Njësia Speciale Antiinformalitet për të Ardhurat nga Punësimi dhe Shërbimet, e ngritur pak kohë më parë me urdhër të Kryeministrit, po jep rezultate pozitive sa i përket reagimit të tatimpaguesve kundrejt reflektimit të pagave reale të punonjësve të tyre.
Në një deklaratë për media, drejtuesja e kësaj njësie, zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj.Vasilika Vjero, bëri me dije rezultatet e arritura nga bashkërendimi i punës edhe me institucionet e tjera, si Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Inspektoriati i Punës, Krimi Ekonomik dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
Të gjithë tatimpaguesit, subjekt i monitorimit, u informuan mbi detyrimin për të reflektuar deklarimin e pagave reale të punonjësve të tyre dhe pas datës 20 janar 2022, njësia konstaton se:
“Kjo është një shifër shumë e mirë, nisur nga fakti se ka pasur vetëm një komunikim të parë të Administratës Tatimore në formë shkresore me këta tatimpagues. Dy ishin kriteret bazë që administrata tatimore përzgjodhi në atë moment, ishin tatimpagues me më shumë se 5 të punësuar dhe tatimpagues në të cilët më shumë se 30 % e punonjësve të tyre janë të paguar me paga minimale. Në total janë 142 mijë vende pune të cilat janë analizuar nga Administrata Tatimore fillimisht apo 10.153 tatimpagues”, tha zëvendësministrja Vjero.
Për të gjithë ata tatimpagues, të cilët kanë reaguar pozitivisht me ndryshimin e nivelit të pagave, Administrata Tatimore do të vijojë që të ketë një vëmendje të vazhdueshme lidhur me deklarimet, në mënyrë që këto deklarime të vijojnë të mbeten të tilla dhe për periudhën në vijim.
Sa i përket tatimpaguesve, të cilët nuk kanë reaguar, do të vijohet me vlerësim risku, si dhe me kryqëzimin e informacioneve që do të vijnë nga burime të ndryshme. Tatimpaguesve do t’u lihet e gjithë hapësira ligjore e nevojshme për t’u përgatitur dhe për të pritur audituesit e njësisë apo dhe audituesit e strukturave përkatëse.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbetet e angazhuar për të vijuar zbatimin e masave ligjore me qëllim reduktimin e informalitetit dhe vendosjen e standardeve në tregun e punës, për të siguruar zhvillimin e ekonomisë dhe rritjen e konkurrueshmërisë.
Deklarata e Zv.ministres Vjero:
Përshëndetje,
Sot po zhvillojmë një takim të parë me mediat, në lidhje me njësinë speciale antiinformalitet, për të ardhurat nga punësimi dhe shërbimet, njësi e cila është ngritur me urdhër të Kryeministrit, nr. 1, datë 5 janar 2022. Njësia ka në përbërje përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nga Inspektoriati i Punës, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, apo edhe përfaqësues nga Krimi Ekonomik, Policia e Shtetit.
Detyra kryesore e kësaj njësie, ashtu sikurse tashmë është bërë e ditur edhe mediatikisht, është realizimi i analizave të duhura, kryqëzimi i informacioneve të ndryshme lidhur me të dhënat për tatimpaguesit dhe për individët, dhe njëkohësisht planifikimi dhe zbatimi në terren i planeve të kontrolleve për tatimpagues dhe individë të cilët prezantojnë risk.
Dua të theksoj në fillim se ky është një proces pune, i cili nuk përbën diçka të re për të gjithë marrëdhënien që administrata tatimore ka me tatimpaguesit apo edhe me punën e përditshme të saj, me organizimin e saj.
Kjo njësi do të ketë një vëmendje më të shtuar për koordinimin dhe unifikimin e riskut në një nivel të vetëm dhe qëllimi i saj është identifikimi i atyre industrive, i atyre sektorëve, bizneseve dhe deri individëve të cilët prezantojnë risk, përsa i përket deklarimeve dhe detyrimeve që kanë pranë Administratës Tatimore, por edhe strukturave të tjera, dhe njëkohësisht qartësimi i strategjisë që do të duhet të ndjekë njësia apo edhe strukturat në veçanti, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Inspektoriati i Punës, apo edhe DPPPP, për të ulur dhe minimizuar këtë risk.
Njësia ka hartuar një plan veprimi, që prej muajit dhjetor dhe është iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në fillim, e cila mbështetur në elementët e riskut ka targetuar një grup tatimpaguesish dhe punonjësish, të cilët dukshëm kishin nën deklarim të pagave të tyre.
Dy ishin kriteret bazë që administrata tatimore përzgjodhi në atë moment, ishin tatimpagues me më shumë se 5 të punësuar dhe tatimpagues në të cilët më shumë se 30 % e punonjësve të tyre janë të paguar me paga minimale. Në total janë 142 mijë vende pune të cilat janë analizuar nga Administrata Tatimore fillimisht apo 10.153 tatimpagues.
Me analizimin e të dhënave, Administrata Tatimore ka komunikuar elektronikisht me këtë numër tatimpaguesish dhe të vetëpunësuarit e tyre për gjatë gjithë muajit janar dhe ne kemi pritur për të pasur një reagim vullnetar nga ata.
Unë do të doja të ndaja të dhënat e këtij reagimi të parë nga tatimpaguesit, por edhe individët:
29 % është numri i pozicioneve të punës që kanë deklaruar paga në rritje;
Është ulur me rreth 28 % numri i pozicioneve të punës me pagë minimale, çka do të thotë që kemi një rritje në pozicionet e e tjera të punës me paga më të larta;
33 % e tatimpaguesve kanë reaguar pozitivisht duke rritur pagën e tyre, për më shumë se 30 % të numrit të punonjësve; mendojmë se kjo është një shifër shumë e mirë, duke u nisur se ka patur vetëm një komunikim të parë të Administratës Tatimore në formë shkresore me këta tatimpagues.
9184 lekë është rritja mesatare e pagës për tatimpaguesit të cilët kanë reaguar;
3 % kemi rritje në kontributet e sigurimeve shoqërore dhe 3 % në ato shëndetësore;
5 % e pozicioneve të punës kanë prezantuar ulje të nivelit të pagës dhe 67 % e tatimpaguesve nuk kanë pasur një reagim, pra vijojnë të mbeten me të njëjtat deklarime dhe me të njëjtin nivel page për të punësuarit e tyre.
Lidhur me të gjithë totalin e popullatës të subjekteve, por edhe të vendeve të punës, edhe pse nuk ka qenë target i administratës tatimore, ky total ka prezantuar ndryshime si rezultat i këtij plani dhe mund të themi që numri i pozicioneve të punës që kanë deklaruar rritje në total është 152 mijë apo 25 % e totalit të të gjitha pozicioneve të punës.
Numri i pozicioneve të punës me rënie të pagës është 11 %. 64 % e pozicioneve të punës nuk kanë ndryshuar nivelin e pagës, ndërkohë që kontributet shoqërore në total janë rritur me 4 % ndërsa ato shëndetësore janë rritur me 6 %. Pra, këto ishin të dhënat lidhur me totalin e të punësuarve dhe jo specifikisht me tatimpaguesit të cilët janë targët i kësaj njësie.
Por cilat do të jenë hapat e mëtejshëm që do të ndjekë kjo njësi?
Unë dua të them që edhe sot në këtë komunikim ne kemi dhe përfaqësuesit e institucioneve që janë pjesë kësaj njësie, të cilët realisht po bëjnë një punë jashtëzakonisht profesionale për identifikimin e tatimpaguesve më me risk dhe përcaktimin e moduleve të kontrollit.
Për të gjithë ata tatimpagues të cilët kanë reaguar pozitivisht me ndryshimin e nivelit të pagave, Administrata Tatimore do të vijojë që të ketë një vëmendje të vazhdueshme lidhur me deklarimet, në mënyrë që këto deklarime të vijojnë të mbeten të tilla dhe për periudhën në vijim.
Për tatimpaguesit të cilët nuk kanë reaguar, do të vijojë vlerësimi i riskut dhe kryqëzimi i informacioneve nga shumë burime.
Ne kemi marrë informacione nga Inspektoriati i Punës, ku rezulton se 46 % e tatimpaguesve që janë me shkelje nga Inspektoriati i Punës janë edhe në listën e tatimpaguesve të konsideruar me risk nga Administrata Tatimore dhe që do të jenë më tej pjesë e punës së njësisë.
Apo nga informacioni që kemi marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, rezulton se 572 tatimpagues posedojnë mjete luksi dhe 830 punonjës janë me mjete luksi e ndërkohë rezultojnë me paga minimale, dhe ky numër është pjesë e tatimpaguesve të konsideruar me risk nga kjo njësi.
Më tej ne do të vijojmë në vlerësimet e informacionit që do të marrim dhe nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe nga institucione të tjera, siç është Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave apo edhe Policia e Shtetit, për të ndërtuar qartazi një profil tatimpaguesi me risk, i cili më tej do t’i ushtrohet kontrolleve nga kjo njësi.
Ne shumë shpejt, deri më fund të këtij muaji, do të kemi përcaktuar tatimpaguesit dhe individët që janë me risk, sepse pjesë e këtyre kontrolleve do të jenë edhe individët, dhe në fillim të muajit të ardhshëm do të vijojë plani i kontrolleve, të cilat do të ushtrohen nga njësia. Por, duke qenë se edhe numri i tatimpaguesve është i lartë, një pjesë e madhe e kontrolleve do të vijojnë paralelisht të ushtrohen dhe nga DPT, Inspektoriati i Punës, pra nga të gjitha strukturat që janë të përfshira dhe që kontribuojnë në punën e kësaj njësie.
Sigurisht që ne do të mbetemi më tej të hapur për të komunikuar përsëri me mediat rezultatet që do të kemi nga kontrollet që do të ndërmarrim për tatimpaguesit dhe individët.
Dua të theksoj që si tatimpaguesit, ashtu edhe individët që do të jenë pjesë e këtyre kontrolleve do të njoftohen paraprakisht. Ne do tu lëmë të gjithë hapësirën ligjore për tu përgatitur dhe për të pritur më tej audituesit e njësisë apo dhe audituesit e strukturave përkatëse.
Faleminderit.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.