këtyre sfidave mbetet emigracioni, i cili do vijojë të mbetet i tillë, në kontekstin e procesit të integrimit europian të vendit.

Megjithatë, Ministrja theksoi se për të adresuar këtë çështje, kërkohen veprime kolektive të njëpasnjëshme, ku qeveria dhe biznesi kanë rolin e tyre.

“Jemi angazhuar në një proces konsultimi të gjerë për rekomandimet që biznesi ka jo vetëm në fushën e tregut të punës, por në shumë fusha të ndryshme. Është një proces i cili duhet dhe do të vazhdojë pasi ne duhet të jemi gjithmonë në përmirësim pasi, procesi i integrimit europian është një proces i cili na sfidon të gjithëve që të jemi më eficentë, më produktivë, që t’i bëjmë ballë atyre sfidave që realisht do të kemi në momentin e hyrjes në BE”, vijoi Ministrja.

Një sfidë tjetër është ndryshimi i vazhdueshëm i tregut të punës dhe i kërkesave për aftësi që ai ka, për të cilën Ministrja theksoi nevojën që politikat për t’i ardhur në ndihmë tregut të punës duhet të jenë gjithmonë në zhvillim.

 “Të gjithë projektet e mëdha që kanë filluar kërkojnë aftësi dhe profesione. Kjo është dhe arsyeja pse nëpërmjet instrumenteve që kemi aktualisht dhe atyre që po ndërtojmë, duam të ndërtojmë ura shumë më të mira bashkëpunimi me bizneset, me qëllim që të dëgjojmë nga bizneset aktualitetin”, tha Ibrahimaj.

Gjithashtu, Ministrja përmendi faktin se në bashkëpunim me biznesin janë ngritur disa komitete teknike sektoriale, si në fushën e IT apo turizmit, qëllimi i të cilëve është njohja sa më mirë me kërkesat e biznesit për sektorë të caktuar dhe marrjen e masave konkrete nga ana e qeverisë.

Edhe pse shumë punë është bërë për forcimin e institucioneve të tregut të punës, informaliteti mbetet ende një sfidë për tu adresuar.

Ministrja Ibrahimaj vuri në dukje faktin se, në krahasim me disa vite më parë, janë arritur rezultate kundër informalitetit të punës në të zezë, ndërsa në fokus mbetet edhe informaliteti gri, ai që lidhet me deklarimin real të pagave.

Vitin e kaluar qeveria ndërmori një nismë për të luftuar këtë lloj informaliteti, e cila dha efekte pozitive sidomos në rritjen e deklarimit të nivelit të pagës minimale.

Ministrja deklaroi se qeveria do të vijojë punën në drejtim të luftës ndaj informalitetit, por shtoi se edhe në këtë drejtim puna duhet të jetë e përbashkët, mes gjithë aktorëve.

Në përfundim të fjalës së saj, Ministrja falënderoi dhomat e tregtisë dhe përfaqësuesit e biznesit për kontributin e dhënë për adresimin e sfidave të ekonomisë në tërësi dhe shprehu gatishmërinë e qeverisë për të dëgjuar problematikat e tyre dhe për t’i dhënë zgjidhje.

Fjala e plotë e Ministres Ibrahimaj:

Përshëndetje,

Faleminderit për ftesën dhe jam e kënaqur që gjendem sot këtu, mes miqsh, mes kolegësh, mes bashkëpunëtorësh, mes ish kolegësh, të cilët kanë kontributin e tyre në hartimin e politikave ekonomike.

Qeveria është përgjegjëse për hartimin e politikave, por ato nuk hartohen vetëm dhe forume të tilla si këto, të cilat nxjerrin në pah sfidat, por edhe sugjerimet për zgjidhje, janë rruga e duhur drejt politikave të duhura dhe drejt zgjidhjes së problematikave.

Sot jam e bindur që secili prej panelistëve dhe të ftuarve do të japë kontributin e vet për sa i përket temës që po trajtohet, sfidat në tregun e punës.

Sfidat e tregut të punës janë gjithëpërfshirëse, pasi nuk lidhen vetëm me problematika strikte të tregut të punës, por lidhen edhe me problematikat e ekonomisë në përgjithësi dhe për t’i adresuar ato duhet analizuar e gjithë ekonomia dhe të gjitha pikat e dobëta që ne kemi, në mënyrë që t’i bëjmë ballë të ardhmes.

Është e vërtetë që sot gjendemi në një situatë tepër sfiduese. Do të ishte e tillë thjesht nëse do të ishim në rrugën drejt integrimit europian. Por sfidat tona nuk limitohen vetëm aty.

Gjatë viteve të fundit, qeveria dhe biznesi është përballur me sfida të jashtëzakonshme, të cilat fatmirësisht i kemi bërë ballë.

Unë jam e kënaqur të dëgjoj që treguesi i besimit të biznesit që Dhoma Amerikane përpilon çdo vit, për vitin 2021 ka qenë pozitiv. Shifra pozitive dhe tendenca pozitive e bizneseve është gjysma e punës pasi nëse perceptimi për të ardhmen është optimist, atëherë e ardhmja ka shumë gjasa të jetë optimiste sepse vendimet që merr biznesi për të ardhmen do të jenë vendime për rritje investimesh, të cilat do të sjellin padyshim dhe rritje të të gjithë treguesve të atij biznesi, por edhe të ekonomisë në total. Pra, më vjen mirë që e nisim me një lajm të mirë.

Nga ana tjetër, sigurisht që sot tema kryesore është tregu i punës dhe sfidat e tij. Po, emigracioni është një element, i cili është dhe ka qenë sfidë edhe në të kaluarën dhe me hapat tona drejt integrimit europian besoj se do të vazhdojë të jetë i tillë. Si do ta bëjmë ne Shqipërinë dhe biznesin shqiptar më konkurrues krahasuar me bizneset në Europë? Si do ta bëjmë ne ekosistemin ekonomik shqiptar më konkurrues me qëllim që të mbajmë forcat e punës dhe të mos kemi largime të tjera?

Kjo është një përgjigje e cila nuk ka një zgjidhje. Është një përgjigje që kërkon analizë dhe disa veprime kolektive të njëpasnjëshme dhe jam e bindur që secili në ekosistemin e vet është duke bërë diçka, duke filluar që nga bizneset.

Sigurisht që tregu i punës, si çdo treg tjetër, përcaktohet nga kërkesa dhe nga oferta, pra përcaktohet nga çmimi. Një çmim më i mirë do ta mbajë të punësuarin më të lidhur në vendin e punës së tij dhe nuk do ta bëjë të kërkojë për një punë tjetër. Një politikë industriale përsa i përket tregut të punës, e menduar në strategji biznesi për të mbajtur punonjësit, është një nga zgjidhjet e problematikës në mikro. A janë të gjitha bizneset shqiptare në këtë standard dhe në këtë nivel sot? Jam e bindur që pjesa më e madhe prej jush që ndodheni sot këtu keni politikat tuaja të burimeve njerëzore, por jo të gjitha bizneset shqiptare janë në këtë stad sot. Unë e nisa duke folur për biznesin, duke mos dashur të heq gjithë përgjegjësinë që ka qeveria në këtë drejtim.

Ne sot paraqitemi me shumë sfida dhe emigracioni është një nga ato.

Një sfidë tjetër është ndryshimi i vazhdueshëm i tregut të punës dhe i kërkesave dhe aftësive që tregu i punës ka.

Nëse do të kthenim vështrimin 5 vite më pas, do të kuptonim që kërkesat e tregut të punës kanë qenë komplet të ndryshme dhe punët e sotme mund të mos imagjinoheshin 5 vite më parë. Aftësitë e kërkuara sot janë aftësi të cilat nuk kanë qenë ato që kërkoheshin disa vite më parë. Kjo do të thotë që politikat tona për ndërtimin e instrumenteve të duhur, për t’i ardhur në ndihmë tregut të punës, duhet të jenë gjithë kohën në zhvillim dhe në lëvizje.

Nëse para disa vitesh qeveria bënte analizë të aftësive, një vrojtim me frekuencë 4 vjeçare dhe na jepte një pasqyrë shumë të mirë të asaj që kërkohej në atë moment dhe të politikave që ne duhet të hartonim për vitet e ardhshme, sot kjo analizë nuk mund të bëhet një herë në katër vjet dhe nuk mund të marrim rezultatet e një viti pas një viti e gjysmë kur përfundojnë vrojtimet, por duhet të jemi në një trend të vazhdueshëm të kërkimit për nevojat e tregut.

Sot Shqipëria ka arritur një nivel të caktuar zhvillimi dhe të gjithë projektet e mëdha që kanë filluar kërkojnë aftësi dhe profesione. Kjo është dhe arsyeja pse nëpërmjet instrumenteve që kemi aktualisht dhe atyre që po ndërtojmë, duam të ndërtojmë ura shumë më të mira bashkëpunimi me bizneset, me qëllim që të dëgjojmë nga bizneset aktualitetin dhe të mos presim rezultatet e një vrojtimi apo një studimi që do të na vijë me shumë vonesë.

Kjo është arsyeja pse ne kemi ngritur disa komitete teknike sektoriale, në bashkëpunim me biznesin, të cilat kanë për qëllim pikërisht dhënien e një pikture më të mirë të kërkesave të biznesit për sektorë të caktuar dhe marrjen e masave nga ana jonë për hartimin e kurrikulave të reja apo hapjen e kurseve të reja, qoftë në shkollat profesionale apo në universitete.

Aktualisht ne kemi punuar për të ngritur dy komitete:

komitetin që merret me teknologjinë e informacionit, që sigurisht është sfida e aftësimit për të ardhmen, pasi dixhitalizimi është zgjidhja e shumë problematikave që shteti ynë ka, qoftë duke filluar nga informaliteti, ofrimi i shërbimeve, duke vazhduar me eficenën dhe produktivitetin qoftë të sektorit shtetëror, qoftë të sektorit privat;

komiteti tjetër lidhet me turizmin dhe aftësitë në turizëm, që gjithashtu ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe vitet e fundit ka ardhur gjithmonë e më në rritje.

A ka nevojë për të tjerë? Sigurisht që ka nevojë për të tjera. Ne jemi duke punuar për një komitet të tretë dhe për të pasur sa më shumë input të biznesit në vendimmarrjen tonë dhe në politikat tona për të ardhmen.

Unë sigurisht do të doja t’ju ftoja që të bëheni pjesë e këtyre forumeve, që më aktivisht të flasim me njëri-tjetrin jo vetëm në konferenca, por ndoshta në tryeza të rrumbullakëta më të dedikuara teknikësh.

Ne gjatë vitit të kaluar, edhe me iniciativë të Dhomës Amerikane, jemi angazhuar në një proces konsultimi të gjerë për rekomandimet që biznesi ka jo vetëm në fushën e tregut të punës, por në shumë fusha të ndryshme. Është një proces i cili duhet dhe do të vazhdojë pasi ne duhet të jemi gjithmonë në përmirësim pasi, siç e përmendëm edhe më parë, procesi i integrimit europian është një proces i cili na sfidon të gjithëve që të jemi më eficentë, më produktivë, që t’i bëjmë ballë atyre sfidave që realisht do të kemi në momentin e hyrjes në Bashkimin Europian.

Shumë punë është bërë për forcimin e institucioneve të tregut të punës, megjithatë, informaliteti mbetet ende një sfidë për tu adresuar.

Në krahasim me 5 apo 10 vite më parë, ne kemi arritur të luftojmë përmes institucioneve dhe instrumenteve tona informalitetin e zi, pra regjistrimin e të punësuarve.

Megjithatë, kemi shumë punë për të bërë ende për informalitetin gri, pra për deklarimin real të pagave, të cilat japin një zhvendosje dhe të statistikave kryesore që ne duhet të analizojmë për të marrë vendime dhe për të hartuar politika.

Gjatë vitit të kaluar ne ndërmorëm një nismë për informalitetin gri, pra për deklarimin real të pagave, e cila pati një efekt të dukshëm në rritjen e nivelit të pagave, sidomos në rritjen e deklarimit nivelit të pagës minimale. 60 % e të punësuarve të cilët ishin të kategorizuar si të punësuar me pagë minimale patën një rritje të pagës të tyre, thjesht nga nisma kundër informalitetit. A është kjo e dëmshme? Sigurisht që është e dëmshme. Sigurisht që ky lloj informaliteti ju dëmton në radhë të parë ju që jeni biznese të ndershme, të cilët keni dhe vuani një konkurrencë të pandershme. Pra puna jonë do të vazhdojë në drejtim të luftës tonë ndaj informalitetit, por edhe në këtë drejtim puna duhet të jetë e përbashkët.

Dua të falënderoj sot dhomat e tregtisë, të gjithë biznesin, që është i gatshëm të kontribuojë në të gjithë sfidat që ne kemi, është i gatshëm që të bashkëpunojë dhe ne do të jemi aty për të dëgjuar çdo problematikë tuajën.

Gjithashtu me shumë vëmendje do të dëgjoj të gjithë ekspertët e ekonomisë që sot do të paraqesin temat e tyre të diskutimit dhe uroj që në fund të kësaj dite të dalim me disa propozime për të përballuar sfidat tona të përbashkëta.

Faleminderit.