Ministrja e Financave Helga Vukaj kërkoi nga administrata doganore të distancohet nga çdo veprim i paligjshëm që cënon standardet zgjedhore .
Gjatë një inspektimi në Degën Doganore të Durrësit, ministrja Vukaj theksoi rëndësinë e përmbushjes së objektivave fiskalë dhe vlerësimin strikt të procedurave doganore për të shmangur çdo rast abuzimi, që favorizon operatorë të veçantë të biznesit, me qëllim financimin e aktiviteteve elektorale.
Ministrja paralajmëroi masa administrative dhe ndjekje penale për çdo punonjës që shkel ligjin. Ajo kërkoi me prioritet nga agjencitë ligjzbatuese rritjen e eficencës së kontrolleve doganore kundër trafikut të drogës dhe hartimin e një plan-veprimi për një reagim të shpejtë dhe të koordinuar me Policinë Kufitare.
Në takimin me Shërbimin Doganor dhe Policinë Kufitare Durrës, ministrja e Financave Helga Vukaj shoqërohej edhe nga ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.