Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj, mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me temë “Rëndësia e mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale- në këndvështrimin e biznesit”, organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues nga komuniteti i biznesit, Drejtoresha e Përgjithshme e DPPI, znj. Ledina Beqiri, dhe Kryeinspektori i Inspektoriatit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, z. Lavdrim Sahitaj.
Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj vuri theksin në rëndësinë e pronësisë intelektuale në drejtim të stimulimit të zhvillimit ekonomik të vendit, duke përbërë një tregues të nivelit të dinamikës të aktivitetit tregtar.
Ministrja Ibrahimaj vlerësoi arritjet e deritanishme në fushën e pronësisë intelektuale, reformimi i së cilës është prioritet i qeverisë, dhe u shpreh se respektimi dhe mbrojtja e pronësisë intelektuale është thelbësore për konkurrencën e ndershme dhe zhvillimin ekonomik.
Ministrja kërkoi më shumë angazhim për ndërgjegjësimin e biznesit për përfitimet që vijnë nga regjistrimi dhe mbrojtja dhe e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe industriale.
Drejtoresha e Përgjithshme e DPPI, znj. Ledina Beqiraj bëri një panoramë të zhvillimeve dhe arritjeve në fushën e pronësisë intelektuale, ku një punë e madhe është bërë për ndërgjegjësimin e bizneseve.
Gjatë periudhës janar-tetor 2021, pranë DPPI u depozituan 2,335 aplikime për markë, nga të cilat 727 prej tyre janë me aplikantë shtetas Shqiptarë, krahasimisht me vitin 2020 ku u depozituan 566 aplikime po nga shtetas shqiptarë.
Rezultatet e arritura, sipas znj. Beqiraj, tregojnë interesim jo vetëm të biznesit vendas apo krijuesit vendas për të regjistruar krijimtarinë, por dhe të tregut ndërkombëtar të cilët shfaqin interes dhe kërkojnë mbrojtje dhe për tregun shqiptar.
DPPI është përfshirë edhe në portalin unik qeveritar E-Albania me 154 shërbime online për biznesin apo çdo individ, i cili mban apo ka krijuar një objekt të pronësisë industriale. Kjo ka krijuar lehtësira shumë të mëdha pasi, deri tani, 81 aplikime janë bërë me anë të këtij portali dhe kanë vijuar me proceset apo janë pajisur me çertifikatën përkatëse.
Nga ana e tij, Kryeinspektori i ISHMT, z. Lavdrim Sahitaj bëri një përmbledhje të veprimeve kryesore të institucionit që drejton në fushën e mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale.
Gjatë periudhës janar-tetor 2021 janë kryer 313 inspektime mbi të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to; janë vendosur 57 dënime administrative kryesore dhe janë paraqitur 20 kërkesë ankesa për cënimin e markave tregtare, për të cilat janë legjitimuar dhe janë kryer 7 inspektime dhe janë vendosur 6 masa administrative me gjobë.
Përveç inspektimeve, ISHMT është fokusuar në rritjen e ndërgjegjësimit për bizneset dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për mbrojtjen e pronësisë intelektuale. Së fundmi janë miratuar edhe disa ndryshime ligjore në ligjin 9947 “Për Pronësinë Industriale”, të cilat do i mundësojnë ISHMT një numër më të lartë inspektimesh në këtë fushë dhe rregullimin e tregut të brendshëm nga mallrat e falsifikuara.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.