Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancë plenare projektligjin “Për miratimin e kontratës shtesë për ndryshimin e kontratës së koncensionit ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si Autoritet Kontraktues, dhe shoqërive “SICPA Security Solutions S.A.” e “SICPA Albania Sh.p.k.”, “Për projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave””, të miratuar me ligjin Nr. 10381, datë 24.02.2011””.
Projektligji u prezantua para deputetëve nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e cila vuri në dukje se përmes tij trajtohen një sërë problematikash të vërejtura gjatë zbatimit të kontratës koncesionare, një prej të cilave ishte dhe data e nisjes së kontratës.
Përmes projektligjit të miratuar, afati i zbatimit të kontratës koncesionare shtyhet për një periudhë 2 vjeçare, deri në 31 dhjetor 2024.
Ministrja theksoi se përmes shtyrjes së afatit do të mundësohet vijimi i shërbimit, në një kohë që qeveria shqiptare do të përgatitet për ngritur të gjitha strukturat, organizative dhe dixhitale, në mënyrë që ta ofrojë vetë atë dhe me kosto më të ulëta.
“Për hir të kompleksitetit që kjo kontratë ka, na është dashur një kohë më e gjatë se sa koha e parashikuar 6 mujore për mbylljen e kësaj kontrate me qëllim ngritjen e strukturave që shërbime të tilla publike të jepen me kosto sa më të ulët për qytetarët. Sa i takon çmimeve të kësaj kontrate koncesionare, ne kemi pasur një proces negociatash të gjatë me kompaninë SIPCA me qëllim reduktimin e çmimeve dhe siç jeni në dijeni apo është parashikuar në nenet e projektligjit çmimet do të reduktohen në nivelin 10 %”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja renditi edhe një sërë përmirësimesh të tjera që rregullohen me amendimin e kontratës, si:
aktivizimi i kontrollit të pullave fiskale në momentin e pagesës së detyrimeve të akcizës, pra në çastin e hedhjes për konsum në territor të produkteve të akcizës;
përmirësimi i teknologjisë së zbatuar CAPEX;
ulja e çmimit të produkteve të kontratës, si dhe përfitimi i trajnimeve të strukturave shtetërore të angazhuara në kontrollin e mallrave të akcizës nga shoqëria Koncesionare.
Nga ana tjetër, garantohet që të hiqet dorë nga çdo pretendim i palëve për mospërmbushje të kontratës ndër vite, pasi shoqëria koncesionare nuk do të ketë pretendime për kompensim, dëmshpërblim retroaktiv dhe nuk do të pretendojë ndonjë penalitet për mospërmbushje të objektit të kontratës nga ana e Shtetit Shqiptar.
Shoqëria Koncesionare do të vazhdojë këtë kontratë duke përdorur teknologjinë aktuale të implementuar bazuar në Kontratёn e Koncesionit, me përmirësime teknologjike në fushat e gjykuara si të detyrueshme për funksionalizimin e duhur operacional dhe në terren, që lidhen me platformën ekzistuese – CAPEX;
Gjithashtu, shoqëria do të ofrojë një asistencë teknike 7 mujore para përfundimit të kontratës.
Gjatë kësaj periudhe, Shoqëria Koncesionare angazhohet të kryejë një investim që shkon nga 3 deri në 5 milionë Euro, sipas skedulimeve që do të kryejë grupi negociator i MFE.
Gjatë diskutimit të saj, Ministrja Ibrahimaj theksoi faktin se përmes reformave të ndërmarrë në vite është synuar dhe është arritur reduktimi i informalitetit në vend.
Kështu, sipas të dhënave të administruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, gjatë vitit 2022 është arritur që sasia e produktit birrë në total të jetë 91,3 milionë litra dhe në akzicë të paguar në import në vlerë në 2,3 miliardë lekë. Në vitin 2013, këta tregues kanë qenë respektivisht: 62,4 milionë litra dhe 1,1 miliardë lekë të arkëtuara.
“Duke qartë se lekët e arkëtuara nga akcizat janë dyfishuar në harkun kohor të gjithë këtyre viteve. Ky është një tregues i qartë i reduktimit të informalitetit, i cili ka ardhur dhe si pasojë e mirëmenaxhimit të administratës doganore”, u shpreh Ministrja, ndërsa shtoi se vendosja e pullave fiskale për këto produkte ka dhënë një ndikim të fortë në arritjen e rezultateve dukshëm pozitive nga viti në vit.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.