

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, nëpërmjet Shërbimit Kombëtar të Punësimit, ka çelur zhvillimin e Panaireve të Punës për vitin 2019.
Në qytetin e Elbasanit është organizuar sot “Panairi i Punës Ebasan 2019”, ku rreth 50 biznese nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë shpalosën ofertën e tyre për punëkërkuesit. Në total, rreth 510 vende të lira pune u prezantuan nga Zyrat e Punës dhe bizneset, si një mundësi konkrete për punësimin e individëve që janë në kërkim të një pune.
Përveç bizneseve, në këtë panair morën pjesë përfaqësues të shkollave profesionale të qytetit të Elbasanit dhe qendrave të formimit profesional, përfaqësues të institucioneve të ndryshme shtetërore, përfaqësues të zyrave vendore të punësimit Elbasan, Librazhd, Peqin dhe Gramsh, si dhe përfaqësues të Projekteve bashkëpunuese në fushën e AFP dhe Punësimit, Universitetit “Aleksandër Xhuvani, etj.
E pranishme në ceremoninë e hapjes së këtij aktiviteti ishte dhe Zv.Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorensen, e cila e vlerësoi atë si një mundësi shumë e mirë për bizneset që të shfaqin praktikisht mundësitë reale për punësim, si dhe për qytetarët, të cilët informohen mbi këto mundësi dhe i vlerësojnë ato.
Niveli i punësimit në rajonin e Elbasanit (Elbasan, Gramsh, Librazhd dhe Peqin) është 67.6% nga 68.0% që ishte një vit më parë, ndërsa shkalla e papunësisë është 7.2% nga 8.2% që ishte një vit më parë.
Ky rajon numëron 9,005 individë të regjistruar në Zyrat e Punësimit të Rajonit si punëkërkues të papunë ose rreth 13% e të gjithë të papunëve të regjistruar në shkallë vendi.
Për periudhën 1 Janar – 28 Shkurt 2019, në Rajonin Elbasan janë shpallur 986 vende të lira pune, ose 13% të totalit të VLP-ve të shpallura në rang kombëtar; janë punësuar 287 punëkërkues të papunë; 211 punëkërkues të papunë janë dërguar në kursin Start Smart dhe 15 të tjerë kanë filluar kurse të formimit profesional.
Aktualisht, në Rajonin e Elbasanit janë 3,562 individë të regjistruar në Zyrat e Punës që mbështeten me Ndihmë Ekonomike.
Në muajin shkurt 2019 rezultonin 265 punëkërkues të papunë që trajtohen me pagesë papunësie në Rajonin e Elbasanit.
Panairet e Punës 2019 do të vijojnë me vijojnë të zhvillohen në qarqe të tjera të vendit, ku më i afërti është ai në qarkun e Fierit, në datën 26 prill.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.