Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ishte sot në mjediset e kompanisë “Toni Oil” në Bilisht, që operon në sektorin e përpunimit aktiv për t’u njohur nga afër me ankesat e punonjësve për moszbatimin korrekt të detyrimeve që rrjedhin nga Kodi i Punës, të cilat i kanë referuar edhe pranë zyrës së Inspektoratit të Punës.
“Qeveria është e angazhuar për të garantuar zbatimin e plotë dhe korrekt të ligjit, respektimin e kushteve të duhura në vendin e punës, si dhe të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës”, tha Ministrja Ibrahimaj.
Pjesë e marrëveshjes së dakordësuar ishte edhe sigurimi i lidhjes së një kontrate të re të punës mes punëdhënësit dhe punëmarrësve, e cila parashikon pagesën e pagave, duke respektuar nivelin jo më të ulët se ajo e miratuar si pagë minimale, ditët e punës sipas Kodit të Punës, si dhe pagesat shtesë në rastet e ditëve të pushimit apo festave.
“Vlerësova ta shihja nga afër situatën në këtë fabrikë dhe të takohesha personalisht për të dëgjuar të gjitha palët. Si Ministre e Financave dhe Ekonomisë e konsideroj të rëndësishëm bashkëpunimin dhe dialogun me biznesin, në kuadër të frymës të zhvillimit të ekonomisë, por natyrisht edhe për zbatimin e plotë të detyrimeve ligjore kundrejt punonjësve, si nga aspekti tatimor, ashtu edhe nga ai i sigurisë dhe trajtimit të barabartë në vendin e punës. Nga këtu do të marrim shkas që të nisim një proces verifikimi në të gjitha fasoneritë e vendit, me qëllim që të gjithë normat dhe kriteret e caktuara në Kodin e Punës të respektohen dhe të zbatohen plotësisht”, theksoi Ministrja Ibrahimaj.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë inkurajoi punëmarrësit që të ndjekin të gjitha rrugët e komunikimit, qoftë përmes Administratës Tatimore, qoftë me Inspektoratin e Punës për të denoncuar çdo rast abuzimi për shkeljet që ata konstatojnë, pasi në këtë mënyrë do të mbrohen dhe garantohen të drejtat e tyre dhe parimet ligjore.
Për të reduktuar informalitetin në tregun e punës, qeveria vetëm pak kohë më parë ngriti njësinë e specializuar “Antiinformalitet”, një nismë që është duke u zbatuar aktualisht dhe që ka në qendër të punës identifikimin e subjekte të cilat kanë nivelin më të lartë të pagave minimale, sidomos për periudhën e parë, ndërkohë që në vijimësi do të vazhdohet edhe me monitorimin e kategorive të tjera të bizneseve.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.