Postuar më: 09/10/2014

Nis prezantimi i draftligjit për auditin e brendshëm

Në datën 9 tetor 2014 nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme  Rregullatore dhe Kontrolluese, u organizua një takim pune me drejtuesit e Njësive të Auditimit të Brendshëm të institucioneve qendrore.

Në fillim të këtij takimi znj. Kesjana Halili, Drejtore e Përgjithshme e Drejtorisë së Përgjithshme Rregullatore dhe Kontrolluese, prezantoi në mënyrë të përmbledhur situatën e auditimit të brendshëm në sektorin publik, problematikat e konstatuara nëpërmjet monitorimit të raporteve nga Njësia Qendore e Harmonizimit për Auditimin e Brendshëm (NJQH/AB), zhvillimet që NJQHAB parashikon në kuadër të forcimit të strukturave të auditimit të brendshëm, rritjes profesionale të audituesve, nëpërmjet koordinimit, asistimit dhe monitorimit të punës së njësive të auditimit të brendshëm.

Gjithashtu, u trajtuan dhe zhvillimet e pritshme nga Njësitë e Auditimit të Brendshëm, si rritja e fokusit në vlerësimin e riskut, auditimin e sistemeve të kontrollit të brendshëm, si dhe rritjen e vazhdueshme të aftësisë profesionale të audituesve të brendshëm.

Në këtë takim gjithashtu, u prezantua roli dhe funksioni i Auditimit të Brendshëm referuar standardeve ndërkombëtare, nga drejtuesi i Projektit të Binjakëzimit ndërmjet Ministrisë së Financave të Austrisë dhe Ministrisë së Financave të Francës, z. Johann Rieser. Ky projekt i financuar nga BE që ka filluar më datë 1 shtator 2014,  gjatë dy viteve të ardhshme do të asistojë njësitë publike në forcimin e strukturave të menaxhimit financiar dhe kontrollit dhe strukturave të auditimit të brendshëm.

Në takim u diskutuan gjithashtu dhe propozimet për rishikimin e ligjit “Për auditimin e brendshëm në sektorin publik”, u prezantuan ndryshimet që konsistojnë në: saktësimin e varësisë funksionale të Njësive të Auditimit të Brendshëm tek titullari i njësive publike, qartësim i kritereve të punësimit, vlerësimi në pagë i audituesve të brendshëm , klasifikimi i audituesve të brendshëm në tre nivele dhe zhvillimi i vazhdueshëm profesional i tyre.

Në fund të takimit u diskutuan problematikat e konstatuara në punën e njësive të auditimit të brendshëm dhe u shpërnda projektligji i përgatitur. E gjitha kjo për t’iu dhënë mundësinë audituesve të brendshëm, si grupet më të mëdha të interesit, për të shprehur mendimet e tyre në lidhje me ndryshimet e parashikuara.